Tash kur u bë edhe zbritja e taksave të shkollimit në nivelin bachelor dhe zvogëlim të vendeve për studim me korrespondencë është e favorshme dhe për Universitetin të ketë më shumë studentë në master, ka theksuar Daku, duke sugjeruar UP-së jo vetëm rritjen e numrit të studentëve, por edhe zgjidhjen deri diku të problemit financiar.
Anita Kadriu
Rektorati i Universitetit të Prishtinës (UP) nuk ka marrë ende në shqyrtim kërkesat e studentëve për rritje të vendeve të studimit në nivelin master në të gjitha drejtimet.
Parlamenti Studentor (PS) dhe Këshillat e Studentëve nëpër fakultete kanë marrë kërkesa nga studentët të të gjitha drejtimeve që të shpallet edhe një konkurs i dytë për pranim të studentëve në master. Bazuar në kërkesat që kanë arritur në zyrat e tyre, udhëheqësit e PS-së dhe Këshillave të Studentëve e shohin më se të arsyeshme rritjen e numrit të vendeve për studim në nivelin e dytë.
Shumica e studentëve, sipas këtyre kërkesave kanë plotësuar kriteret për tu pranuar, mirëpo, numri i vendeve të limituara i ka diskualifikuar ata.
Kryetari i PS-së, Selim Daku, ka thënë se është takuar me krerët e universitetit dhe i ka adresuar të gjitha shqetësimet e studentëve të papranuar. Gjatë bisedës me strukturat menaxhuese të UP-së, ai tha se ka kërkuar rritjen e numrit të vendeve për studim në këtë vit akademik, veçanërisht në Fakultetin Filozofik. Sipas tij, më së shumti ankesa dhe presione nga studentët, PS-ja ka marrë nga kandidatët e departamentit të Historisë, ku konkurrenca ka qenë shumë e lartë dhe numri i të pakënaqurve po ashtu nuk ka qenë i vogël.
Daku ka theksuar se rritja e numrit të studentëve në master do të ishte dhe një mundësi e mirë për UP-në që të krijojë më shumë të hyra financiare.
Tash kur u bë edhe zbritja e taksave të shkollimit në nivelin bachelor dhe zvogëlim të vendeve për studim me korrespondencë është e favorshme dhe për Universitetin të ketë më shumë studentë në master, ka theksuar Daku, duke sugjeruar UP-së jo vetëm rritjen e numrit të studentëve, por edhe zgjidhjen deri diku të problemit financiar.
Edhe Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Edukimit ka shprehur qëndrim se do të përkrah kërkesat e studentëve për një konkurs të dytë në studimet master. Sipas Petrit Dërgutit, kryetar i këtij këshilli, në Edukim ku për herë të parë për studentët janë ofruar studime master në dy drejtime të reja, konkurrenca ka kaluar të gjitha parashikimet dhe duhet të përkrahet rritja e numrit të studentëve.
Fluksi i konkurrentëve në master e ka vënë Edukimin të dytin në listën e fakulteteve më të kërkuara për këtë nivel studimesh. Për drejtimin e menaxhimit në arsim kanë konkurruar 219 kandidatë, ndërsa atë të kurrikulit 159 kandidatë, mirëpo sipas konkursit për secilin drejtim është paraparë të pranohen nga 40 kandidatë.
Ndërkaq Ekonomiku nuk ka lëshuar vendin e parë si fakulteti më i kërkuar duke mbajtur këtë vend edhe me interesimin më të madh të studentëve në master. Në Fakultetin Ekonomik në drejtimin Banka dhe Financa kanë konkurruar 277 kandidatë, Menaxhment dhe informatikë 182, Ekonomik 124 kandidatë dhe Marketing 144. Interesim për studim në Ekonomik nga fakultetet tjera kanë shprehur edhe 101 kandidatë.
Zyrtari për informim në UP, Isuf Ibërdemaj, ka theksuar se deri më tash nga Rektorati nuk është marrë ndonjë vendim për rritje të numrit të studentëve. Ibërdemaj ka thënë se sapo të merret numri i përgjithshëm i studentëve që janë regjistruar dhe atyre që kanë konkurruar do të shqyrtohet nga menaxhmenti rritja e numrit dhe sipas mundësisë së njësive akademike mund të merret ndonjë vendim.