Jon Bon Jovi e pranon se ka parë ditë më të mira në jetën e tij, por pas një çerek shekulli albumesh dhe turnesh të vazhdueshme në të gjithë botën, gjithsesi ai ndihet i bekuar. 48-vjeçari që jeton një pjesë të mirë të kohës në Brazil, thotë se këtë herë ëndrra e tij mund të ketë të bëjë me politikën.
Ai ka një pjesë të fytyrës me të vërtetë të mrekullueshme. Këtë ai ka 48 vjet që e di dhe sigurisht që ia ka perfeksionuar përdorimin. Shpesh e përdor si armë joshjeje dhe është i sigurt se qëllon në shenjë. Janë dhëmbët. Të mëdhenj, shumë të bardhë, të shëndetshëm, të rregullt, rrëzëllitës. Përveç tyre, edhe pse kërkon që të shitet për një djalosh, është një burrë në mesin e moshës së tij, me një famë të madhe dhe ambicie edhe më të madhe.
Grupi që mban emrin e tij, Jon Bon Jovi, që në maj ka ndërmarrë një turne botëror dhe që prej një muaji ndodhet në Amerikën Latine, stadiumet e së cilës e kanë pritur të mbushur plot djaloshin me dhëmbë magjikë dhe grupin e tij për të performuar albumin e publikuar një vit më parë: The Circle. Pasi ka kaluar në Evropë dhe Amerikën e Jugut, Bon Jovi do të bëjë një pushim për të vazhduar me pjesën tjerë të botës, Azinë dhe Australinë. Pra Jon është në mesin e një udhëtimi, nga ata që ka bërë shpesh gjatë karrierë së tij shumë të gjatë dhe shumë të ngjeshur me albume, koncerte, turne
Kur e pyet se si po shkojnë gjërat, fillimisht ai të thotë se gjithçka po shkon si ska më mirë, por pas një copë here e ndjen se në këtë moshë dhe në këtë stad të karrierës nuk ka përse të ketë frikë nga e vërteta dhe me zë pak më të ulët përgjigjet: Jam i lodhur.
Dhe kjo kuptohet qartë dhe është më se e justifikueshme. Ai ka qenë një zot roku përgjatë pjesës më të madhe të jetës së tij. Ka lindur në vitin 1962 në periferi të Nju Xhersit. I ati ishte marins, që pas ushtrisë u shndërrua në berber, sepse fitonte më shumë me profesionet e tjera dhe e ëma merrej me lule. Fëmijëria e tij ishte fëmijëria e një djali nga klasa punëtore, një fëmijëri jo me bollëk por me rregulla dhe me gjëra të sigurta. Ajo çka ai mban mend me shumë siguri që nga vitet e hershme të fëmijërisë, është se donte dhe e ndjente se do të bëhej një rrokist i famshëm. Kjo ishte jo vetëm një ëndërr fëmijërore, por dhe një bindje e brendshme, e thellë dhe e sigurt, nga ato bindje që na drejtojnë më pas në një rrugë të sigurt dhe në një finish të parashikuar. Nuk kam dyshuar për as edhe një çast të vetëm se nuk do të bëhesha këngëtar rroku. Kam qenë i mbrujtur me një ndjesi të tillë. Quajeni si të doni, naivitet, ngulmim fëmijëror
.
Kur ishte adoleshent filloi që të këndonte nëpër lokalet e qytezës së tij dhe pëlqehej edhe për arsyen se i ngjante Bruce Springsteen. Ishte një kohë kur shumë të rinj donin të krijonin grupe muzikore. Disa sepse kishin me të vërtetë talent dhe vokacion, të tjerë ishin të tërhequr nga paratë që mund të fitonin dhe mbi të gjitha nga mënyra e jetesës, nga vajzat që do ti kishin pa problem.
Në moshën 21-vjeçare ai performoi me kitaristin Richie Sambora, me tastieristin David Bryn dhe basistin Tico Torres. Luajti shumë kohë me ta dhe në vitin 1986 albumi i tretë i djemve, Slippery When Wet, në të cilin bënte pjesë edhe kënga që vërtet i bëri të famshëm, Livin on a Prayer, u dha njohje të madhe dhe atë që prisnin prej kohësh: paratë dhe famën.
Gjatë 24 viteve që pasuan nga ai moment, grupi ka thyer një rekord që nuk e kanë arritur grupe të tjera. Ai as nuk është shpërbërë, as nuk është ndarë dhe as nuk ka ndaluar së interpretuari. Dhe vetë Bon Jovi për asnjë çast nuk ka ndalur së shkruari, së interpretuari, së nxjerri albume dhe së ndërmarri turne në të gjithë botën, të paktën një herë në tre vjet. Për ata këngëtarë që bëjnë një jetë të tillë për prezantimin e albumeve, është e qartë se sa e lodhshme është një situatë e tillë. Por kjo nuk vlen për Bon Jovin dhe djemtë e tij. Së bashku ata kanë publikuar 11 albume, që kanë shitur 120 milionë kopje në të gjithë botën. Vetë Bon ka interpretuar gjatë pjesës misterioze dhe më të suksesshme të karrierës së tij në 2700 koncerte në 53 vende të ndryshme, me një numër fansash që nëse do ti bënim së bashku do të kapnin shifrën 35 milionë vetë. Në vitin 2008 u shpall si grupi që ka shitur më shumë kopje të albumit të tij. Dhe në këto vite vetëm dy janë grupet që ia kanë kaluar Bon Jovit: U2 dhe Rolling Stones. Aktualisht janë në pritje të lancimit të albumit të tyre të dytë, Greatest Hits. Kjo do të thotë se karriera e tyre është me të vërtetë e jashtëzakonshme. A mos vallë ky publikim ka të bëjë me një moment pauze dhe meditimi për karrierën çerekshekullore? Është thjesht një detyrim, një pjesë e punës sonë. Asgjë më tepër.
Bon Jovi është në krijimtari të vazhdueshme. Si një vullkan që nxjerr gjithmonë llavë, ai vetë nxjerr vazhdimisht ide. Në vitin 2007 kërkoi që të bënin një album me muzikë country. Ishte një sfidë, por edhe një kënaqësi, edhe pse jo të gjithë ia mbështetën këtë ide. Gjithsesi ai eci përpara dhe e realizoi albumin Losta Highways. Dhe me çfarë rezultati! Ai shiti më shumë se me çdo album të tij të mëparshëm. Aktualisht po merret me albumin e tij, Greatest Hits, që përmbledh shumë emocione, suksese, frymëzime dhe momente të veçanta përgjatë një dhjetëvjeçari. Ajo për të cilën Bon Jovi është shumë i zoti dhe ka një aftësi shumë të madhe është suksesi komercial. Ai vetë nuk është i sigurt për aftësinë e tij, por sigurisht është i sigurt për këngët që bën. Rroku i tij nuk ka qenë kurrë ai tipiku i ashpër dhe i fortë. Ai ka bërë këngë më vajzërore, më të brishta dhe me më shumë melodi, dhe për këtë është pëlqyer nga një numër më i madh njerëzish, jo vetëm nga ata që pëlqejnë rrokun. Por për sa i përket suksesit komercial, janë numrat ata që flasin. Dhe bëhet fjalë për numra të mëdhenj, të jashtëzakonshëm shitjesh. Për këta djem, ky është turneu i parë në Amerikën e Jugut në këta 15 vjet, sepse sipas tyre shitjet nuk kanë shkuar siç duhet vitet e fundit në këtë vend. Por e di se, edhe pse janë të shitur në shumë vende të botës, nuk kanë arritur që ti joshin të gjithë dhe vendet e Amerikës Latine janë të tilla. Ka raste që njerëzit çmenden pas teje dhe ti shënon rekorde, por ka raste kur ata të kthejnë shpinën dhe disqet të pluhurosen në rafte. Kjo është muzika dhe ky është biznesi muzikor. Ndaj është i domosdoshëm menaxheri. Po a është për të i rëndësishëm suksesi komercial? Jo, por na lejon që të vazhdojmë përpara dhe ai shndërrohet më pas në platformë për shumë gjëra të tjera që kam pasur dhe kam në jetën time. Nuk e di nëse do të isha marrë me politikë nëse nuk do të kisha një sukses në punën time të përditshme.
Bon Jovi është një aktivist politik? Po, po. Brenda vetes ka qenë gjithmonë i tillë, por ka dashur që të shprehet edhe ndryshe, dhe pse deri më tani e ka bërë vetëm përmes këngës dhe kitarës. Madje ai është një aktivist shumë i përcaktuar. Është thellësisht një demokrat me bindje dhe besim. Në vitin 2004 ai e mbështeti shumë me mundësitë e tij John Carryn në betejën e tij presidenciale kundër republikanit Bush, i cli ishte në kërkim të mandatit të dytë. Ai ka interpretuar thuajse në të gjitha mitingjet e tij presidenciale, duke grumbulluar një numër të madh votuesish dhe dashamirësish të demokratëve, që më pas ia dhanë votën e tyre demokratit, edhe pse ai e humbi në fund garën. Në vitin 2009 ai punoi shumë për të mbledhur fonde për Obamën. Madje organizoi veprimtari për mbledhje fondesh në shtëpinë e tij. Pasi Obama u zgjodh President, ai këndoi në koncertin e tij të inaugurimit. Edhe pasioni për politikën, si dhe pasioni për këngën, ka lindur hershëm te Bon Jovi, pavarësisht se shumë vonë ka marrë një formë të dukshme dhe aktive. Kur lind në një epokë të Kenedit dhe më pas vazhdon të shohësh mrekulli të tilla si shembja e Murit të Berlinit, apo rënia e komunizmit, e mendon botën më të mirë dhe mendon se mund të japësh një kontribut edhe ti në këtë të mirë të madhe. Në vitet 80 politika më dukej diçka romantike. Për herë të parë kam votuar për Reganin. Ishte vota e parë që hodha pasi mbusha moshën e duhur. Ishte viti 1980. Kjo edhe pse jam një demokrat. Dhe demokrat u bëra pasi u shkollova dhe qartësova bindjet e mia. Në fakt përvojat më të mira janë ato personale dhe në jetë unë kam pasur shumë të tilla. Me kalimin e viteve dhe me akumulimin e përvojave vjen edhe mençuria, sigurisht për ata që e kërkojnë atë dhe e marrin çdo përvojë të jetës të mirë, apo të keqe, si një gur të çmuar. Mendoni se jeni i mençur? Këtu ai qesh. Për shkak të bashkëpunimit dhe punës që ka bërë për Presidentin amerikan, ai është mik me të dhe me të shoqen. Në fakt ai thotë se fjala shok është shumë e madhe dhe se në këtë rast do të ishte më e saktë fjala të njohur.
Edhe sepse kur flet për politikën Bon Jovit i ndriçojnë sytë, ai nuk e pranon hapur se ka ambicie politike dhe se do të donte që një ditë ta shihte veten të ngjiste shkallët e kësaj karriere të shumëdëshiruar në rini. Ai mendon se të qenit politikan është një punë dreqi dhe se janë shumë të pakët ata që janë me të vërtetë të dedikuar dhe idealistë. Si person idealist dhe për të bërë atë që ndjen, duke qenë se ka edhe mundësi, Jon ka çelur një fondacion që ka si synim luftën kundër varfërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në këtë iniciativë ai kalon një pjesë të mirë të kohës. Ai thotë se është shumë i bindur në atë që bën dhe në atë që beson. Mendoj se bota bëhet më e mirë nga njerëzit që çmojnë ndjenjën para parasë dhe gjërave materiale. Unë jam për atë që duhet ta ndash tepricën e pasurisë, pasi bota është e mbushur me njerëz që jetojnë në kushte të paimagjinueshme dhe se kjo mungesë balance nuk i bën mirë askujt. Unë mundohem që të bëj sa mundem. Megjithatë ai nuk mund të fshehë një dëshirë të tijën që nëse një ditë përmes politikës do të mund të sillte ndryshimin, ai mund ta pranonte edhe një sfidë të tillë, për të mirën e të tjerëve.