Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, tha se e kanë formuar djemtë më të mirë e më të devotshëm të gatshëm për të sakrifikuar edhe jetën për të ndryshuar pozitën nënçmuese e të shtypur të shqiptarëve në Maqedoni. Pavarësisht këtyre akuzave, lideri i BDI-së pohon se Maqedoninë vazhdon ta ketë në zemër. Intervista është realizuar në mënyrë elektronike.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë ekskluzive për Infosot, flet për dosjet. Këto dosje, Ahmeti i quajti shpifje të poshtra dhe të pista. Këto akuza, sipas tij, janë bërë për të njollosur personalititin e tij, por thotë se nuk do tia arrijnë qëllimit. Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, tha se e kanë formuar djemtë më të mirë e më të devotshëm të gatshëm për të sakrifikuar edhe jetën për të ndryshuar pozitën nënçmuese e të shtypur të shqiptarëve në Maqedoni. Pavarësisht këtyre akuzave, lideri i BDI-së pohon se Maqedoninë vazhdon ta ketë në zemër.
Në pyetjen se Maqedonia nacionaliste kurrë nuk jua fali fitoren si komandant i UÇK mbi forcat ushtarake maqedone dhe a duhet me pa në këtë dritë shkrimin e gazetës "Dnevnik" ku thuhet se gazeta posedon dosjen tuaj si bashkëpunëtor i UDB-së, Ahmeti u përgjigj se proceset historike janë të pandalshme dhe të pakthim. Ushtria Çlirimtare Kombëtare e përmbushi misionin e vet historik dhe me të drejtë konsiderohet si vlera jonë më e madhe kombëtare, por gjykoj unë, këtë duhet ta kuptojnë edhe komuniteti maqedonas sepse kjo ushtri duke e shndërruar Maqedoninë në shtet të qytetarëve të barabartë ia hapi saj rrugën drejt Europës. Tani, mbase edhe mund ti pengojë dikujt kjo, mund edhe të ketë të tillë që Marrëveshjen e Ohrit, rolin e UÇK-së dhe vendin tim si komandant i përgjithshëm i saj ta përjetojnë si humbje të tyre dhe të përpiqen me çdo mënyrë të revanshohen apo të hakmerren disi, por kjo nuk e zvogëlon fare madhështine e asaj lufte çlirimtare, shenjtërinë e UÇK-së po as edhe rolin tim dhe të bashkëluftëtarëve të mi. Në këtë prizmë, gjykoj unë, duhet shikuar edhe shkrimet senzacionale të kësaj apo asaj gazete apo akuzat absurde për bashkëpunim me këtë apo atë shërbim.
"Të biesh në grackën e dosjeve dhe të vësh në dyshim edhe shenjtërinë e luftës së popullit tonë është njëlloj sikur të luash sipas rregullave të armiqve tanë. Ushtrinë Çlirimtate Kombëtare e ka krijuar populli ynë, djemtë më të mirë e më të devotshëm të gatshëm për të sakrifikuar edhe jetën për të ndryshuar pozitën nënçmuese e të shtypur të shqiptarëve në Maqedoni. Është fati ynë historik që ne e drejtuam atë luftë dhe e fituam. Gjykoj se gjërat tashmë janë qartësuar dhe opinioni është në dijeni të autorëve, transportuesve dhe distributorëve të këtyre pacavarëve dhe është nën dinjitetin tim dhe të çdo shqiptari të përgojohen dhe të trazohen në varret ku prehen kolosët e çështjes shqiptare, vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka. Tashmë shumëçka është më e qartë dhe shumë shpejt drejtësia do të zbardh të gjitha pisllëqet e projektit Dosje dhe autorët bashkë me aktorët do të nxirren para gjyqit", përgjigjet Ahmeti në pyetjen se në "dosjen" thuhet se Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare e ka krijuar Beogradi.
Gjatë gjithë veprimtarisë, si Bashkim Demokratik për Integrim jemi përpjekur të respektojmë rendin dhe rregullat e lojës. Gjithmonë kemi bërë çmos që institucionet të jenë adresa ku problemet e çfarëdo natyre qofshin të gjejnë zgjidhjen e duhur. Zaten, ne për këtë edhe e bëme luftën, që shteti edhe institucionet të jenë mbrojtesi i të drejtave të çdo qytetari. Për këtë arsye dhe me këtë qëllim, ne tashmë kemi edhe një vendim të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së që kjo histori dhe kjo histeri të marrë epilogun e vet para organeve kompetetente. Me dosjet e qena dhe të paqena të merret Komisioni për lustrim, ndërsa me shpifësit, përgojuesit, falsifikatorët dhe autorët e fabrikimit të dosjeve të merret gjyqi dhe autoritetet e drejtësisë, tha Ali Ahmeti për Infosot.
Në pyetjen se kush mendoni se qëndron prapa këtyre dosjeve, Ahmeti tha se Gjërat disi vetvetiu po dalin në shesh. Tani më opinioni i ka informacionet e mjaftueshme dhe e ka të qartë se kush i bën këto gjëra të pista e të poshtra. Populli thotë se zanati shkon me shpirtin, prandaj ai që edhe në të kaluarën është marrë me këso batakcilleqe si duket nuk mund të rri pa e vazhduar këtë ves. Nuk është hera e parë që kundërshtarët politik të goditen në këtë mënyrë të ulët. Kësaj radhe operacioni si duket është më i madh dhe me përfshirje më të thellë. Na dalin këtu mbeturina të shërbimeve te ne e jashta Maqedonise, pastaj, politikane te deshperuar dhe pa moral, profesore te devotshem e pa oborr, gazetare ambicioz qe marrin rolin e lustratorit, qarqe tjera te dukshme e te padukshme, por qe te gjithe i ka kapur tmerri se unë dhe Bashkimi Demokratik per Integrim kemi vendosur ti shkojmë kësaj historie deri në fund dhe ta zbardhim tërësisht. Për fatin e tyre të keq, apo për fatin tonë të mire aq shumë gjurmë kanë lënë në këtë krim saqë edhe po të dojë dikush ta fsheh këtë nuk ia del dot...Arsyet e vërteta i dinë autorët dhe distributorët. Motivet mund të jenë të shumta. Nga vesi i keq i atyre që gjatë gjithë jetes janë marrë me shpifje e përgojime, e deri te parallogaritë politike e destabilizuese. Dua tju kujtoj se nuk janë të paktë ata që nuk pajtohen me faktin që çelësi i stabilitetit të Maqedonisë është në duart e Bashkimit Demokratik për Integrim si përfaqësuese e vullnetit të shumicës dërmuese të popullit shqiptar, deklaroi Ahmeti.
I pyetur nëse Ahmeti vazhdon të këtë Maqedoninë në zemër, lideri i BDI-së është shprehur se ai është një nga ata veprimtarë qe kam kaluar edhe nëpër plumba, jam ballafaquar edhe me vdekjen dhe se i ka ndodhur që para syve të tij të vritet shoku me të cilin ka kaluar rreziqe të panumërta...Unë nuk jam nga ata që bindjet e mia i ndërroj përditë...Dua tua kujtoj se në zgjedhjet e 2008-s me mua dhe shokët e mi më të afërt na gjuajtën edhe me kallashnikovë.....dhe unë nuk i kam ndërruar pikëpamjet e mia, nuk kam hequr dorë nga vizioni im që Maqedonia të bëhet shtet i begatë, i sigurt, stabil dhe me perspektivë për të gjithë qytetarët e saj, duke përfshirë ketu edhe shqiptarët, edhe fëmijtë e mi. Unë besoj në këtë përcaktim dhe punoj që kjo një orë e më parë të bëhet realitet, deklaroi Ahmeti duke shtuar se edhe po të këtë maqedonas të cilët i pengon kjo, atë nuk e pengon në rrugëtimin e tij për një Maqedoni të të gjithë qytetarëve.
Lufta speciale gjithmonë dhe gjithnjë ka qenë shoqëruese e padukshme e të gjitha proceseve historike. Ndoshta autorët e këtyre paçavrave e kanë patur parasysh edhe këtë element, por më duket se distributorët nuk kanë qenë të ngarkuar me këtë dimension të këtij operacioni të flliqtë. Mendoj se ata kanë qenë të interesuar vetëm të godasin Bashkimin Demokratik për Integrim, të hedhin baltë mbi autoritetet më të larta e më të mëdha të partisë (deputë, ministra e funksionarë tjerë të lartë) dhe të shkaktojnë huti në popull, të hapin dilema, të nxisin thashethëme. Kjo gjykoj unë ka qenë objektivi i distributorëve të cilëve nuk u bëhet vonë as për raportin e Komisionit Europian e as për samitin e Lisbonës, u përgjigj Ahmeti në pyetjen se dosjet vijnë pikërishtë në prag të të raportit të Komisionit Europian dhe Samitit të Lisbonës.
I pyetur se sa është mundësia që këto dosje të destabilizojnë Maqedoninë, lideri i BDI-së ka deklaruar se: Duke patur parasyshë se sa larg kishin shkuar në fabrikim të shpifjeve dhe sa të ulta, jonjerëzore dhe monstruoze ishin akuzat dhe goditjet mbi kokat e BDI-së dhe mbi mua personalisht, mbase edhe kanë llogaritur në destabilizim të situatës politike në Maqedoni. Kam bindjen se ky ka qenë njëri prej motiveve kryesore të aktorëve të kësaj historie. Pra duke njollosur luftën, duke hedhur balte mbi të dy UÇK-të, duke poshtëruar familjet e krerëve të BDI-së ata si duket kanë bërë llogaritë e tyre se në nervozë e sipër të bëjmë veprime të pamenduara etj. Mirëpo, ata një gjë e kanë harruar, se në drejtuesit e djeshëm të luftës dhe krerët e sotëm të BDI-së jemi shokë të kalitur në ilegalitet, në mërgim, nëper burgje dhe nëper luftëra. Ne jemi njerëz me përgjegjësi sepse jo rrallëherë na është besuar edhe vetë jeta e njerëzve dhe ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm. Por, goditja ishte e poshtër, fyese e gërditshme por në nuk guxonim të sillemi sipas përllogarive të autorëve të projektit Dosje
I pyetur se si e komentoni faktin se, thënë kushtimisht, në mbrojtje të tij kanë dalur personalitete të njohura të jetës politike në Kosovë, derisa në mbrojtje të Thaçit doli Bozhidar Spasiç?, Ahmeti tha se ai dhe shokët e tij, bashkëveprimtarë e bashkëluftë janë krenar për të kaluarën e tyre. Më të drejtë mburremi se ishim bashkëorganizatorë dhe bashkëdrejtues të luftërave të drejta të popullit tonë për liri e barazi. E rëndësishmja është se sot Kosova, të cilës ne i kemi kushtuar krejt jetën, është shtet sovran, e pavarur, demokratike dhe me institucione funksionale. Asnjëherë nuk kam menduar se do të ndodh që një shqiptar, për motive të ulta politike mund të shkojë deri atje sa të shpifë se UÇK-të tona i ka formuar UDB dhe se drejtuesit kryesor të saj paskan qenë agjentë... Se deri këtu mund të arrijë çmenduria e një njeriu të etshëm për pushtet nuk ma ka marrë mendja, po ja që edhe kjo ndodhi dhe më duket disi krejt e natyrshme që në mbrojtje të kësaj shpifje, të këtij atentatati kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të dalin Spasicat, sepse ata këtë e kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë përcaktim të vetëm... Por, që deri këtu të arrijë shqiptari, këtë nuk kam mundur të marr me mend.
Ahmeti ka folur edhe për raportin e KE-së për të cilin se do të jetë objektiv. Shpresoj se Brukseli dhe Washingtoni do shfrytëzojnë autoritetin e tyre dhe do jenë ai faktori lehtësues në tejkalimin e pengesës së fundit në rrugëtimin tonë drejt perspektivës euro-atlantike të qytetarëve tanë.
Dua të përsëris edhe një herë së çështja e emrit të shtetit nuk është obligim i vetëm një subjekti apo edhe të një politikani të vetëm, qoftë ai edhe Nikolla Gruevski. Madje, dua të jem edhe më i drejtpërdrejtë, kjo çështje nuk është ekskluzivitet i vetëm një komuniteti. Për të tejkaluar këtë pengesë të madhe në rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe marrjes se datës për fillim të negociatave për anëtarësim në EU nevojitet një unitet politik e etnik. Si qeveria, ashtu edhe opozita, si maqedonasit, ashtu edhe shqiptarët si dy komunitete më të mëdha duhet të jenë pjesë e zgjidhjes e jo burim problemesh. Natyrisht, pjesa e përgjegjësisë se qeverisë është më e madhe sepse ajo i ka edhe levat e pushtetit po edhe votat në parlament, mirëpo kjo nuk e amniston opozitën që të jetë pjesë aktive në zgjidhjen e problemit, tha Ahmeti në lidhje me cështjen e emrit.
Ahmeti është shprehur edhe për punën e ministrave të partisë së tij, për të cilët thotë se organët e partisë do të bëjnë analizë punën e tyre.
Në lidhje me zgjedhjet e parakoshme, kryetari i BDI-së tha se Maqedonia nuk është në krizë politike dhe se nuk ka nevojë për zgjedhje të parkoshme, pasi Maqedonia sipas tij ka shumë gjëra më të rëndësishme për të bërë. Gjykoj që vendi ka prioritete tjera dhe nuk dua që opinioni të joshet edhe me keso tema atraktive. Regjistrimi është operacion kompleks dhe si i tillë duhet të trajtohet me seriozitetin më të madh por pa politizime të panevojshme, deklaroi Ali Ahmeti për agjencinë e lajmeve Infosot.