E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Për z. Isa Mustafën puna e vështirë fillon tash. Vetë zgjedhja e z. Isa Mustafës si kryetar i LDK-së nuk nënkupton shpëtim të saj. LDK-ja nuk kërkonte shpëtim nga një person, por nga sistemi klientelist që kërkon kohë të ndryshohet.
Hazreti Isa





Seb Bytyçi

Para dy mijë vjetëve ishte paraqitur një njeri në Jude që shihej si shpëtimtar i njerëzimit. Hebrenjtë besonin se një ditë do të vijë një shpëtimtar (Mesia) që ta shpëtojë njerëzimin nga të këqijat. Kur lindi Isa (Jezusi, i njohur si biri i Zotit nga të krishterët dhe si profeti Isa ose hazreti Isa nga myslimanët), disa nga hebrenjtë besuan se ky ishte shpëtimtari. Ata më vonë u quajtën të krishterë.
Kur u paraqit z. Isa Mustafa, si fitues i Prishtinës dy herë me radhë, shumë militantë e simpatizantë të LDK-së e panë atë si shpëtimtar të LDK-së. Mirëpo, pyetja është se nga çfarë duhet ta shpëtojë LDK-në z. Mustafa? LDK-ja nuk vuante vetëm nga rënia e popullaritetit të liderit të saj të mëparshëm z. Sejdiu. Ajo, si edhe partitë e tjera në Kosovë, vuan një sistem klientelist ku njerëzit nuk përparojnë në bazë të meritokracisë, por në bazë të marrëdhënieve patron-klient që mbizotërojnë jo vetëm brenda partive, por edhe në tërë shoqërinë kosovare. Andaj, puna e vështirë sapo ka filluar për z. Mustafa. Dhe ajo nënkupton instalimin e një demokracie të mirëfilltë brenda partisë.

Zgjedhjet nacionale

Ka edhe qytetarë që s’janë me LDK-në që e shohin z. Mustafa edhe si shpëtimtar të Kosovës. Të ngazëllyerit me Isën nuk harxhojnë asnjë sekondë për të kontrolluar rekordin e tij të menaxhimit të Komunës Prishtinës. Dhe, janë të prirë të mendojnë se ai mund t’i fitojë zgjedhjet e përgjithshme me LDK-në.
Mirëpo, afati i shkurtër nga zgjedhja e tij në krye të partisë deri te zgjedhjet e përgjithshme nuk e garanton një gjë të tillë. Qasja jokonfrontuese e z. Mustafës dhe pritja deri në momentin e fundit për kandidim për kryetar të partisë ka ulur pak entuziazmin për të. Pritja e tij e gjatë mund të jetë vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve.

Kthimi nga vetvetja

Kjo qasje i vë në dyshim edhe pritjet se z. Mustafa mund të bëjë ndryshime të rëndësishme në LDK. Prandaj, nëse ai do të dëshmohet si shpëtimtar i LDK-së, ai duhet të fillojë të merret me të menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të dhjetorit 2010. Qysh në fillim të vitit 2011, duhet të fillojë një rishikim i statutit të LDK-së për të garantuar demokraci të brendshme. Si dhe duhet të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e reja brendapartiake. Nëse Isa dëshiron ta shpëtojë LDK-në, ajo parti nuk duhet të shkojë në zgjedhjet e ardhshme lokale pa një proces të mirëfilltë demokratik e meritokratik brendapartiak. Kjo mund të nënkuptojë që z. Mustafa duhet të heqë dorë nga qasja e tij jokonfrontuese.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Institutit Ballkanik të Politikave - IPOL. Pikëpamjet janë personale)

Publikuar: 09.11.2010 | 22:38
Lexuar: 587 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime