Dalja e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit do të shoqërohet me rritjen e kërkesës për Euro. Sipas ekspertëve kjo do të jetë një lloj trysnie për monedhën komëbtare, Lekun, duke çuar në zhvlerësimin e saj.
Vendimi i shumëpritur nga qytetarët shqiptarë për të lëvizur pa viza në zonën Schengen ka vënë prej kohësh në lëvizje autoritetet në Shqipëri. Nëpërmjet medieve, apo në takime të drejtëpërdrejta me qytetarët fushata sensibilizuese për të drejtat e detyrimet nga ky proces është në pikun e vet. Ndërkohë që ekspertët e ekonomisë kanë nisur nga kalkulimet se çfarë efektesh do të ketë liberalizmi i lëvizjes nga qytetarët shqiptarë drejt zonës Schengen të BE-së. Njëri prej problemeve që indetifikohet është zhvlerësimi i monedhës vendase, Lekut, si pasojë e një fluksi të konsiderueshëm qytetarësh që do të dalin nga Shqipëria në zbatim të vendimit për liberalizmin e vizave.
Për dr. Dr Zef Preçin, drejtor i Qëndrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, qytetarët duke lëvizur drejt vendeve të BE-së do të kenë me vete dhe sasi eurosh, sidomos ata që nuk kanë familjarë dhe të afër në destinacionet ku do të mbërrijnë.
Ky minimum parash lëviz nga paratë gjendje në ekonominë shqiptare.Në një farë mënyrë do të ketë një pakësim të ofertës për para brenda vendit. Kjo do të ndikojë në vlerësimin tim në momentin e parë dhe tek kërkesa konsumatore e brendshme. Niveli do të varet nga intensiteti i lëvizjes, dmth nga numri i njerëzve që do të dalin në momentin e parë. Ana tjetër është që në kushtet kur bashkëatdhetarët pritës nuk dërgojnë më para për në Shqipëri, kuptohet që kjo mund të krijojë një impakt të monedhës tonë kombëtare. Prurjet e emigracionit në këtë vit pritet të jenë gjysma e atyre të vitit 2008, pra të shkojnë në rreth 500 milion euro, thotë Preçi për DW.
Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfederatës së Industrive të Shqipërisë, Konfindustria, mendon se periudha kur Leku do të jetë nën trysninë e Euros pritet të zgjasë nga 6 deri në 12 muaj. Ai thotë se një fenomen i tillë është vënë re dhe në rastin e Maqedonisë dhe të Serbisë një vit më parë, ashtu sikundër dhe në Bullgari e Rumani në vitin 2001. Organizata e tij ka bërë propozime për institucionet shtetërore për amortizmin e efekteve negative nga luhatjet e pritshme në kursin e monedhës vendase. Në bazë të studimeve që janë bërë, në fazën e parë të zbatimit të vendimit për lëvizjen pa viza në zonën Schengen pritet që të dalin nga Shqipëria rreth 300 mijë qytetarë, thotë Buxhuku për DW.
Një shifër mjaft e natyrshme duke patur parasysh numrin mjaft të madh, mbi 1 milion emigrantë shqiptarë, të cilët ndodhen në vendet e BE-së. Efekti do të jetë që do të kemi një trysmi mbi monedhën vendase, Lekun, që do të thotë se institucionet shtetërore duhet të marrin masat përkatëse. Konfindustria duke qënë se kemi të bëjmë me fenomene objektive me të cilat çdo qeveri do të ndeshej, i ka propozuar institucioneve shtetërore që brenda vitit 2010 të kryente një amnisti fiskale që do të krijonte flukse hyrëse të Euros në ekonominë shqiptare që do të balanconin trysninë për zhvlerësimin e Lekut.
Një aktor i rëndësishëm në këtë aspekt, sipas Gjergj Buxhukut nga Konfederata e Industrive të Shqipërisë, është banka qëndrore.Me rezervat e konsiderueshme që ajo ka në valutë, ajo duhet të ndikojë për të shmangur atë që konsiderohet si fenomen psikologjik për zhvlerësimin e monedhës vendore. Që të mos krijohen probleme shtesë për ekonominë shqiptare, thotë Buxhuku për DW.