Në vitin 2005 ka pasur 113 aplikime për lëshim të shtetësisë së Maqedonisë në komunën e Strugës, ndërsa 25 persona kishin aplikuar për marrje të saj. Në vitin 2007 ky numër ka rënë në 41, ndërkaq numri i atyre që kanë kërkuar të marrin shtetësinë e Maqedonisë është rritur nga 25 sa ka qenë në vitin 2005, në 35 në vitin 2007
Struga në fluksin e ribashkimeve familjare
Nga viti në vit, në rajonin e Strugës po ngushtohet distanca midis numrit të atyre që kërkojnë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë dhe atyre që e lënë atë. Vetëm para disa viteve kjo diferencë ka qenë mjaftë e madhe në favor të atyre që lënë shtetësinë e Maqedonisë, duke marrë shtetësinë e vendeve të tjera të Europës, Amerikës e Australisë. Kështu, në vitin 2005 ka pasur 113 aplikime për lëshim të shtetësisë së Maqedonisë në komunën e Strugës, ndërsa 25 persona kishin aplikuar për marrje te saj. Një vit më vonë, në vitin 2006 nga Struga e rrethina ka pasur 81 kërkesa për lënie të shtetësisë së Maqedonisë, ndërkaq vetëm 37 qytetarë kanë aplikuar për marrje të shtetësisë që të parët kishin kërkuar ta lënë. Ndërkaq, ndryshon raporti në vitin 2007 kur ka pasur një rënie të numrit atyre që kërkojnë për të lënë shtetësinë e Maqedonisë në krahasim me ata që duan ta kenë atë. Gjatë vitit 2007 ka pasur vetëm 41 aplikime për të lënë shtetësinë e Maqedonisë, ndërkaq 35 janë ata që kanë kërkuar të marrin këtë shtetësi. Pra, derisa në vitin 2005 ka patur 113 kërkesa për lënie të shtetësisë, në vitin 2007 ky numër ka rënë në 41, ndërkaq numri i atyre që kanë kërkuar të marrin shtetësinë e Maqedonisë është rritur nga 25 sa ka qenë në vitin 2005, në 35 në vitin 2007.
Njohësit e kësaj problematike theksojnë se këto zhvillime janë ndikuar nga disa faktorë. Kështu, ata thonë se një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë që ka kohë që kanë marrë shtetësinë amerikane, pas vitit 1990 kanë aplikuar për marrjen e shtetësisë së Maqedonisë. Ndërsa, situata paraqitet ndryshe me mërgimtarët tanë në vendet e Europës perëndimore, sidomos pas vitit 1990 kur një numër i konsiderueshëm i tyre filloi të heqë dorë nga shtetësia e Maqedonisë, për të marrë shtetësinë e vendeve përkatëse ku ata jetojnë dhe qëndrojnë përkohësisht. Ky zhvillim është ndikuar nga nevoja e bashkimit të familjeve argumentojnë bashkatdhetarët, të cilët deri në këtë periudhë familjet e tyre i kishin në vendlindje. Ndërsa, tendenca e shpeshtë e aplikimit gjithnjë e më të madh të atyre që njëherë kishin hequr dorë nga shtetësia e Maqedonisë, për ta rifituar atë, shpjegohet me faktin që mundësitë për të marrë shtetësinë në vendet tjera europiane, janë gjithnjë e më të vogla, ndërsa rol këtu luajnë edhe faktorë të shumtë psikologjikë që lidhen me pikëpamjet që kanë për këtë çështje brezat e ndryshëm. Kështu, më insistues për të rikthyer shtetësinë janë gjeneratat e vjetra të mërgimtarëve tanë, të cilët tanimë po pensionohen dhe më shumë preferojnë që të kthehen në vendlindjen e tyre.
Përndryshe, kur flasim për lëshimin e shtetësisë së Maqedonisë, pjesa dërmuese e aplikuesve këtë shtetësi e zëvendësojnë me atë të Austrisë, por gjithsesi ka edhe të tillë që këtë gjë e bëjnë që të bëhen shtetas të vendeve si Gjermania, Zvicra, Italia, Sllovenia etj. Ndërsa, siç thuhet rreth 80 përqind të aplikuesve për të hequr dorë nga shtetësia e Maqedonisë, gjatë kësaj periudhe kohore kanë qenë shqiptarët. Pjesa më e madhe tyre janë nga vendbanimet më të mëdha shqiptare të rajonit të Strugës.
Femi Arifi