Milani kalon me sukses pengesën Palermo (3-1) dhe e sheh veten në krye të kampionatit italian edhe falë dhuratës së Çezenës që mundi Lacion.
Në San Siro skuadra kuqezi gjeti golin në minutën e 19-të me Paton, i cili kërceu mbi të gjithë pas një goditjeje nga këndi dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë. Miqtë nga Palermo reaguan në të 63-tën me sllovenin Baçinoviç, i cili mposhti Abiatin me një gjuajtje nga jashtë zone.
Por gëzimi i Palermos nuk zgjati shumë, pasi vendasit mbyllën llogaritë brenda gjashtë minutave: në të 77-tën Ibrahimoviç shndërron në gol një penallti të fituar nga Ambrozini, dhe në minutën e 83-të Robinjo, i futur në vend të Inzagit të dëmtuar, gjen golin e tretë pas asistit të Ibrës.
Suksesi i sotëm i ngjit kuqezinjtë në krye të Serisë A pas javës së 11-të me 23 pikë, duke lënë pas Lacion me një më pak. Skuadra kryeqytetase pësoi disfatë në fushën e Çezenës, e cila gjeti golin e fitores me anë të Parolos pesë minuta nga fundi.
Seria A, java e 11-të:
Milan 3 - 1 Palermo
Roma 3 - 2 Fiorentina
Breshia 1 - 1 Juventus
Kaljari 0 - 1 Napoli
Katania 1 - 0 Udineze
Çezena 1 - 0 Lacio
Kievo 0 - 0 Bari
Xhenova 1 - 0 Bolonja
Leçe 1 - 1 Inter