Kandidatja i ka shfrytëzuar nga arkivi i Bibliotekës së Tiranës të gjitha materialet e botuara në gazetën Drita përkitazi me këtë çështje dhe ka bërë një përmbledhje të shkoqitur të polemikave të asaj kohe, objekt kryesor i të cilave ka qenë vetë Shekulli im.
Asistentja e Fakultetit Filologjik të USHT-së, Programi studimor, Gjuhë dhe letërsi shqipe, Vjollca Berisha, ditë në parë, në Amfiteatrin e rektoratit të USHT-së, mbrotji me sukses të shkëlqyeshëm temën e magjistraturës, përpara komisionit në përbërje, Prof. dr. Luljeta Isaku kryetare, Prof. dr. Agim Vinca mentor dhe Doc. dr. Ejup Ajdini anëtarë.
Tema e magjistraturës së kandidates Vjollcë Berisha ishte Vëllimi Shekulli im i Kadaresë gjeneza e frymëzimit dhe modeli i ligjërimit, në të cilën ajo ka bërë një vështrim mbi veprën poetike Shekulli im të Ismail Kadaresë dhe të kontekstit letrar kur është shkruar kjo vepër. Kandidatja Vjollca Berisha, vlerëson se Shekulli im, është një libër i rëndësishëm për historinë e letërsisë shqipe, sidomos për historinë e zhvillimit të poezisë sonë bashkëkohore dhe të përsosjes së mjeteve të saj, mu për shkak të kohës kur u botua (1961) dhe elementeve novatore që solli ajo.
Punimi i magjistraturës Vëllimi Shekulli im i Kadaresë gjeneza e frymëzimit dhe modeli i ligjërimit, i kandidates, Vjollcë Berisha, është i ndarë në tre kapituj kryesorë, të cilët përkojnë me tri rrafshet kryesore të studimit të këtij vëllimi.
Kandidatja, fillimisht, me përpikëri të madhe shkencore e ka paraqitur gjendjen e poezisë shqipe gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, për ti kushtuar më pas rëndësi edhe debatit për traditën dhe novatorizmin në vitet 60, kur u diskutua për probleme kryesore të artit dhe të letërsisë, debat ky që mori përmasa të mëdha, duke u diskutuar jo vetëm në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të 11 korrikut 1961, por edhe në faqet e gazetës Drita.
Kandidatja i ka shfrytëzuar nga arkivi i Bibliotekës së Tiranës të gjitha materialet e botuara në gazetën Drita përkitazi me këtë çështje dhe ka bërë një përmbledhje të shkoqitur të polemikave të asaj kohe, objekt kryesor i të cilave ka qenë vetë Shekulli im.
Kandidatja, Vjollcë Berisha, një rëndësi të veçantë u ka kushtuar edhe faktorëve kryesorë që ndikuan në formësimin e kësaj vepre që bëri kthesë në vjershërimin bashkëkohor shqiptar. Në të së pari vihen në pah konceptet që kishte Kadareja për poezinë e re, që njëherë e përgjithmonë duhej të dilte nga skemat, nga figurat shabllone dhe nga gjuha shterpë, duke u afruar me jetën e njerëzve, me dëshirat, ëndrrat, madje me gjuhën e tyre.
Vjollcë Berisha, vlerëson se ndër faktorët që ndikuan në krijimin e kësaj vepre janë: historia kombëtare (ku Kadareja gjen shpesh strehim), përvoja e tij si student në qytetin e Moskës, folklori i pasur shqiptar, që ka shërbyer si motiv kryesor për shumë vepra të mëvonshme të Kadaresë, si dhe njohja e mirë e letërsisë botërore, sidomos asaj modernes dhe posaçërisht i avangardës ruse prej së cilës do të ndikohet shumë poeti i ri.
Pas mbrojtjes publike të punimit të saj, para një numri të madh të pranishmëve, Komisioni vlerësoi lartë punën e kandidates Vjollcë Berisha dhe i dha asaj titullin shkencor, Magjistre e Letërsisë shqipe.