Çdo qytetërim, tha për mediat drejtori i fondacionit Rumi, z. Seyed Amir Asghari, ka vulën e mendimit filozofik e shkencor të kohës. Çdo qytetërim ka të përbashkëta e dallime me të tjerët, bashkëkohës a pararendës, pikërisht falë qasjeve filozofike të ndryshme në hapësira e kohë të ndryshme.
Debati filozofik mes Lindjes dhe Perëndimit zbret edhe në Tiranë, duke ofruar një mundësi më shumë në forcimin e dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar në Shqipëri. Në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Filozofisë, dhe Vitit të Afrimit të Kulturave, shpallur nga UNESCO, fondacioni Rumi mblodhi dje filozofë, studiues, akademikë shqiptarë e nga vende të ndryshme të botës, përfshi edhe studiues nga Irani, për të diskutuar argumentin Filozofia dhe Shkenca në Kulturën Perëndimore dhe atë Lindore.
Referuan Prof. Dr. Shahram Pazouki, profesor i Institutit Iranian të Filozofisë dhe Prof. Dr. Gjergj Sinani, Përgjegjës i Departamentit të Filozofisë, Universiteti i Tiranës, akademiku Alfred Uçi, Prof. Dr. Muzafar Iqbal, kryetar i Institutit Kanadez për Islamin dhe Shkencën. Disa nga temat e diskutuara ishin: Filozofia dhe zhvillimet bashkëkohore; Mendimi Filozofik në Shqipëri; Filozofia dhe krizat e mjedisit; Parimet bazë të Filozofisë në kulturën perëndimore dhe atë lindore; Perceptimi Filozofik i Shkencës në Qytetërimin Modern, Kriza e Botës Moderne në këndvështrimin e filozofëve orientalë etj.
Çdo qytetërim, tha për mediat drejtori i fondacionit Rumi, z. Seyed Amir Asghari, ka vulën e mendimit filozofik e shkencor të kohës. Çdo qytetërim ka të përbashkëta e dallime me të tjerët, bashkëkohës a pararendës, pikërisht falë qasjeve filozofike të ndryshme në hapësira e kohë të ndryshme. Njohja e tyre i shërben respektimit të ndërsjelltë të vlerave që sjellin në histori, si dhe një bashkëveprimi sa më të frytshëm midis tyre.
Ndërsa prof. Gjergj Sinani nga universiteti i Tiranës nënvizoi mesazhin se ndryshimet në kulturë, në konceptet filozofike apo ato fetare nuk mund të nënkuptojnë, prodhojnë apo justifikojnë konflikte, përkundrazi, ato plotësojnë njëra-tjetrën, afrojnë më shumë me të vërtetën, duke e bërë botën më të larmishme dhe më interesante.