Një sindikatë pa fuqi të mjaftueshme presioni institucional, një gardë e tërë gazetarësh të paorganizuar, një opozitë me teke e huje nga më të ndryshmet, të gjitha këto së bashku nuk mund të krijojnë një zë të vetëm që do të përçante pakënaqësitë e qytetarëve
Si i lexojmë kritikat e Brukselit
Lindita SEJDIU
Pas publikimit të raportit të Komisionit Europian për Maqedoninë, reagimet priteshin të ndajnë në dysh vëmendjen e opinionit publik. Ndoshta, kjo është edhe normale, pasi që gjuha e përdorur në këtë raport, sikur linte hapësirë për komente e interpretime të natyrave të ndryshme. Por, ajo që lë shije të hidhur pas publikimit të këtij raporti, është qasja nonshalante e pushtetit kundrejt çështjeve të kritikuara në raport. Mospasja e një trysnie kritike mbi këtë lloj qasje dhe humbja e sensit bashkëpunues në kampin opozitar, ka bërë që koniunktura qeverisëse të ndihet komode. Edhe më keq është në taborin shqiptar.
Kjo ka bërë që edhe raporti i fundit i Komisionit Europian të mos ketë një kritikues të denjë në radhët e politikanëve shqiptarë. Këta të fundit, mandatin e fituar në zgjedhje, po e harxhojnë për çështje krejt të padobishme. Ndoshta, kjo është mënyra më e mirë për të ikur nga realiteti ekzistues, duke i bërë politikanët shqiptarë shtrembëruesit më të paskrupullt të vullnetit politik të zgjedhëseve të tyre. Fundja, asnjë votues shqiptar nuk ka votuar që të kemi këtë klimë acaruese ndërshqiptare dhe asnjëri prej tyre nuk e ka deleguar vullnetin e tij politik për këtë trajtë të çoroditur të raporteve, në mes të pushtetit dhe qytetarëve.
Prandaj, para se politikanët ta kenë dhënë mendimin e tyre për raportin e KE-së, do të duhej të jenë qytetarët ata të cilët, si gjithmonë janë detektuesit më të saktë të mangësive dhe nevojave. Këtu, mbase është edhe roli i shoqërisë civile, e cila duhet ta braktisë logjikën e marrjes me tema të mëdha dhe të zbret në një rrafsh më konkret të përceptimit të problemeve ditore. Pikërisht kjo shoqëri, do të duhej tia bëjë një ekspertizë më të thukt raportit të KE-së, duke e aktivizuar një gamë më të gjërë shtresash shoqërore në sigmatizimin e temave që lidhen drejtpërdrejtë me targetgrupet e goditura sociale, gjinore, etnike, fetare etj.
Europa, si një vizion konkret i popujve dhe civilizimeve, nuk do të pranojë lehtë në gjiun e saj qytetarët, të cilët nuk janë kritikë ndaj qeverive të tyre. Në Maqedoni, kemi shumë qytetarë të pakënaqur, mirëpo logu më i preferuar i pakënaqësive të tyre vazhdon të ngelë platforma para ndërtesës së qeverisë. Një sindikatë pa fuqi të mjaftueshme presioni institucional, një gardë e tërë gazetarësh të paorganizuar, një opozitë me teke e huje nga më të ndryshmet, të gjitha këto së bashku nuk mund të krijojnë një zë të vetëm që do të përçante pakënaqësitë e qytetarëve. Këta të fundit, nuk e kanë as pushtetin e tyre moral për të demonstruar pakënaqësi, për arsye se të gjithë ata që flasin në emër të tyre, mendojnë të vinë pamoralshëm në pushtet, duke i instrumentalizuar pakënaqësitë e tyre.
Deri në raportin e ardhshëm, që do të jepet pas një viti, klasa politike në Maqedoni do të ketë shanse nga më të ndryshmet për të përmirësuar, apo përkeqësuar gjendjen e vet. Por, ata që nuk kanë kohë të presin një vit janë pikërisht qytetarët, të cilëve u ngel të zgjedhin në mes të filozofisë së durimit dhe pakënaqësisë kolektive sociale, duke krijuar alternativën e vetme të trysnisë reale.