Ai është i qeshur dhe çapkën, me sy që të duket se flasin. I mbështjellë nga nostalgjia e fëmijërisë që ka kaluar në Shqipëri, Taulanti, balerini tashmë i famshëm shqiptar në Gjermani, rrëfen për jetën dhe suksesin që ka arritur.
Elife Kurteshi
Emri më i ri i listës së gjatë të artistëve shqiptarë, e që po i shkelin skenat më prestigjioze ndërkombëtare, është balerini Taulant Shehu. Nxënës në Akademinë e Baletit në Tiranë, e më pas student në shkollën më të rëndësishme franceze të baletit, të teatrit Superieure de Danse Cannes Rosella Hightower, balerini 22-vjeçar, ka spikatur që gjatë studimeve. Sipas disa koreografëve që e kanë drejtuar, Taulanti karakterizohet nga talenti dhe aftësia e madhe, por edhe nga një prezencë skenike që e bën të përshtatshëm për rolet e protagonistit. E, në fakt, me gjithë moshën e re, ka pasur role në Don Quixote dhe shumë të tjera. Ai është i qeshur dhe çapkën, me sy që të duket se flasin. I mbështjellë nga nostalgjia e fëmijërisë që ka kaluar në Shqipëri, Taulanti, balerini tashmë i famshëm shqiptar në Gjermani, rrëfen për jetën dhe suksesin që ka arritur.
Nuk dua të jem në qendër të vëmendjes të mediumeve me skandale të ndryshme. Dëshiroj të jem në qendër të vëmendjes me vallëzim kualitativ, andaj shumë rrallë jap intervista, ka thënë pas ftesës sonë për bisedë ekskluzive për lexuesit e Kosovares. Në fakt, destinacioni tij fillestar nuk ka qenë Gjermania. Pasi mbaroi shkollën akademike të baletit në Tiranë, vendosi të largohej drejt Francës, ku bëri një vit specializim në një nga shkollat më me emër Ecole Superieure de Danse Cannes Rosella Hightower dhe menjëherë pas kësaj eksperience iu ofrua një kontratë pune në Deutsche Oper am Rhein Düsseldorf. Dhe, kështu filloi rrugëtimi i karrierës së tij në Gjermani. Pas një viti të suksesshëm në qytetin Dortmund, vendosi të largohej pasi iu ofrua një kontratë më me vlerë nga ana profesionale. Tash fillon në teatrin Stadtheater Wiesbaden, ku i ofroi punë drejtori artistik Stephan Thos, koreograf mjaft i afirmuar në Gjermani.

Taulantit këtu do ti jepet mundësia të vazhdojë projektet e veta si balerin.
Nuk është lehtë të afirmohesh në vend të huaj Por, jo vetëm kaq, ai do të fillojë edhe si koreograf. Djaloshi thotë se nuk është lehtë të
afirmohesh në vend të huaj. Është dashur shumë punë e shumë mund që
të arrij në karrierë, tha ai. Por, theksoi se Gjermania është vend ku burokracia është fenomen jo shumë i theksuar, andaj për çdo kë, e edhe për të huaj, me punë dhe vullnet mund të arrihet shumë. Bisedën e vazhduam me pyetjen se a ka thënë ndonjëherë "Stop, u lodha!".
I befasua nga kjo pyetje, thotë se një gjë që e bën me zemër nuk të bënë të ndihesh i lodhur. Kur në punë kërkoj atë që dua e nuk e gjej dot, atëherë ndodh të lodhem, por asnjëherë nuk them: Stop, u lodha!. Si do e lejonte veten të thotë stop, kur gjatë këtyre viteve pune si balerin ka kërcyer në shumë shfaqje, aktivitete dhe skena në gjithë botën, të rëndësishme për karrierën e tij, gjithnjë duke bërë përzgjedhje interesante për publikun. Ai vetë do i spikasë shfaqjet Don Quixote, si dhe La Cathedrale de Paris, ku edhe ka qenë solist i parë. Më pas ishte i angazhuar edhe në Kanë të Francës, ku kishte fatin të kërcej si solist Allegro Brilliant, të koreografit të madh George Balanchine Coppelia. Pas gjithë kësaj, Taulanti është i gëzuar që ka marrë këtë drejtim.
Rastësisht në skenë Duke qeshur thotë se hyrja në botën e artit ka qenë e rastësishme. Iu dha mundësia të konkurrojë për shkollën e baletit dhe, kështu, me kalimin e viteve, dëshira për baletin iu rrit
gradualisht. Është e vërtetë që në Gjermani kultura dhe, në veçanti baleti, është një fushë shumë e dashur për publikun dhe detyrimisht edhe niveli është shumë i lartë. Është pikërisht ky sekreti që djaloshi 22 - vjeçar bën të punojë vazhdimisht në të mirë të ngritjes së vetvetes.