E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Sigurisht që është e vështirë pa Ramushin në Kosovë, e ka të vështirë Kosova, proceset nëpër të cilat po kalojmë, unë, fëmijët e gjithë familja, prindërit e Ramushit, prindërit e mi dhe populli i Kosovës.
Vėshtirė pa Ramushin




“Kosova Sot”: Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, tashmë disa muaj ndodhet në Hagë. A mund të na thoni se si e përballoni ju si bashkëshorte e tij mungesën e Haradinajt?

Anita Haradinaj: Sigurisht që është e vështirë pa Ramushin në Kosovë, e ka të vështirë Kosova, proceset nëpër të cilat po kalojmë, unë, fëmijët e gjithë familja, prindërit e Ramushit, prindërit e mi dhe populli i Kosovës. Nuk e kam menduar që do të përsëritet edhe njëherë e gjithë kjo histori, e kisha mbyllur në sirtarët e së kaluarës për ta kujtuar vetëm si një ëndërr të keqe, prandaj kësaj here ka qenë edhe më e vështirë, sepse jam ndier e mundur, e fyer dhe e tradhtuar. Kam qenë edhe fare e papërgatitur dhe në një situatë të jashtëzakonshme, kur dihet që jam dhe shtatzënë, pastaj tash edhe fëmijët janë më të rritur dhe e ndiejnë mungesën. Më shumë e kuptojnë që diçka ka ndodhur se Ramushi nuk po kthehet në shtëpi, nuk po e shohin çdo ditë. Bile, kur po e përcillja Konferencën Statusore në TV, Gjini më pyeti “Anitë, pse Ramushi është ulur aty dhe i ka vu dëgjueset në veshë”? Unë i thashë “është në orën e mësimit dhe po e dëgjon mësuesin si po i shpjegon mësimet”. D.m.th., ka të tilla situata që e bëjnë edhe më të mundimshme dhe më të rëndë gjendjen për ta përballuar.

Mungoi ndihma e Qeverisë për Ramushin

“Kosova Sot”: Sa mendoni se institucionet e vendit kanë dalë në përkrahje të Haradinajt, a është i kënaqur bashkëshorti juaj, por edhe ju me angazhimin e Qeverisë për të ndihmuar atë?


Anita Haradinaj: Jo, nuk e kanë ndihmuar në asnjë mënyrë apo formë të caktuar dhe në asnjë moment. Bile, e kanë shfrytëzuar maksimalisht hapësirën për t’i punuar pas shpine, në raste të caktuara për ta dëmtuar. Fundja me përkrahjen e Ramushit ata do ta kishin përkrahur Kosovën dhe luftën e pastër të UÇK-së dhe mbrojtjen e një populli të pafajshëm që fundja kanë mbrojtur truallin e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Do të kishin përkrahur vlerat dhe historinë e këtij kombi. Me vlera krijohet historia. E gjithë kjo le të mbetet në ndërgjegjen e lidershipit të Kosovës. Historia do ta tregojë të vërtetën. U mbetëm borxh vetëm qytetarëve të Kosovës t’i falënderoj për gjithë ndihmën dhe mbështetjen morale, psikike, emocionale dhe financiare.

“Kosova Sot”: Sa herë e keni vizituar deri tani bashkëshortin tuaj në Hagë, prej momentit kur është ndalur atje?

Anita Haradinaj: Tani shkoj më rrallë, çdo tre javë ngaqë e thashë që jam shtatzënë dhe kjo më ka kufizuar pak. Është e vështirë të udhëtosh në këtë gjendje.

“Kosova Sot”: Sa është në gjendje ta udhëheqë partinë e tij nga Haga, çfarë thotë Haradinaj lidhur me partinë, sa i përcjell ai zhvillimet politike?

Anita Haradinaj: Ramushi, jam e sigurt që i përcjell zhvillimet në Kosovë. Por, ai edhe të gjitha këto zhvillime që po ndodhin tani në Kosovë i ka parashikuar qysh kur ka ardhur në Kosovë për herë të parë pas Hagës. I ka përkujtuar shpesh opinionit se nga kush udhëhiqet Kosova. Po të kthehemi në retrospektivë dhe të analizojmë intervistat e tij, deklaratat e tij në media të gjitha përkojnë me zhvillimet e tanishme në vend. Sa i përket udhëheqjes së partisë nga Haga, AAK-ja ka një strukturë stabile dhe të qëndrueshme, të cilën Ramushi e ka ndërtuar aq mirë, sa edhe mund ta përballojë një situatë të tillë të cilës shumë shpejt besoj do t’i vijë fundi.

Fëmijët e kërkojnë babanë

“Kosova Sot”: A ju ndihmonte në punët e shtëpisë Haradinaj?


Anita Haradinaj: Për punët e shtëpisë unë kam një ndihmëse, e cila më ndihmon jashtëzakonisht shumë, Valbonën. Ka gjashtë vjet që është me ne dhe është bërë pjesëtare e familjes. Ndërkaq sa i përket Ramushit ne kemi bërë një marrëveshje (hahhah); unë kujdesem për fëmijët, Ramushi kujdeset për mua.

“Kosova Sot”: Sa u mungon babai fëmijëve?

Anita Haradinaj: E vërej që tani që janë rritur e kërkojnë shpesh. Ngaqë Gjini i adhuron ushtarët, i kam thënë që Ramushi ka shkuar në shkollë për t’u bërë ushtar.

“Kosova Sot”: Sa kohë kaloni në shtëpi me fëmijët tuaj?

Anita Haradinaj: Mundohem të kaloj shumë kohë dhe kaloj shumë, pothuajse sa herë që ata janë në shtëpi unë mundohem të jem aty, përpos nëse kam ndonjë takim pune apo edhe kur udhëtoj.

“Kosova Sot”: Të flasim pak për Anitën si nënë. Keni dy fëmijë dhe jeni në pritje të fëmijës së tretë. Sa kohë kaloni me fëmijët, kur dihet se jeni e angazhuar edhe si folëse në RTK?

Anita Haradinaj: Si nënë më kanë thënë shumë shpesh që jam shumë e përkushtuar dhe këtë mundohem ta bëj, sepse e kam thënë që do t’ju mbetëm borxh për gjithë jetën fëmijëve të mi që nuk i kam parë të rriten aq sa është dashur t’i shoh. Prandaj edhe mundohem të kompensoj gjithë atë kohë që na e ka marrë Haga dhe të jap maksimumin tim. Mundohem të koordinohem edhe me oraret e mija të punës me udhëtimet dhe të bëj çmos që kur ata janë në shtëpi të jem edhe unë.

Më rrallë në Gllogjan

“Kosova Sot”: Çfarë do të jetë, djalë apo vajzë fëmija i tretë, a është përcaktuar gjinia nga mjekët?


Anita Haradinaj: E kam një vajzë dhe një djalë, të dy si yje, si engjëj, si drita, prandaj fëmija i tretë është e rëndësishme të jetë shëndoshë dhe të shkojë gjithçka mirë.

“Kosova Sot”: Si është një ditë e Anitës?

Anita Haradinaj: Zgjohem në orën 8 të mëngjesit dhe fillojmë përgatitjet për shkollë dhe për kopsht, pastaj fillojnë punët dhe angazhimet siç ndodh zakonisht. Pasdite kemi orarin e mësimit, detyrave dhe aktiviteteve jashtëshkollore (kurseve). Gjërat e zakonshme me fëmijë. Në mbrëmje shkoj në RTK. Kur fëmijët flenë unë ose lexoj ose edhe shikoj TV. Mirë që janë fëmijët të bëjnë pak zhurmë, përndryshe edhe shtëpia është shumë e heshtur kur Ramushi nuk është aty.

“Kosova Sot”: Sa shpesh e vizitoni Glogjanin?

Anita Haradinaj: Tani që Ramushi nuk është këtu mundohem të shkoj më shpesh me fëmijët dhe ta plotësoj pak atë boshllëk, sepse edhe prindërit e Ramushit janë shumë të mërzitur. Por, tash që Gjini ka filluar shkollën, rruga që është në një gjendje jashtëzakonisht të keqe është bërë pak më e vështirë të shkoj.

Intervistoi: B. ZYBERI

Publikuar: 14.11.2010 | 09:49
Lexuar: 1275 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet
Teuta (10/05/2012 00:11:21) Anit me vjen shum keq ???po dhasht zoti qe nje dit te kthet ramushi dhe te deshmoj per pafajsin e tij dhe luften e paster qe eka ber ,ti dhe femijet te jeni per her pran ramushit

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime