E premtja mbrëma është dashur të ishte nata kur Linda Halimi, Nora Istrefi dhe reperi amerikan, që jeton në Kosovë, Big D, do të performonin këngën e tyre All mine, në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, në natën e dytë të festivalit Kënga magjike 2010.
Por treshja është përjashtuar nga festivali, edicioni XI i të cilit ka nisur të enjten. Vonesa 30-minutëshe në prova ka qenë arsyetimi që sipas tyre u ka dhënë drejtori i festivalit, Ardit Gjebrea për përjashtim nga gara. Por Linda e Nora kanë bindjen se ky nuk është shkaku kryesor.
Halimi ka pranuar se janë vonuar në provën e cila nuk ka qenë gjenerale.
Rrugës për në Tiranë për pak sa nuk kemi pasur aksident dhe jemi vonuar për 30 minuta. Kur kemi shkuar në Tiranë na kanë thënë se jemi diskualifikuar për shkak të vonesës, ka thënë Halimi.
E di që në kontratën që e kemi bërë me festivalin vonesa ndëshkohet. Mirëpo, vonesa jonë ka pasur arsyetim dhe në këto raste ka mundur të bëhej një përjashtim. Mirëpo, kjo vonesë është përdorur si arsye që ne të mos jemi në garë.
Linda thotë se arsyetimi i Gjebresë ka një tjetër të vërtetë prapa.
Sipas saj, kënga e tyre All Mine ditëve të fundit është bërë hit i madh si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duke hyrë në këngët favorite për të fituar.
Është e pakuptimtë të flasim tash për arsyet e diskualifikimit tonë. Ata na kanë dhënë si arsye këtë vonesë, mirëpo kjo nuk është arsyeja, ka thënë Linda. Këngëtarja kosovare ka bindjen se i ka kushtuar edhe deklarata që ajo ka dhënë në lidhje me Festivalin e Këngës në RTSH kur ka ngritur dyshimin se fituesi i festivalit që mbahet në dhjetor tashmë është përcaktuar.
Edhe ajo deklaratë që kam dhënë për festivalin në RTSH mund të ketë qenë arsyeja, ka thënë ajo.
Edhe kolegia e saj në këngën All Mine, Nora Istrefi, ka thënë se arsyetimi që është dhënë nga Gjebrea është banal pasi që vonesa nuk ka qenë për fajin e tyre.
Ne në Tiranë kemi mbërritur në orën 10, atëherë kur kanë nisur edhe provat. Mirëpo trafiku i dendur në Tiranë na ka vonuar plus 30 minuta të tjerë.
Kur kemi shkuar të Pallati i Kongreseve i kemi telefonuar Arditit dhe ai na ka thënë se ne thjesht jemi të larguar nga gara, ka thënë Nora. Ajo ka cituar e atë çka Gjebrea i ka dhënë si arsyetim nëpërmjet telefonit.
Nuk di çka tju them. Jeni vonuar dhe kjo është mosrespektim ndaj meje prandaj ju jeni të larguar nga gara, ka thënë Istrefi, duke cituar deklaratën e Gjebresë. Gazeta, të enjten, ka provuar të kontaktonte edhe me Ardit Gjebrenë, drejtor i festivalit Kënga Magjike, por kjo ka qenë e pamundur, pasi ai nuk është lajmëruar në telefon.
Por për Norën kjo nuk është ndonjë gjë e madhe.
Ky festival është privat dhe pronë e Arditit, prandaj ai bën çfarë të dojë. Ai nuk ka dashur të dëgjonte arsyetimin tonë as unë e as Linda nuk kemi tentuar për së dyti. Mirëpo, kjo tregon se ai nuk ka asnjë konsideratë për këngëtarët nga Kosova, ka thënë Istrefi, e cila nuk ka dashur të komentonte nëse do të marrë pjesë ose jo në edicionet e ardhshme të këtij festivali.
Kënga magjike do të përfundojë të shtunën me ndarjen e çmimeve. Në këtë festival marrin pjesë 56 këngëtarë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova.
Pjesëmarrësit nga Kosova në Kënga magjike 2010 janë Teuta Kurti, Albi Xhepa, Argjentina Ramosaj, Besart Halimi, Gresa Behluli, Shota Baraliu dhe Vesa Luma