Pritja e Ketit ka marrë fund. Tashmë froni britanik mund të quhet i saji dhe ajo vetë mund të konsiderohet monarkja e ardhshme e britanikëve.

Që nga momenti që mbretëresha e ardhshme britanike dhe princi Uilliam, trashëgimtari i fronit dhe djali i parë i princeshës Diana u takuan në vitin e parë të studimeve të larta, në vitin 2003, të gjithë në Britani prisnin që herët ose vonë kjo lidhje do të përfundonte me një fejesë dhe martesë. Tetë vjet më vonë ky moment ka arritur dhe parashikimet e shumicës së britanikëve janë bërë realitet. Në fakt, për Ketin e shkretë ka qenë një kohë relativisht e gjatë, sepse 8 vjet nuk janë pak në jetën e një vajze, për më tepë kur i dashuri i saj mund të konsiderohej si beqari më i gjuajtur i botës. Madje kjo kohë e gjatë kishte bërë që Ketit ti vinin nofkën Keti që rri në pritje, edhe pse gjatë gjithë këtyre viteve ajo ka qenë vajza që e ka shoqëruar princin në të gjitha rastet zyrtare dhe private ku ai ka marrë pjesë. Por në rastin e saj, shprehja: I duruari i fituari është më se e drejtë dhe durimi i vajzës së thjeshtë është shpërblyer. Tani ajo është duke u marrë me planet për ceremoninë e martesës, martesës së shumëndërruar që prej vitesh, e cila është planifikuar që të kryhet në pranverën, ose verën e ardhshme. Historia e çiftit është e gjatë. Ajo filloi në kohën kur të dy po ndiqnin Universitetin e Shën Andresë në Skoci. Në atë kohë, kur ata pëlqeheshin, ishin të paktë që mendonin se vajza që vinte nga një familje e thjeshtë, pra jo me gjak blu, siç e do sëra e një princi, do të bëhej e zgjedhura e tij e zemrës, e madje nusja e ardhshme e tij. Madje në një vend konservator si Anglia ishte pikërisht mungesa e gjakut blu në dejet e Ketit ajo që zgjoi edhe kritikat më të mëdha. Miss Middelton, e cila ka studiuar histori arti në vitet e para të lidhjes me princin, ka pasur dëshirë për vëmendjen e shtypit dhe për të qenë në qendër të vëmendjes në përgjithësi. Për herë të parë, paparacët e vunë re princin ndërsa ndiqte të dashurën e tij të re në një sfilatë mode, në të cilën Keti merrte pjesë për bamirësi. Në këtë shfaqje të parë, Keti ishte vajza që mbeti në vëmendjen e të gjithë audiencës, për shkak të shfaqjes së saj me një veshje shumë provokative. Ndoshta ky ishte momenti i shkëndijës së parë të princit Uilliam ndaj Ketit. Ky pasion i lindur befas dhe i fuqishëm bëri që çifti të bashkëjetonte që në vitin e dytë të studimeve, edhe pse në këtë periudhë ata i ruheshin shumë shfaqjes së bashku në publik dhe të paktë ishin ata që e dinin lidhjen dhe marrëdhënien e tyre. Më parë, Keti kishte pasur lidhje me një tjetër student dhe kjo ishte një lidhje e njohur nga të gjithë. Megjithatë askush nuk mund të thotë me siguri se cili është momenti kur të dy vendosën që të ishin me të vërtetë bashkë, por mendohet se kjo periudhë qartësie daton vitin 2003. Në këtë vit të paktën romanca e tyre u ekspozua dhe u bë publike dhe kjo ndodhi pasi të dy ishin fotografuar së bashku në një resort skish në Klosters në mars të vitit 2004.
Por ndërsa u shfaq për herë të parë në publik me Ketin, Uilliam në njëfarë mënyre paratha edhe vitet e gjata që Ketit i duhej të priste para se të ishte zyrtarisht gruaja e tij. Në një intervistë që i morën në ato ditë, Uilliam deklaroi se nuk kishte ndërmend që të martohej shpejt të paktën pa përfunduar studimet dhe specializimet, që do të thoshte se princi mund të vendoste të vinte kurorë vetëm në moshën 28, ose 30 vjeç. Një vit më pas Uilliam ishte ende i pavendosur në lidhje me marrëdhënien e tij me Ketin dhe madje mungesa e saj në martesën e Çarlsit me Kamilën në vitin 2005 ra shumë në sy. Por kjo gjë u korrigjua kur Uilliam u shfaq përkrah së dashurës në martesën e mikut të tij të ngushtë Hugh van Custem. Kjo ishte edhe hera e parë në të cilën çifti shfaqej në një event zyrtar së bashku. Menjëherë pas kësaj ngjarje familjet e të dy të rinjve u takuan për herë të parë së bashku në ceremoninë e diplomimit të të rinjve. Tani që studimet kishin marrë fund, do të kishte shumë raste kur ata do të shfaqeshin në publik dhe do tu jepnin zjarr thashethemeve për një fejesë të tyren të shpejtë. Dhe çifti nisi që të bënte një jetë të hapur bashkë, duke shkuar me pushime dhe duke bërë foto, të cilat bënë xhiron e botës dhe e kurorëzuan Ketin si mbretëreshën e ardhshme, e cila ishte vetëm në pritje të propozimit zyrtar të Uilliamit. Por ndoshta në këto momente media u bë shumë invazive dhe avokati i Ketit u kërkoi përfaqësuesve të medias që të ishin të kujdesshëm dhe ta linin rehat çiftin në privatësinë e tyre. Media bëri një pushim të shkurtër për të rifilluar zhurmën në vitin 2007, kur çifti pati një çarje dhe u përhapën fjalët për ndarjen e tij. Por duket se ishte një krizë që u zgjidh shumë shpejt, duke qenë se çifti u pa sërish bashkë në vitin 2008 në një pritje private të organizuar nga familja mbretërore, në të cilën merrte pjesë edhe Keti. Dhe në këto rrethana të gjitha lajmet për fejesën e çiftit morën zjarr. Megjithatë ende nuk kishte lajme zyrtare nga ana e familjes mbretërore dhe të gjitha spekulimet mbeteshin për një konfirmim.
Vetëm së fundi gjithçka është bërë zyrtare për çiftin e parë të Britanisë së Madhe dhe për vetë Ketin, e cila duhet të ndihet në qiellin e shtatë që pritja e saj ka marrë fund.