Liderja e Tea Party ka hapur portat e shtëpisë, duke nxjerrë në televizor jetën e saj private.

E bija kërcen, e ëma ulëret, kunata bënë thashetheme në internet. Familja më e njohur e Amerikës, që pretendon të ngjitet në Shtëpinë e Bardhë së shpejti, ka nisur të zbulojë të gjitha sekretet e saj në një realiti shou. Një mundësi e mirë kjo për spektatorët dhe zgjedhësit. Banda e Palinit, e udhëhequr nga 46-vjeçarja që do të prezantojë realiti shoun e parë televiziv ("Sarah Palin's Alaska"), është parë nga 5 milionë amerikanë. Ndërsa vajza Bristol kërcen në Dancing with the stars me një minifund shumë të shkurtër, e kunata, motra e djaloshit që la shtatzënë në lice Bristolin, flet keq për të gjithë. Të shkosh përtej politikës së Uashingtonit, për të treguar jetën e përditshme të një nëne në një familje normale, brenda në shtëpinë e saj. Ndoshta kësaj here liderja e Tea Party ka gjetur një mënyrë tjetër për të bërë për vete elektoratin pas suksesit në zgjedhjet e mesit të mandatit në fillim të nëntorit. Një mashtrim që funksionon gjithmonë, e që ku i dihet mund ta ndihmojë atë në garën drejt Shtëpisë së Bardhë.
Të paktën kjo është ajo që pret ish-guvernatorja e Alaskës, që dy ditë më parë hyri në shtëpitë e amerikanëve me episodin e parë të realiti shout të saj, Sarah Palin's Alaska, ngjarjet e të cilit zhvillohen në tokën e saj, në shtetin më të largët dhe më pak mikpritës të Amerikës, mes arinjve, qenve, shëtitjeve me kanoe dhe peshkimit të salmonëve. Ecje në mal dhe pastaj në shtëpi mes drekave në familjen e saj gjigante dhe përgatitjen e ëmbëlsirave për fëmijët. Me pak fjalë, jeta e një familje të zakonshme dhe normale të shtresës së mesme amerikane. I konceptuar si një lloj dokumentari turistik mbi bukuritë e Alaskës, ai është me siguri një reklamë gjigante e studiuar deri në detaje për të përmirësuar imazhin e gruas që u cilësua si dështake përkrah John McCain-it në zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë më 2008-n. Por, edhe pse është e vërtetë që Tea Party ka qenë triumfuesja e vërtetë e votës së nëntorit, kandidatët e mbështetur nga Sarah nuk shkuan edhe aq mirë.
E dinë mirë drejtuesit e Partisë Republikane, që prej javësh po studiojnë se si të ndalin vrapin e saj drejt Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë ajo vazhdon të ecë përpara. Sipas Forbes, kjo 'Grizzlie Mum', me 40 vitet e saj mbi shpinë, buzëqeshjen e bukur, syzet dhe kostumet gjithmonë elegante, fiton plot 10 milionë dollarë në vit. Së shpejti do të publikojë një libër të dytë, që pa dalë mendohet se do të jetë një bestseller, shpenzon rreth 100 mijë dollarë për një miting dhe çdo postim i saj në Twitter lexohet nga miliona amerikanë. Por le të rikthehemi te realiti shou i saj. TLC, televizioni kabllor që ka prodhuar emisionin, ka harxhuar rreth 1.2 milionë dollarë për një episod të vetëm. Shumë shpejt do të krijohet edhe një blog ndëraktiv me emrin 'SpAlaska', ku çdo kush mund të shprehet lirshëm. Me pak fjalë Sarah është gjithmonë më shumë në mes të rrugës mes liderit politik dhe një popstari, që nga njëra anë bën para, nga tjetra përmirëson imazhin e saj.
Ku i dihet, ndoshta ky dokumentar Sarah Palin's Alaska do të bëhet në historinë e komunikimit politik si shembulli i parë i fushatës elektorale që kopjon modelin Big Brother. Kundër saj del pothuajse çdo ditë Karl Rove, ish-këshilltari i George W. Bush: Sigurisht që fakti se del në televizor duke peshkuar salmon, nuk do ta çojë në Shtëpinë e Bardhë, thotë ai. Por Sara nuk është e këtij mendimi. Në Fox News, ku ftohet vazhdimisht dhe është e superpaguar, replikon ashpër: A nuk ishte Ronald Reagan një aktor? Unë nuk jam protagoniste e një realiti shou, por jam dëshmitare e bukurive të Alaskës, bashkë me familjen time, sepse ajo është jeta ime e vërtetë. Në atë tokë është jeta ime. Pas disa muajsh do të shohim kush do të ketë të drejtë dhe do të shohim nëse republikanët e Amerikës do të zgjedhin atë për tu bërë Presidenti i 45 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Realiti shou
Duke nisur nga 14 nëntori e për tetë javë me radhë, Palin do të shfaqet çdo të diel në kanalin TLC, rol për të cilin do të marrë dy milionë dollarë. Në episodin e parë ajo tregohej teksa gatuante ëmbëlsira për fëmijët dhe kujdesej për arinjtë e vegjël në Alaskë që i konsideronte si një mrekulli natyrore.
Mendohet se plot pesë milionë amerikanë ndoqën episodin e parë të këtij dokumentari të veçantë. Edhe bashkëshorti i saj Tod ka pjesën e vet në këtë shou. Të dielën do të tregohet teksa ndërton bashkë me disa miq një barrierë në kopsht për të mbrojtur privatësinë e gruas nga një gazetar i bezdisshëm. Sarah Palin, personazhi që ka ndarë më dysh Amerikën, edhe kësaj here ka gjetur mënyrën për ti bërë të tjerët të flasin për të.
Sipas një sondazhi të fundit, rreth 52 për qind e amerikanëve e konsiderojnë këtë nismë të saj si të neveritshëm, ndërsa 40 të tjerë e adhurojnë për mënyrën se si kjo grua është ngjitur kaq shpejt dhe kaq lart në karrierën politike. Ata e shohin atë si mënyra e vetme për të arritur atë që nuk kanë. 65 për qind elektoratit të saj përbëhet nga gra të pashkolluara dhe pa respekt për vetveten, të mërzitura nga realiteti dhe problemet e përditshme.