Në Maqedoni ka kohë që etika profesionale është viktimë e interesave të ngushta ekonomike të bosave të medieve. Tek mediet shqipe, puna qëndron edhe më keq. Të pambrojtur (madje edhe të grushtuar nga politikanët), mediet shqipe sa herë që janë rrezikuar nga politika, nuk e kanë pasur një instrument adekuat që do ti mbronte ata
Liria e shtypit në Maqedoni me shumë pikëpyetje
Lindita SEJDIU
Gazetarët në Maqedoni, përpos që janë të ndarë mbi baza etnike dhe janë të kërcënuar, ashtu siç konstatonte edhe raporti i Komisionit Europian, ata punojnë edhe në kushte të një dezorientimi profesional. Për pushtetin, ky është një terren i përshtatshëm për të mbërthyer në darë opinionin publik, i cili kohët e fundit gjithnjë e më tepër po manipulohet. Ata zëra kritikë, që kanë kurajon ta kritikojnë qeverinë, e kanë vështirë të mbijetojnë, sepse gazdallarët e medieve, kanë lidhje të tërthorta, apo të drejtpërdrejta, me segmente të caktuara të politikës.
Por, sa janë vetë gazetarët imun, me punën e tyre dhe me organizimin e tyre, ndaj ndikimeve dhe shantazheve që vinë nga politika? Historia e shtypit pluralist në Maqedoni, është diçka më e vonshme, se vetë pluralizmi politik. Gazeta e parë private (Dnevnik) e ardhur në ambientin medial të Maqedonisë (1995), si një model i shtypit të lirë e të pavarur politikisht, krijoi parakushte për një ambient demokratik në punën profesionale të gazetarëve dhe në qëndrimin e medieve ndaj politikës.
Pak më vonë, një sprovë të tillë e bëri edhe gazeta e parë private në gjuhën shqipe (Fakti, 1998), duke e nxjerrë gazetarinë shqiptare nga skemat e informimit zyrtar dhe duke sjellë në vëmendjen e opinionit publik një qasje më të guximshme dhe më të paanshme për problemet e përditshme të njerëzve të thjeshtë, por edhe për raportet e politikës me opinionin publik.
Të arriturat e gazetarisë në vitet nëntëdhjeta u vunë në sprovë në fillim të viteve dy mijë, pikërisht atëherë kur mbi qiellin e Maqedonisë vinin re të zeza të një konflikti ndëretnik. Viti 2001, i njohur botërisht, si ngjarje që shënoi kthesë në zhvillimin e gjithanshëm shoqëror e politik të Maqedonisë, nuk ngeli pa u reflektuar edhe në punën e medieve. Ndarja etnike ishte evidente, por edhe frustrimet ishin të pashmangshme tek autorë të caktuar. Mirëpo, ajo çka ndodhi në disa hapësira ish- Jugosllave (sidomos BeH, Serbi...), ku mediet luajtën rol destruktiv në përhapjen e urrejtjes etnike, një praktikë e tillë nuk u reprizua në Maqedoni. Mediet, ndonëse të ndara etnikisht, ato nuk mbollën farën e urrejtjes dhe gjuha e përdorur nuk kishte modsurim etnik.
Sprovat, nëpër të cilat kaluan mediet në Maqedoni, asnjëherë nuk e morën shpagimin e merituar nga politika dhe nga shoqëria në përgjithësi. Përkundrazi, nga mediet në vazhdimësi është kërkuar një lojalitet i skajshëm. Fatkeqëisht në periudha e momente të caktuara, edhe mediet u bënë instrumente të politikës në pushtet. Në kushte të tilla, kur pavarësia ekonomike e medieve kushtëzon edhe pavarësinë editoriale, mediet e kanë vështirë të krijojnë linja të qarta që do të ndante interesin e biznesin nga etika profesionale.
Në Maqedoni, ka kohë që etika profesionale është viktimë e interesave të ngushta ekonomike të bosave të medieve. Tek mediet shqipe, puna qëndron edhe më keq. Të pambrojtur (madje edhe të grushtuar nga politikanët), mediet shqipe sa herë që janë rrezikuar nga politika, nuk e kanë pasur një instrument adekuat, që do ti mbrojtte ata.
Mungesa e solidaritetit brenda esnafit profesional, vrapi pas interesave të përkohshme, shpesh të lidhura me figura të dështuara politike, paqartësia totale në planin e konkurrencës në fushën e marketingut, të gjitha këto së bashku krijojnë një pejsazh të zymtë në statusin momental të medieve shqipe në Maqedoni.
A ka shtegdalje nga kjo situatë? Sigurisht se ka, por paraprakisht duhet krijuar një ambient më të shëndosh të punës, duke sjellur praktikat më të avancuara të bashkëpunimit në mes të medieve, por edhe duke krijuar një shoqatë dinjitoze gazetarësh, e cila do ti mbronte mediet nga trysnitë dhe shantazhet që vinë nga politika.