Të thuash Belluci në Itali është njësoj si të thuash bella. Ndërkohë, Monica prej vitesh ka vendosur ta bëjë Francën atdheun e saj të dytë, vendin ku jeton dhe ka ngritur familjen.
Nuk jam ndjerë kurrë më rehat nën lëkurën time se tani që jam 46 vjeçe. Kështu shprehet njëra nga ikonat e kinematografisë europiane, italo-francezja me linja të rrumbullta e ëndërrimtare, Monica Belluci. Ajo konsiderohet si një ndër gratë më seksi në botë dhe është vërtet e tillë, të paktën këto ditë: e relaksuar dhe e qetë. Edhe pse nuk është shumë e famshme jashtë Italisë dhe Francës, Monica është shumë e njohur në këto dy vende dhe gëzon tashmë statusin e një ikone.
Por është një ikonë shumë mesdhetare që nuk i ngjan nga dukja aspak femrave tejet të holla të Hollivudit, madje edhe atyre të vetë kinemasë franceze. Për ata që nuk jetojnë në dy vendet e sipërpërmendura dhe që nuk kanë parë filma të tillë si ShootEm Up, Dracula, apo Matrix, Monica ka shumë mundësi që tu kujtohet nga reklamimi që i bëri për një kohë të gjatë buzëkuqit Dior, një fushatë që nisi në vitin 2006. Monica pa dyshim që ka buzët më të bukura në industrinë kinematografike dhe kjo ka bërë që Dior ta përzgjidhte për reklamën e tij pa e menduar dy herë. Me buzëkuqin anti-moshë të Dior, fytyra e Belluci-t u përhap në të katër anët e botës përmes reklamave të revistave, bilbordeve të mëdha të rrugëve dhe kudo. Po ashtu, sikundër kolegët e saj që kanë punuar me Dior, Charlise Theron dhe Sharon Stone, Belluci nuk është naive. Nuk do të doja kurrsesi që të isha sot 20 vjeçe. Më besoni, jam shumë më e lumtur tani, se në atë moshë.
Në jetë bën një rrugëtim përmes së cilit zbulon se kush je në të vërtetë, kush do të jesh dhe kush bëhesh në fund të fundit. Fillimi i rrugës është i vështirë, sepse e njohim shumë pak veten tonë dhe reagimin që sjellim te të tjerët, por me kalimin e kohës ky raport ndreqet e si pasojë edhe jeta e njerëzve rreth teje ndryshon, thotë Belluci. Tashmë është nëna e një vajze 4-vjeçare, Deva, e cila për momentin është prioriteti i saj kryesor në jetë. Ime bijë erdhi në moment perfekt për mua. Kur e mbajta për herë të parë në krahë, kisha bërë shumë gjëra në jetë, kisha pasur shumë përvoja me njerëz të ndryshëm, me punë, kisha udhëtuar dhe më në fund e ndjeja se ajo që më mungonte ishte familja dhe fëmija. Dhe Deva erdhi pikërisht ndërsa po i kërkoja Zotit një gjë të tillë, thotë Monica. Sipas saj, gjëja më e rëndësishme për një fëmijë është ti japësh kohë dhe cilësi në marrëdhënie.
Jam në një fazë të jetës sime kur nuk para më pëlqen që të dal shumë. Ndihem mirë brenda mureve të shtëpisë. Më janë mërzitur vendet kur rrethohesh vazhdimisht nga njerëz që pinë duhan, apo alkool. Nuk më intereson shumë që të shkoj nëpër premiera filmash apo nëpër mbrëmje gala. Thjesht tani e ndjej se duhet të jem me time bijë. Monica e pranon se ardhja e një fëmije të ndryshon jetën. Nuk kam vënë gjumë në sy dy vitet e para të jetës së Deva-s. E kam ushqyer me gji për 9 muaj dhe kam shijuar çdo moment të të qenit nënë. Nuk më bëjnë përshtypje sakrificat, sepse përmes tyre mëson se çfarë do të thotë të jesh nënë.
Ndërkaq ajo po kërkon një balancë mes jetës që ka lënë dhe asaj që do të vijë. Ndërsa bëhesh nënë, jo rrallë ndërmerr udhëtime mes Romës, Parisit e Nju Jorkut, por kjo nuk do të zgjasë shumë. Për një vit e bija do të shkojë në shkollë dhe asaj i duhet që të qëndrojë në një vend për një kohë të gjatë, apo edhe kur të shkëputet, ta bëjë këtë për një periudhë jo më të gjatë se 3 ditë.
Kjo sepse Monica do që të jetë gjatë gjithë kohës me të bijën 4-vjeçare. Tashmë ajo është një bukuroshe që flet frëngjisht dhe italisht njëherazi. Ajo është një fëmijë pa shumë pretendime dhe mund të ambientohet me çdo person të ri, thotë Monica. Ajo çka aktorja nuk ka dashur kurrë është që të jetojë në xhepin e bashkëshortit. Ai është gjithashtu aktor, një ndër më të njohurit në Francë dhe jashtë saj, në rolet e pakta që ka pasur në filma të tillë si Ocean 12. Por më shumë njihet për reklamimin e Renault Clio. Belluci dhe Vinsent Casel vunë kurorë në vitin 1999 dhe së bashku kanë marrë pjesë në disa filma si Lappatement, apo filmin e shumëdiskutuar Irriversible, në të cilin ajo ka luajtur edhe një skenë shumë të gjatë përdhunimi.

Vinsent është një baba i mrekullueshëm. Ne përpiqemi që të jemi bashkë sa më shpesh që të mundemi, por pjesën më të madhe të kohës e jetojmë të ndarë, sepse ose ai është me xhirime, ose jam unë larg shtëpisë për të njëjtën arsye. Ne jetojmë duke punuar për disa kohë e më pas marrim pushime si familje, që është edhe ana e mirë e biznesit tonë. Në intervista të tjera Monica është shprehur se kur e ka parë për herë të parë Vincent, nuk pati asnjë lloj interesi për të. Nuk e kuptuam që ishte një tërheqje që në fillim. Menduam se përkundrazi ishte një refuzim, por më pas patëm shansin që të njiheshim më mirë me njëri-tjetrin dhe tërheqja lindi për të vazhduar në dashuri. Personalisht mua më duket romantike që të mos jem gjatë gjithë kohës me njeriun që dua, sepse në të kundërt krijon një familjaritet të tepruar dhe e merr tjetrin për të mirëqenë.
Për sa i përket profesionit, Monica thotë se ka dashur gjithmonë të bëjë aktoren. Kur ishte e vogël, mahnitej pas aktoreve të bukura italiane, që bënë epokë në vitet 50, 60, 70 dhe ëndërronte një ditë të bëhej si ato. Por ndërkohë jetonte në një fshat të vogël në Umbria dhe fshati i saj ishte shumë larg nga vendet ku ndodhnin mrekullitë kinematografike. Në ato vite të hershme, rruga drejt kinemasë asaj i dukej po aq e pamundur sa edhe vetë vajtja në Hënë. Ndoshta, avokatia do të kishte qenë profesioni i duhur për një vajzë nga provinca, e cila donte të çante në jetë. Kur ishte në Universitetin e Peruxhias, një miku i saj e çoi në disa agjenci modelesh në Milano. Aty, kur e panë, e dalluan menjëherë që ishte e duhur për të vazhduar rrugën e modeles. Për Monica-n, ky ishte një moment i lumtur ikjeje nga një botë në një tjetër, në botën e ëndrrave. Kjo edhe pse fillimisht, modelingu asaj nuk i pëlqente si profesion, veçse ndërkohë i duheshin para për shkollën. Me kalimin e kohës nisa të udhëtoj shumë nëpër botë dhe kështu i lashë studimet. Kur sheh pas në të shkuarën, ajo mendon se avokatia do të kishte qenë shumë e mërzitshme për një tip si ajo.
Dikur mendonte se mund të punonte në një zyrë gjatë gjithë kohës, por më pas, kur nisi udhëtimet, e kuptoi me të vërtetë se çfarë donte të bënte. Nuk mund të vazhdoja punën dhe shkollën njëherazi dhe më duhej të bëja një zgjedhje, e falë saj jam sot këtu. Ajo ka qenë gjithnjë me shumë fat, sepse ndodhej në vendin e duhur, në kohën e duhur. Kështu një ditë të bukur, regjisori i famshëm italian, Dino Rizi, vë re një fotografi të saj dhe e merr Monica-n në filmin Vita Coi Figli. Dy vjet më pas, ishte Francis Ford Copola, ai që e shndërron në njërën prej nuseve nudo të Drakulës në filmin me të njëjtin emër. Ajo çka më pëlqen që të bëj janë filmat e fortë, me karaktere femrash interesante e plot emocion. Monica është shumë mirënjohëse ndaj fatit që ka pasur gjithmonë në jetë.
Ajo është ndër të paktat europiane që ka kontrata shumë të mira pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ndihet në shtëpi në Francë. Në fakt, Britania e Madhe e ka tërhequr gjithmonë shumë. Kam kaluar shumë kohë në Londër dhe ndihem e lirë në këtë vend. Aty askush nuk më njeh dhe më pëlqen që të shkoj në park me vajzën time, ose të bëj pazar me mikeshat e mia. Për sa i përket pushimeve, shijet e saj janë të thjeshta. Nuk preferon vendet e VIP-ave, por i pëlqen që të shëtisë në plazhe të zakonshme në praninë e njerëzve të zakonshëm. Por kjo aktore, pavarësisht gjithë jetës që bën sa në një vend në tjetrin, në thelb ndihet italiane. Unë jam shumë italiane në gjithçka. Vij nga një familje e madhe e fuqishme. Të gjithë kemi qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe na pëlqen që të takohemi shpesh e të kalojmë kohën së bashku. Dhe sigurisht, duke qenë italiane, është e kuptueshme edhe dashuria që kam për ushqimin. Më pëlqen të ha çdo lloj gjëje, por veçanërisht dhe natyrshëm jam e lidhur me ushqimin italian. Pjata ime e preferuar janë makaronat dhe djathi parmixhano.
Monica nuk ngjan fare me aktoret e Hollivudit, që e lënë veten të vdesin urie për hir të ruajtjes së linjave. Nëse më duhet të luaj ndonjë rol për të cilin kërkohet që të humbas peshë, atëherë ushqehem me peshk, mish, zarzavate dhe humbas menjëherë.
Por ka raste, kur roli më kërkon që të jem më e mbushur dhe më e plotë dhe mua më pëlqejnë shumë këto role. Nuk para më pëlqen sporti dhe palestrat dhe kur e vë re se jam mbushur më shumë se çduhet, atëherë vishem me të zeza dhe kështu nuk bie në sy. Për sa i takon sekreteve të bukurisë, Monica thotë se nuk ka asnjë syresh. Bukuria duhet të të burojë nga brenda. Nëse nuk ndihesh bukur në shpirt, nuk mund të rrezatosh. Është shumë e rëndësishme se si ndihesh. Nëse nuk ndihesh mirë, nuk mund të dukesh bukur dhe anasjelltas. Megjithatë, ajo thotë se është e fiksuar pas buzëkuqit. Ka një kuti plot me të tillë, në pjesën më të madhe me shkëlqyes që nuk kanë ngjyrë, por me raste ajo mund të vërë edhe ndonjë buzëkuq të kuq.
Monica vjen e dyta pas Angelina Jolie, për sa i përket volumit të buzëve dhe për të është shumë normale që një kujdes të veçantë të tregojë për buzët, për ruajtjen e tyre. Kam buzë të plota dhe ato shpesh më thahen e kanë nevojë të vazhdueshme për krem, apo buzëkuqe të veçanta. Buzët janë shumë të veçanta, sepse përmes tyre flet, komunikon, ha dhe puth. E si mund të mendojë ndryshe një qytetare e botës dhe njëherazi një italiane në thelb siç është Monica Belluci, një grua e bukur, që ndihet mirë nën lëkurën e saj të zeshkët e linjat e plota që mishërojnë më të mirën e bukurisë së femrës mesdhetare.