Policia e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kanë dëbuar të shtunën peshkopin Artemie për në Serbi.
Këtë e ka bërë të ditur edhe zëdhënësi i policisë së Kosovës Besim Hoti, sipas të cilit shumica e klerikëve të rebeluar serbë dolën nga manastiret vullnetarisht.
Ishte vetëm një përkrahës i Artemies, i cili i kishte rezistuar policisë, për të cilin Hoti tha se është ngritur një procedurë e rregullt policore, pasi ka penguar autoritetin në kryerjen e detyrës profesionale.
Sipas Hotit, Artemie është dëbuar nga pikëkalimi kufitar Bernjak, ndërsa vendimi mbi largimin e tij është marrë pasi ai nuk është lindur në Kosovë. Bashkë me Artemien ishin më shumë se 40 klerikë dhe një grup qytetarësh të përkrahur nga Millan Ivanovic.