Në muajin tetor, ai u dënua me pesë vjet burg, për humbjen e 5 miliardë eurove, të gjitha para të bankës. Në një intervistë të fundit, ky personazh sa intrigues, aq edhe interesant, shprehet se përkundër asaj që pretendon zyrtarisht, banka në të cilën ka punuar dinte ekzaktësisht gjithçka që po ndodhte dhe gjithçka që ai po bënte dhe se puna e tij ishte krejt e zakonshme, madje rutinë.
Kam qenë thjesht një ingranazh në makinën e madhe
Rasti i punonjësit të bankës franceze Societe Generale, Jerome Kerviel, u shndërrua në një simbol të së gjithë krizës financiare botërore, që nisi në vitin 2008. Në muajin tetor, ai u dënua me pesë vjet burg, për humbjen e 5 miliardë eurove, të gjitha para të bankës. Në një intervistë të fundit, ky personazh sa intrigues, aq edhe interesant, shprehet se përkundër asaj që pretendon zyrtarisht, banka në të cilën ka punuar dinte ekzaktësisht gjithçka që po ndodhte dhe gjithçka që ai po bënte dhe se puna e tij ishte krejt e zakonshme, madje rutinë.
Në fillim të tetorit, një gjykatë franceze iu dënoi me pesë vjet burg dhe iu urdhëroi që ti paguanit ish-punëdhënësit tuaj, bankës Societe Generale shumën prej 4.9 miliardë eurosh. Kjo është banka në të cilën ju keni punuar që nga viti 2000 deri në vitin 2008. Si reaguat ndaj këtij vendimi?
E shoh si një padrejtësi të madhe. U ndjeva si dikush që ishte goditur disa herë pas koke. Fillimisht me pesë vitet e burgut dhe më pas, edhe me një gjobë jashtëzakonisht të madhe dhe çka është më e rëndë, është fakti se nga kjo çështje, banka në të cilën punoja, doli tërësisht e pastër.
Me pagën tuaj aktuale, i takon që këtë shumë ta shlyeni vetëm pas 177 mijë vitesh punë. Ju aktualisht fitoni 2300 euro në muaj.
Gjykatësi thjesht vendosi që të adoptonte të njëjtën linjë gjykimi për këtë çështje, si ajo e avokatëve të bankës në të cilën unë punova. Njerëzit, sigurisht që përpiqeshin që të mbronin bankën dhe komunitetin financiar në Paris. Dhe për të mbrojtur gjithë këto institucione, duhet ta haja unë.
E përditshmja pariziene, Le Figaro, dha këtë përshkrim për ju në dhomën e gjykimit: Një njeri i vetmuar, që merr frymë thellë dhe në mënyrë të shpeshtë me kokën në duar. A u befasuat nga vendimi i gjykatës?
Ishte tërësisht i papritur. Në momentin e parë që e dëgjova u paralizova. Më shumë u shqetësova për mamanë time. E gjithë kjo histori e ka tronditur shumë. Dhe unë nuk e kuptoj vendimin i cili më fajëson vetëm mua, pa marra aspak parasysh sfondin që gjithçka u zhvillua në një kohë krize. Ne i paraqitën gjykatës provat tona, sipas të cilave, edhe shumë punonjës të tjerë banke kishin vepruar në të njëjtën mënyrë si unë dhe, mbi të gjitha, shefat e mi e dinin më së miri se çfarë isha duke bërë. Dhe në fund, banka doli e larë nga çdo lloj akuze.
Për sa i përket gjobës që iu është vënë, ajo është e njëjta shifër për të cilën u akuzuat se humbët me transaksionet tuaja në vitin 2008, kur punonit për bankën Societe Generale. Kurrë më parë, një bankë nuk ka humbur një sasi të tillë jashtëzakonisht të madhe parash, përmes një transaksioni në lidhje me çmimet e aksioneve.
Gjatë gjithë këtij procesi, unë nuk fitova para, nuk u pasurova personalisht dhe nuk kreva asnjë krim, apo mashtrim financiar. Doja vetëm që të isha një nëpunës i mirë dhe një nëpunës i mirë në një bankë është ai që gjeneron të ardhura për bankën. Unë isha thjesht një ingranazh i vogël, në makinerinë e madhe dhe tani del se jam personi i vetëm përgjegjës për të gjithë atë që ndodhi, madje edhe për vetë krizën financiare.
Në vitin 2005, ju u promovuat në pozitë në bankë. Si e arritët një gjë të tillë?
Unë jam specializuar për stoqet gjermane. Pas pak muajsh, mora pozicionin tim të parë te stoqet e Allianz, duke vënë bast te rënia e tregjeve. Fillimisht nuk dola mirë, por pas sulmeve në metronë e Londrës, në vitin 2005, stoqet ranë dhe banka nisi që të përfitonte nga transaksionet e mia.
Si reaguan shefat tuaj?
Kur fola me shefat e mi në lidhje me këtë situatë gjatë një dreke pune, kishte një atmosferë paqartësie. Si punonjës i ri i bankës, me vetëm gjashtë muaj punë, nuk mund të merrja pozicione të larta. Por falë punës sime, mora lëvdata dhe ato ma rritën hapësirën dhe lirinë për të vepruar dhe bërë spekulim të mëtejshme, madje me shifra deri në 5 milionë euro. Kjo është diçka tipike për botën shumë kontradiktore të tregtisë së stoqeve. Limitet e rrezikut po zgjeroheshin përditë. Shefat e dinin këtë, por nuk pata kurrë ndonjë paralajmërim.
Por edhe me shifrën 5 milionë, ju dukeshit i pangopur?
Ndërkohë, vazhdoja që të rrezikoja, pasi e vura re se shefat e mi do të më mbulonin për shkak të interesit të tyre personal dhe atij të bankës. Në fund të vitit 2006 bëra një transaksion me bursën gjermane, të cilin e shita për një përfitim prej 2 milionë eurosh në shkurt të vitit 2007. Që nga transaksioni im i parë i suksesshëm me stoqet e Allianz, asnjë nga shefat e mi nuk më kishte ndalur. Dhe në këtë periudhë isha duke bërë përfitime shumë të mëdha. Brenda tre vitesh, shefat e mi i rritën objektivat e mi me 1700 për qind. Ky fakt tregon se ata e dinin plotësisht se çfarë ishte duke ndodhur.
Dhe më pas, ju nisët që të kishit besim shumë të madh te vetja dhe të luanit me miliarda, në vend të milionave...
Nuk mendoj se më hyri vetja në qejf, apo pata ndonjë delir të madhështisë. Me ndihmën e shefave të mi u ndodha në një pozicion të tillë, që më nxiste të bëja vazhdimisht lojëra të rrezikshme dhe me shuma të mëdha parash. Në mars pashë se risqet që kishin të bënin me kreditë amerikane, kishin dalë jashtë kontrollit dhe në këtë situatë, vura bast se shumë shpejt, do të kishte një përmbysje. Isha aq i përfshirë dhe i intriguar nga ideja ime, saqë nisa të merresha me miliarda dollarë, madje 30 miliardë dollarë. Por mes marsit dhe korrikut, tregu i aksioneve pësoi rritje të lexueshme, çka më ekspozoi drejt humbjeve të mëdha madje deri në 2 miliardë. Banka i mbulonte vazhdimisht humbjet e mia. Dhe përditë paguante për humbjet e mia në tregun e aksioneve pa thënë gjë.
Kur erdhi ndryshimi i situatës?
Në korrik, tregu pati sulmin e parë të panikut dhe isha në gjendje që të fitoja 500 milionë euro. E megjithatë, isha i bindur se tregjet do të vazhdonin që të binin, ndaj iu riktheva idesë së 30 miliardëve. Nga agimi deri në muzg, do të qëndroja me sytë ngulur në ekranin në të cilin ndiqja transaksionet. Nuk vija më gjumë në sy dhe para përfundimit të vitit arrita që ti siguroja bankës një fitim prej 2.5 miliardë eurosh.
Ju punonit në të ashtuquajturën zonë tregtie Delta One, që merrej zakonisht me aksionet me risk të ulët në indekset e bursave europiane. Maksimumi i riskut të ekspozuar ishte 125 milionë. Si ka mundësi që ju përfunduat në miliarda për të luajtur dhe bërë transaksione?
Shefat e mi i kishin çaktivizuar sistemet e alertit. Nëse do të kisha dashur, mund të kisha investuar edhe 100 miliardë në një ditë të vetme. Shefat e mi hoqën të gjitha alertet nga kompjuteri im.
Megjithatë, juve ju kanë akuzuar për mashtrim dhe për thyerje të sigurisë. Ju vetë sinqerisht ndiheni i pafajshëm tërësisht?
Unë kam përdorur vetëm metoda që kanë ekzistuar gjithmonë në bankë dhe janë të gjitha metoda që i kam mësuar në këtë bankë. Nuk ka shpikur asgjë. Të gjithë vepronim njësoj.
A është e vërtetë që risku me të cilin ju operonit nuk e tërhoqi kurrë vëmendjen e shefave tuaj?
Jo.
A mund të na e përshkruani një ditë normale në bankë?
Në bankë shkoja gjithmonë para orës 7:00 të mëngjesit dhe shpesh largohesha prej andej në orën 10:00 të natës. Ishte një punë që e kisha pasion, që ishte me stres, kishte adrenalinë të lartë dhe kjo më bënte që të vazhdoja dhe tia dilja mbanë në pjesën më të madhe të rasteve, Shpesh nuk dilja fare as për të ngrënë, apo për të pirë një kafe.
Po si arrinit që të kishit një energji të tillë? Merrnit drogë?
Kurrë. Nuk e kam bërë një gjë të tillë. Për mua, puna ishte një pasion. Në ato kohë, kjo jetë virtuale më dukej jetë normale. E vetmja gjë së cilës i kushtoja vëmendje ishte kompjuteri im. Kur dilja jashtë, e merrja me vete.
Disa punonjës banke, që merren me transaksione të mëdha financiare, deklarojnë se roli i tyre i modelit është personazhi kryesor i filmit Wall Street, Gordon Gekko, financieri i paskrupullit, që interpretohet nga Majkëll Dagllas. A ka qenë ai gjithashtu edhe roli model për ju?
Absolutisht jo. Ka disa fraza nga ai film, të cilat ish-kolegët e mi ende i përdorin në vendet e tyre të punës. Mua më kujtohet vetëm një thënie e tij: Nëse ke nevojë për një shok, merr një qen. Fatkeqësisht, kjo ka të bëjë edhe me përvojën time negative.
Në skenat e fillimit të filmit Wall Street, paraja nuk fle kurrë, në vijim të filmit të sipërpërmendur, i njëjti personazh, Gordon Gekko del nga burgu pas tetë vitesh. Ishte dënuar për mashtrime financiare. Ashtu si edhe ju, edhe ai shkruan një libër në lidhje me botën e errët të mashtrimeve financiare dhe për hakmarrje nis që të bëjë sërish para, madje më shumë se sa kishte bërë më parë. A keni menduar ndonjëherë ju për tu hakmarrë?
Jo. Hakmarrja nuk ndihmon askënd. Unë kërkoj vetëm të vërtetën dhe marrjen e përgjegjësisë nga ata që kanë vepruar gabim.