TETOVË, 10 TETOR - Në amfiteatrin e rektoratit të USHT-së, me praninë e rektorit të USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti dhe kryetarit të Senatit të USHT-së, prof. dr. Lutfi Istrefi, profesori i anatomisë, prof. dr. Agim Vela, që njëkohësisht është edhe prorektor për arsim i USHT-së, zhvilloi ligjëratën e parë para studentëve të programit studimor të mjekësisë së përgjithshme. Ligjërata në fjalë shënon edhe zyrtarisht fillimin me punë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë.
Me fjalët Ky është një moment historik dhe ju studentë të nderuar keni nderin, njëkohësisht edhe përgjegjësinë, që jeni gjenerata e parë e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, dhe për këtë duhet të gjithë angazhohemi dhe të arrijmë rezultate iu drejtua studentëve, rektori i USHT-së.
Edhe kryetari i senatit të USHT-së, prof. dr. Lutfi Istrefi përshëndeti studentët duke i uruar një vit të mbarë dhe suksese.
Ligjërata e parë kishte të bëjë me lëndën e anatomisë si lënda bazike e studimeve të shkencave të mjekësisë. Ligjërues të kësaj lënde janë prof. dr. Agim Vela, prorektor për arsim dhe prof. dr. Sadi Bexheti, rektori i USHT-së.
Rikujtojmë se Fakulteti i Shkencave Mjekësore funksionon për herë të parë këtë vit akademik dhe se në vete përfshin 4 programe studimore të akredituara: Mjekësi e përgjithshme, stomatologji, farmaci dhe infermieri.