Njëfarë sodazhi që erdhi nga Sllovenia përpiqet të na bindë se pushtetin e ardhshëm, pas 12 dhjetorit 2010, do ta fitojnë pakicat serbe (të Kosovo-Metohisë) dhe PDK-ja.
Teki Dervishi
Njëfarë sondazhi që erdhi nga Sllovenia përpiqet të na bindë se pushtetin e ardhshëm, pas 12 dhjetorit 2010, do ta fitojnë pakicat serbe (të Kosovo-Metohisë) dhe PDK-ja. Kombinatorikat spekulative, që i nxjerr prej furre ICO-ja nëpër kanalet konspirative të spiunazhit të BE-së, njëherësh përpiqen të na bindin se PDK-AAK do të bëjnë koalicion për pushtetin e ardhshëm të Kosovës, sepse këto dy parti qenkan të gatshme të bëjnë koncesione të dhembshme në bisedimet e pritshme me Serbinë. Isa Musatafa, ndërkaq, nuk është fare lakonik, siç nuk duan ta lexojnë analistët dhe rivalët partiakë të LDK-së. Ai gati haptas paralajmëron se zgjedhjet e 12 dhjetorit nuk do të jenë të rregullta dhe se LDK-ja si të tilla nuk do ti pranojë! Thua ti se ky Isa Mustafa fare nuk qenka i informuar për sondazhet që LDK-në e nxjerrin fitimtare në zgjedhjet e 12 dhjetorit. LDK-ja do të fitojë po të donte Isa Mustafa, por Isa nuk do. Dëshiron tia lërë në dorë pataten e nxehtë PDK-së.
Shteti dhe pushteti i Kosovës, kemi thënë këtu, ka rënë për shkak të Rezolutës BE-Serbi. Fjalinë më lart mos ma llogaritni si përsëritje. Shteti dhe pushteti ka rënë vetëm që të vijnë në shtet dhe në pushet koniunktura të reja valide (kuislinge) që janë të gatshme dhe trimëresha për të biseduar me Serbinë (në anën e së cilës është EULEX-i, BE-ja). Cila parti politike do të dëshironte të merrte përgjegjësinë për tradhtinë e re që po i përgatitet Kosovës? BE-ja projekton kthimin e situatës së Kosovës në fund të vitit 1999, por këtë gjë nuk e do Serbia (edhe pse nuk e deklaron). Serbia është deklaruar publikisht dhe zyrtarisht se do zgjidhje të çështjes shqiptaro-serbe, (gjë që kosovarët e Ahtisarit e heshtin). Serbia do zgjidhjen e çështjes nacionale, e jo të hapësirave të ngushta në relacionin Prishtinë-Beograd. BE insiston histerisht të gjejë argatë kosovarë që do të pajtoheshin me faktorizimin politik juridik të Serbisë në Kosovë, dhe kështu ta pengojnë strategjinë e Rendit të Ri Botëror që është fokusuar në krijimin e shteteve të barabarta nacionale në Ballkan, për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen ballkanike. LDK-ja dhe PDK-ja nuk duan që të implikohen në politikën intrigante të BE-së, por nuk e kanë lehtë tu shmangen këtyre implikimeve, për shkak të dosjeve të EULEX-it. Zgjedhjet janë shansi më e mirë që LDK-PDK të dalin prej loje dhe kështu të mos bëhen shënjestër e shantazhit policor spiun të BE-së.
Të gjitha partitë e tjera (minorance) përveç PDK-LDK-së janë të gatshme të hyjnë në pazarllëqe për ta shitur Kosovën. Kjo është paaftësi dhe injorancë e tyre, sepse nuk mund ta kuptojnë se strategjitë (konspirative) ndërkombëtare tashmë janë diellandritur qartë: në Ballkan duhet të konstituohen shtete të barabarta nacionale, e vetmja mënyrë që të zgjidhjet çështja e ballkanike, siç thotë Tadiqi, çështja 150-vjeçare e konfliktit shqiptaro-serb. Pikërisht Tadiqi i hap letrat e dehura, e thotë: Më shumë e dua Serbinë se Evropën. Thotë: Nuk duhet të bisedojnë Prishtina e Beogradi, por shqiptarët e serbët (ai insiston se nuk ekziston kombi kosovar).
Krijimi i shtetit të Kosovës së Ahtisarit është projekt i BE-së dhe është në kundërshtim me të gjitha projektet shqiptare kontinuele historike për çlirimin dhe pavarësinë e shqiptarëve nga Serbia dhe Greqia. E rëndësishme është që projekti (pakoja) e Ahtisarit është në kundërshtim me platformën politike shekullore të Lëvizjes Çlirimtare Shqiptare qe 120 vjet. Për tre vjet pavarësi ahtisariane të BE-së, Serbia është kthyer komplet zyrtarisht në Kosovë (jo vetëm në Veri) dhe shteti i Kosovës realisht është shtet i pakicës shtetërore serbe, e jo i shumicës joshtetërore shqiptare. Them joshtetërore sepse vetë projektuesi i shtetit nuk e njeh shtetin e Kosovës në bazë të faktoritetit juridik, i cili nuk funksionon. Me një fjalë Kushtetuta e Ahtisarit nuk funksionin, dhe jo për shkak të shqiptarëve, po për shkak të pakicës serbe nën patronazhin e BE-së, e cila e ka sponsorizuar Pakon e Ahtisarit. Pra as për shkak të vetë Serbisë, e cila kurrë nuk e ka pranuar Pakon e Ahtisarit.
Një gjë duhet të dihet qartë: as LDK-ja më nuk është e rugoviste, as PDK-ja nuk është parti e dalë nga lufta (sepse këtë parti tash e ka në dorë shoqëria civile) dhe kjo vlen edhe për AAK-në ku baza e saj partiake tashmë është në periferi të vendosjes në këtë parti. Pra zgjedhjet e 12 dhjetorit janë një treg ku do të dalin në licitacion organizatat politike valide për ta penguar zgjidhjen definitive të çështjes së Kosovës, organizata që ende kujtojnë se zgjidhja e çështjes është vetëm pranimi dhe njohja e Kushtetutës së Ahtisarit, e cila tashmë nuk ka funksionuar qe tre vjet. Kosova është e okupuar nga BE-ja. Ata që do të vijnë në pushtetin e ardhshëm do të jenë vetëm instrumente ekzekutive të pushtetit perandorak të BE-së.