Nuk kalon asnjë ditë pa u përmendur emri i Xherdan Shaqiri në ndonjë gazetë, në ndonjë faqe të internetit apo në ndonjë forum të transfereve.
Ka kohë që xhevahiri i Baselit po vlerësohet si njëri prej talenteve më të mëdhenj në Evropë.
Së fundi portali "4-4-2" njoftoi se kampioni i Evropës, Interi është duke u interesuar për talentin e Baselit. Në këtë portal përmendeshin edhe skuadra të tjera të mëdha si Bayern Muenchen, Tottenham, Dortmund, Liverpool e Juventus.
Çmenduria për Shaqirin po vazhdon. Në Basel edhe më tutje po thonë: "Ne nuk kemi ofertë në tavolinë". Një interesim i Hamburgut kishte ekzistuar, por kjo ishte disa muaj më parë.
Në futbollin zviceran pyetja më interesante është: Kur do të transferohet Shaqiri, që në Basel ka kontratë deri në vitin 2014? Një transfer në janar duket i pamundur, por çdo gjë dërgon te një largim gjatë afatit kalimtar të verës.
Trajneri i Baselit, Thorsten Fink është mjaft rigoroz ndaj Shaqirit.
"Ashtu si po luan tash duhet të harrojë planet e tij për transferim jashtë. Çdo ditë 'x' persona ia rrahin krahun dhe i thonë se sa i fortë është. Por, për momentin ai nuk është aq i mirë", ka thënë Fink.
Falë golit të bukur kundër Anglisë në eliminatore për Evropianin 2012 dhe paraqitjes fenomenale në sfidën me Bayern Muenchenin në Ligën e Kampionëve, vlera e Shaqirit në treg është rritur nga 7.5 në mbi 11 milionë euro.
Fakti që agjentë joseriozë dhe të paautorizuar po e ofrojnë Shaqirin te klube të ndryshme është duke i shkaktuar problem mesfushorit.
Deri më tani për të drejtat e Shaqirit u përkujdes vëllai i tij Erdini. Ndërsa ai mbështetet edhe nga avokati e agjenti Wolgang Voege.
Ish-lojtari i Bundesligës gjermane Voege ka 20 vite që është në biznesin e futbollit dhe mbështet futbollistët si Tranquillo Barnetta, Pirmin Schwegler, Martin Petrov e Jakub Baszczykowski. Shaqiri së fundi ka marrë një numër të ri të celularit, për të mos u penguar vazhdimisht.
Ky sigurisht është një hap në rrugën e duhur. Pasi fjalët kritikuese të Finkut nuk janë pa arsye. Paraqitja e Shaqirit në ndeshjet e fundit ka pësuar rënie.
"Unë nuk duhet ta lavdëroj atë vazhdimisht. Shaqiri ka një potencial të madh, por duhet ta tregoj atë në mënyrë konstante", thotë Fink.
Mbetet për të shpresuar se fjalët për transferime nuk do të ndikojnë në kokën dhe lojën e Shaqirit. Nëse ai u shpëton këtyre, atëherë nuk do t'i qëndrojë asgjë në rrugë drejt një karriere të madhe.