Ka gatuar për shumë personazhe të famshme të kinemasë, muzikës dhe pasarelave. Nga Madona te Xhulia Roberts, japonezja Mayumi Nishimura i ka bërë të gjithë të ndihen mirë me recetat e saj mikrobiotike.

Teksa i shikon buzëqeshjen rrezatuese dhe lëkurën pa rrudha e plot jetë, edhe pse është 54 vjeçe, bindesh menjëherë se recetat e saj funksionojnë me të vërtetë. Mayumi Nishimura ka publikuar dhjetëra prej tyre në librin që sapo ka publikuar Mayumis kitchen: macrobiotic cooking for body and soul. Sipas shefes japoneze, një dietë e bazuar në drithëra integrale, fruta dhe perime forcon si fizikun ashtu edhe mendjen dhe është kura më e mirë e bukurisë që mund të ekzistojë. Nëse jeni akoma skeptikë pyesni Madonën, sepse Mayumi ka qenë kuzhinierja e saj personale nga viti 2001 deri në vitin 2008, apo Xhulia Robertsin për të cilën gatuan prej dy vjetësh. Pikërisht mbretëresha e popit, që duket sikur nuk plaket, ka shkruar parathënien e librit të Mayumi-t: Në shtatë vjet që ke jetuar dhe ke gatuar për ne, ushqimi yt fantastik më ka ndihmuar të jem më e lumtur, më e shëndetshme dhe më e balancuar nga trupi e mendja. Ndihem më mirë se 20 vjet më parë. Ja se çfarë tregon ajo për eksperiencën si kuzhiniere e yjeve të Hollivudit, por edhe si specialiste e kuzhinës.
Çfarë do të thotë për ju të kesh qenë kuzhiniere e Madonës?
Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme si për mua, ashtu edhe për karrierën time. Pa të ky libër nuk do të ishte publikuar kurrë. I jam me të vërtetë mirënjohëse.
Na thuaj të vërtetën, është një kliente e vështirë?
E vështirë është të gatuash për këdo. Në të vërtetë me Madonën ka qenë më e thjeshtë se me të tjerët. E kishte marrë që më parë dietën mikrobiotike dhe e dinte mirë se çfarë donte: të hante mirë për tu ndier mirë. Pastaj duke i shkuar pas në katër turne botërorë, jam bërë më kreative duke eksperimentuar receta të reja në bazë të ingredientëve që gjenim në vendet ku shkonim. Kjo më ka ndihmuar vërtet shumë me recetat e reja petit-macro.
Që do të thotë?
Do të thotë ti afrohesh mikrobiotikës me hapa të vegjël. Nuk duhet të konvertohesh menjëherë. Për shembull, mund ta nisësh duke blerë më shumë fruta dhe perime të sezonit, aq më tepër bio. Me librin tim dua të tregoj se të gatuash sipas mikrobiotikës nuk është fare e vështirë. Përkundrazi, është shumë e thjeshtë, sepse pjatat nuk janë vetëm të shëndetshme, por edhe shumë të shijshme.
Për recetat je frymëzuar edhe nga kuzhina italiane: cilat prej gatimeve të tyre janë mikrobiotike?
Lazanja e bërë me perime, picat dhe makaronat. Hudhra dhe vaji i ullirit janë dy ingredientë të dietës mesdhetare shumë të vlefshëm. Më mirë të mos përdoren patëllxhanët dhe të përdoren pak domate e speca djegës. Bëjnë të gjithë pjesë te familja solanacee dhe përmbajnë alkaloidë toksikë.
Cilat ushqime janë rreptësisht të ndaluara?
Nuk ekzistojnë ushqime të ndaluara. Për të qenë mirë duhet të hash në mënyrë të ekuilibruar. Problemet dalin kur e ekzagjeron. Edhe mishi dhe alkooli nuk janë aq të dëmshëm: varen nga sasia, nga shpeshtësia dhe mënyra se si i konsumojmë.
Çfarë mendojnë për mikrobiotikën dy fëmijët tuaj, Lisa dhe Norihiko, përkatësisht 26 dhe 22 vjeç?
Që të vegjël u duhet të hanin me detyrim atë që përgatisja unë. Për një periudhë kohe i çova të jetonin edhe në Alaskë, për të eksperimentuar nëse kjo dietë dhe filozofia e saj ishin të duhura edhe për të vegjlit.
Por fëmijët a nuk kanë nevojë për proteinat shtazore?
Jo, nuk janë të nevojshme. Edhe ato bimore, që rrjedhin nga drithërat integrale, nga bishtajat dhe algat, shërbejnë për zhvillimin e muskujve dhe kockave. Fëmijët e mi u rritën të shëndetshëm, por kur ishin të vegjël kanë shijuar edhe lloje të tjera kuzhinash. Tani Lisa i pëlqen shumë recetat e mia, sepse e ka kuptuar se nëse ha ushqime të tjera i dalin puçrra dhe i bëhet lëkura e butë.
Norihiko, duke qenë djalë, i kushton më pak rëndësi këtyre gjërave?
Por nëse ka ndonjë shqetësim fillon të hajë ashtu siç e kam mësuar dhe brenda një jave i kalon gjithçka. Libri im nis pikërisht me përshkrimin e një diete dezintoksikuese që duhet ndjekur për dhjetë ditë.
Pra mikrobiotika si dietë dhe ju si doktor?
Jo, unë jam vetëm një grua që gatuaj mirë për fëmijët e mi dhe në krahasim me të tjerët e ndiej veten me më shumë eksperiencë dhe e gatshme për të dhënë këshilla. Me pak fjalë një lloj guide.
Përse ky lloj ushqimi u pëlqen më shumë grave?
Sepse ne e ndiejmë më shumë raportin me natyrën dhe jemi prej kohësh më të kujdesshme se meshkujt për atë që hamë. Ju në libër shkruani se duhen eliminuar apo reduktuar në maksimum produktet e qumështit.
Sipas mjekëve janë të domosdoshme për të luftuar osteoporozën, sëmundjen që prek mbi të gjitha gratë?
Dhe që vazhdon të jetë i përhapur në Evropë e Amerikë, edhe pse prej kohësh gratë pinë rreth 1 litër qumësht në ditë? Si ka mundësi? Nuk ka prova shkencore që këto produkte të bëjnë mirë. Ndoshta pas asaj që thuhet fshihen të tjera interesa, për shembull tregtare.
Po ju si u afruat me mikrobiotikën?
Falë Jinn, ish-bashkëshortit tim, që 30 vjet më parë më dhuroi librin e George Ohsawa, teoricieni i parë i mikrobiotikës si stil jetese. Më magjepsi ideja e tij në fund: bota mund të jetë një vend paqësor nëse të gjithë njerëzit do të jetonin në mënyrë të shëndetshme. Nisa të ndiqja dietën e tij dhe pas dhjetë ditëve, trupi im filloi të ndryshonte: flija më mirë, kisha më shumë energji, lëkura ishte më e shndritshme. Kështu vendosa të studioj mikrobiotikë në Institutin Kushi në Boston. Dhe ja ku jam tani...
Për kë tjetër keni gatuar përveç Madonës dhe Xhulia Roberts?
Për Naomi Kampbell dhe Sindi Krefort.