Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, duke i përshëndetur të gjithë të pranishmit në këtë solemnitet, të gjithë shqiptarëve ua uroi festën e madhe, Ditën e Flamurit.
Sot në sheshin "Skenderbeu" u bë inaugurimi i objektit të USHT-së të Programeve studimore të dispersuara në Shkup. Në këtë solemnitet morën pjesë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, zëvendës-kryeministri i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ministra në Qeverinë e Maqedonisë, deputetë, përfaqësues të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, profesorë, studentë dhe qytetarë.
Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, duke i përshëndetur të gjithë të pranishmit në këtë solemnitet, të gjithë shqiptarëve ua uroi festën e madhe, Ditën e Flamurit.
"Me lejoni t'ju përshëndes në këtë manifestim për inaugurimin e objektit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, i cili nga dita e sotme do ta zhvillojë veprimtarinë arsimore dhe shkencore në Shkup", tha në fillim të fjalimit rektori Agron Reka.
Ai me këtë rast, në emër të stafit udhëheqës të Universitetit dhe ne emrin e tij personal iu falënderua të gjitha institucioneve dhe autoriteteve që u angazhuan për realizimin e këtij projekti madhor në interes të arsimit sipëror në gjuhën shqipe.
"Posaçërisht e falënderoj liderin e BDI-së Ali Ahmeti, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për avancimin e arsimit sipëror në vendin tonë. Më lejoni ta përshëndes zëvendës-kryeministrin e Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, zëvendës-ministren e Arsimit dhe Shkencës, Lindita Qazimi dhe të gjitha ata që kontribuuan për këtë aktivitet", tha rektori i USHT-së.
Përmes këtij disperzimi, siç tha Reka, USHT-ja synon të krijojë një imazh të ri dhe përkrah universiteteve të tjera pubklike në vendin tonë, t'i zbatojë në formë të mirëfilltë reformat mësimore dhe shkencore të parapara me Kartën e Bolonjës.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në fillim ua uroi të gjithë të pranishmive Festën e Flamurit kombëtar shqiptar dhe stafit akademik të USHT-së i dëshiroi punë të mbarë në godinën e re.
"Sot, ne po shënojmë dy ngjarje të mëdha, por në kohë të ndryshme, të dy këto ngjarje janë të lara me gjak, si ajo e 28 Nëntorit, apo e Nëntorit të Dytë të 1912, ashtu edhe e Universitetit Shtetëror të Tetovës. Aty ku bie gjaku për liri, as dielli nuk e than, as shiu nuk e lan, gjaku për liri është i shenjtë dhe i shtrenjtë", tha mes tjerash Ali Ahmeti.
Zëvendës-ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Lindita Qazimi, në fjalimin e saj tha se të prezantosh në evenimente, ku bëhet promovimi i të arriturave nga cilado fushë që vijnë ato, janë raste që zgjojnë ndjenjë kënaqësie.
"Këto janë çaste që të lënë mbresa të pashlyeshme në momente që ngjallin emocione. Kënaqësia shpirtërore është edhe më e madhe sidomos në momentet kur bëhet shpalosja e të arriturave që vijnë nga sfera e edukimit dhe arsimimit të të brezave të ri, moment ky që është faktor kyç në determinimin e një shoqërie dhe kombi, një mjedisi që don të jetë në hap me ato të arritura civilizuese dhe bashkëkohore të kohës", tha Qazimi.
Nga ana e rektorit të USHT-së Agron Reka, kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti iu nda mirënjohje për punën e tij që ka bërë në hapjen e godinës së re të studimeve të dispersuara në Shkup nga Univeriteti Shtetëror i Tetovës.
Ky objekt në hapësirat e tij përfshin një sipërfaqe prej 1.200 metra katrorë, ku veprimtarinë mësimore shkencore do ta ndjekin mbi 500 studentë, në Programin studimor të Administratës së Biznesit, të Fakultetit Juridik, drejtimet gjyqësor, gazetari dhe studime politike, si dhe të Fakultetit Filologjik, gjuhë angleze dhe gjuhë gjermane. Objekti disponon me nëntë salla mësimi, dy amfiteatro, një qendër kompjuterike, tetë kabinete, dy zyra administrative dhe disa të tjera për shërbime studentore, bibliotekë universitare dhe hapësira të tjera të nevojshme për veprimtarinë mësimore dhe administrative.
Për të gjitha këto, USHT-ja ka realizuar investime me vlerë më shumë se 20 milionë denarë