Së paku katër mijë ushtarë plotësues nevojiten për garantimin e sigurisë së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Afganistan, të caktuara për datën 20 gusht, deklaroi në Kabul sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Ja de Hop Shefer.
"Ato janë katër batalione të NATO-s", saktësoi Shefer në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin afgan, Hamid Karzai.
Karzai nga ana e tij theksoi se Afganistani asnjëherë më nuk do të jetë shtet-marionetë.
Ai pa cekur shembuj konkret, akuzoi disa nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar se janë përpjekur ta dobësojnë pushtetin e Qeverisë në Kabul.
Për momentin në Afganistan ndodhen 70 mijë ushtarë të huaj, ndërsa deri në fund të vitit pritet që SHBA-ja të dërgojë edhe 17 mijë.
Periudha e fushatës parazgjedhore dhe vetë zgjedhjet përputhen me përforcimin e tensionimeve në Afganistan. NATO që më herët ka kërkuar nga vendet e saj anëtare të dërgojnë forca plotësuese në Forcat ndërkombëtare për mbështetje të sigurisë në Afganistan (ISAF), por deri më tani asnjë vend, përveç Gjermanisë, nuk ka ndërmarrë angazhime konkrete në atë drejtim.
/mia/