"Vetëm Monicelli mund ta vriste Monicellin", thuhej në një nga artikujt e shumtë që i ka kushtuar shtypi italian regjisorit që u vetëvra në spitalin San Giovanni të Romës, më 29 nëntor. Kërceu nga kati i pestë i ballkonit të spitalit ku ishte shtruar për terapi. Ishte 95 vjeç dhe vuante nga kanceri.
Vetëvrasja e regjisorit Mario Monicelli është komentuar edhe si një deklaratë e fundit për lirinë në një jetë në anarki dhe në një vend ku eutanazia është akoma tabu
Krijuesi i "Lufta e madhe" (1959), Mario Monicelli, nuk jeton më. As funeral nuk do të ketë për të.
"Vetëm Monicelli mund ta vriste Monicellin", thuhej në një nga artikujt e shumtë që i ka kushtuar shtypi italian regjisorit që u vetëvra në spitalin San Giovanni të Romës, më 29 nëntor. Kërceu nga kati i pestë i ballkonit të spitalit ku ishte shtruar për terapi. Ishte 95 vjeç dhe vuante nga kanceri.
Një nga afërmit, i nipi, ka thënë se ceremonia e kremimit do të bëhet në mënyrë private, vetëm në prani të familjes e cila nuk e sheh të nevojshme që të bëjë një funeral "duke respektuar vullnetin e Mario Monicellit dhe të familjarëve".
"Nuk është fund tragjik, është një njeri që ka jetuar", thotë nipi, Niccolò Monicelli. "Më duket se mesazhe ka lënë mjaft, kujtojeni me filmat e tij."
E shoqja Chiara Rapaccini ëshë shprehur se spitali San Giovanni e ka ndihmuar të shoqin këtë vitin e fundit si askush tjetër. Gruaja nuk i ka shtyrë më tej zërat për një protestë të mundshme të sajën për faktin që trupi i regjisorit është lënë gjatë, i mbuluar me një çarçaf, nën shi, në pritje të mjekut ligjor. "Unë nuk e kam bërë një pohim të tillë, prandaj e vetmja gjë që do doja tani do ishte "të shpëtoja dinjitetin" e spitalit që e ka ndihmuar aq shumë."
Komuna e Viarexhos, vendi ku u lind më 16 maj 1915, shpalli zi për vdekjen e Monicellit dhe flamujt në gjithë ndërtesat publike u ulën në gjysmështizë.
Mario Monicelli, i biri i një kritiku teatri dhe gazetar, Tommaso Monicelli, studioi histori dhe filozofi në Pizë. E thoshte se nuk kishte bërë shkollë speciale për kinemanë, por besonte se gjithçka e kishte prej kulturës që kishte marrë në familje, nga i ati, nga vëllezërit e tij. "Kemi një "lloj" vizioni për realitetin që e kemi mësuar në familje", thoshte ai.
Debutoi në kinema në vitin 1932 me një film të shkurtër që e realizoi me Alberto Mondadorin, "Cuore rivelatore". I ndjekur nga metrazhi i mesëm pa zë "Djemtë e rrugës Pal".
Më 1937, me pseudonimin Michele Badiek, realizoi filmin e parë të gjatë "Pioggia d'estate" dhe takohet me Macarion dhe Totò-në, me Stenon, afrohet me rrethin e të majtës antifashiste. Më pas rekrutohet në kavaleri dhe merr pjesë në fushatat në Shqipëri dhe Afrikë.
Në vjeshtën e '43-shit, kthehet në Itali, heq uniformën, mbërrin në Romë, i bashkohet Rezistencës. Në kohën e Roma città aperta, kur po mbërrinte neorealizmi, Monicelli dhe Steno thirren nga producenti Carlo Ponti, për të realizuar më 1949 "Totò cerca casa". Filmi fitoi sukses të madh dhe hyri në histori si "një nga paroditë më të bukura të neorealizmit që janë realizuar ndonjëherë".
Me filmat "Vita da cani" dhe "Guardie e ladri" (vlerësuar në Kanë për interpretimin dhe skenarin më '51) lindin problemet me censurën, të cilës i mbijetoi edhe kryevepra e tij "Lufta e madhe".
Vitet gjashtëdhjetë, janë vitet e miqësisë me Dino Risin, të përplasjeve me Antonionin. Më 1968 prezanton Monica Vittin aktore komike te "La ragazza con la pistola"; Pietro Germi i beson realizimin e "Amici miei". Shumë i vlerësuar edhe në Amerikë, kandidohet tri herë për Oscar (përveç "I Soliti ignoti" kandidat për Filmi më i mirë i huaj, për skenarët e "I compagni" dhe "Casanova").
Monicelli realizoi pothuajse një film në vit: "Un borghese piccolo piccolo" (1977), "Il marchese del grillo" (1981) çmimi i regjisë në Festivalin e Berlinit, "Amici miei" II (1982), "Bertoldo, Bertoldino e Cacasenno" (1984), "Le due vite di Mattia Pascal" (1985), "Speriamo che sia femmina" (1986) fitues i dy David di Donatello, dhe një Nastro d'Argento, "La moglie ingenua e il marito malato" (1989), "Il male oscuro" (1990), "Rossini! Rossini!" (1991) vit kur fiton në Venecia Luanin e Artë për Karrierën, "Parenti serpenti" (1992), "Facciamo paradiso" (1995), "Panni Sporchi" (1999).
Në vitet 2000 angazhohet edhe për disa episode që janë një përgjigje aktualitetit politik: "Un altro mondo è possibile" (2001), "Lettere dalla Palestina" (2002) dhe "Firenze il nostro domani".
Më 2006 rikthehet në sheshin e xhirimit, 91-vjeçar, me gjithë vështirësitë e shumta të prodhimit të filmit "Le rose del deserto" i frymëzuar nga "Il deserto della Libia" të Mario Tobinos dhe "Guerra d'Albania" të Giancarlo Fuscos.
Të gjithë kanë kujtuar këto dy ditë angazhimin e tij në protestat për krizën financiare në kulturë, për kurajimin e të rinjve, po aq edhe kritikat që i ka bërë kinemasë së sotme italiane e cila s'është në gjendje të flasë për Italinë ashtu siç është.
Vetëvrasja e Monicellit është komentuar edhe si një deklaratë e fundit për lirinë në një jetë në anarki dhe në një vend ku eutanazia është akoma tabu. "Ai donte ta merrte vetë vendimin për gjithçka pikërisht në momentin e fundit, ashtu si në filmat e tij", komenton kritiku Paolo Mereghetti në Corriere della Sera.
"Jo gjithmonë ia vlen jeta për ta jetuar, nëse s'është më e vërtetë dhe dinjitoze nuk meriton të jetohet". Me këto fjalë e komentonte vetëvrasjen babai i Monicellit më 1946. Kurse ai vetë kishte thënë së fundi se "shpresa është një kurth i poshtër i shpikur nga padronët".
Dhe pastaj: "Lumturia e vërtetë është paqja me vetveten, dhe për ta pasur atë nuk është e nevojshme të tradhtosh natyrën e vetvetes."
Monicelli për komedinë italiane:
Commedia all'italiana, shumë e poshtëruar në fillim (...) ka qenë ajo që më shumë se çdo gjë tjetër, më shumë se letërsia, piktura, teatri etj., ka ndryshuar temperamentin e italianëve. Në ç'mënyrë? Duke i vënë në shënjestrën e së qeshurës gjithë tabutë, gjithë veset që kishin italianët, në veçanti mesdhetarët: virgjëria, tradhtia, krenaria, katolicizmi (...). Çdo herë që bëhej një film ishte një betejë. Ishte censura.
Kjo i ka ndihmuar italianët, për të qenë më të ndërgjegjshëm, për ta njohur më mirë veten e tyre duke qeshur me veten e tyre, ka ndryshuar shumë zakonet e tyre, dhe në njëfarë mënyre i ka ndihmuar për të qenë një popull i zhveshur nga sentimentalizmat e skajshme, nga tabutë, nga provincializmat, për të t'u bërë një popull i përparuar. Mbasandaj ndodhi që nga i përparuar u bë cinik. E pak më vonë... ja ku jemi."