Dita botërore e luftës kundër virusit vdekjeprurës HIV, që shkakton sëmundjen SIDA, e gjen Kosovën me 80 raste të raportuara që nga evidencimi i pacientit të parë me këtë virus në vitin 1986.
Dita botërore e luftës kundër virusit vdekjeprurës HIV, që shkakton sëmundjen SIDA, e gjen Kosovën me 80 raste të raportuara që nga evidencimi i pacientit të parë me këtë virus në vitin 1986.
Zyrtarët e institucioneve qeveritare, përgjegjëse për shëndetësinë në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e Fondit Global vlerësojnë se Kosova mbetet ende vendi me prevalencën më të ulët në rajon e më gjerë, sa u përket rasteve të infektimit me virusin HIV.
Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, thotë se rreth 30 për qind e rasteve të infektuara me HIV, të cilat janë shënuar në Kosovë, kanë përfunduar fatalisht.
Nuk ka ndonjë rritje alarmante. Megjithëkëtë, kjo nuk do të thotë se Kosova është vend i sigurt.
Deri më tash, në Kosovë janë raportuar 80 raste me HIV/AIDS, prej të cilave 27 kanë përfunduar me vdekje. Gjatë vitit të kaluar janë raportuar 6 raste të reja me HIV/AIDS, 5 prej të cilave kanë qenë të gjinisë mashkullore dhe një ka qenë femër.
Në bazë të trendit të rasteve të shënuara për çdo vit, llogaritet që Kosova, brenda vitit, ka 3 deri në 6 raste. Nuk ka ndonjë rritje alarmante. Megjithëkëtë, kjo nuk do të thotë se Kosova është vend i sigurt, sepse nga HIV-i, faktikisht, nuk është i sigurt asnjë vend në botë, e as Kosova në këtë mes, shprehet Hoti.
Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka bërë të ditur se gjatë këtij viti janë regjistruar pesë raste me virusin HIV në Kosovë. Kjo e fundit, tash e një vit, ka miratuar planin strategjik për luftimin e HIV/AIDS-it.
Sipas Faik Hotit, plani synon ti shfrytëzojë të gjitha mundësitë ekzistuese për ta mbajtur në nivel të ulët infeksionin me virusin vdekjeprurës.
Edhe Fondi Global, përmes një projekti, mbështet luftën kundër virusit HIV. Edona Deva, menaxhere e projektit, thotë se synohet parandalimi i infektimit të kategorive, sipas saj, më të rrezikuara të popullatës.
Në këtë grupim, sipas Devës, përfshihen përdoruesit e drogave injektuese, homoseksualët, punëtoret e seksit komercial, të burgosurit dhe të rinjtë e ekspozuar.