Për të treguar metamorfozën e tij nga aktor te regjisor, nga seks simbol te një baba dhe bashkëshort shembullor, Ben Affleck citon Danten. Ja cilat janë arsyet që ai sot e ndien veten një njeri më të mirë...
Është një rrugë e çuditshme ajo që Ben Affleck ka përshkuar në karrierën e tij kinematografike. Pasi fitoi në moshën 25-vjeçare një Oskar për skenarin e filmit Will hunting (të shkruar me mikun aventurier Matt Damon), diçka ka ndryshuar.
Tërheqës, inteligjent dhe i zgjuar, Affleck e ka gjetur shumë mirë veten në atë që ka zgjedhur të bëjë në jetë. Ai ka qenë protagonist i filmave të suksesshëm si Armageddon, Pearl Harbor, por edhe i dështimeve që mbajnë emrin Bounce, Jersey girl. Për një periudhë kohe ishte në qendër të vëmendjes, për shkak të lidhjeve me aktoren Gwyneth Paltrow dhe këngëtaren Jennifer Lopez e jo për filmat e tij. Pastaj gjërat ndryshuan. Në vitin 2004, gjatë xhirimeve të filmit Daredevil, u dashurua me protagonisten kryesore Jennifer Garner.
Çifti u martua në vitin 2005 dhe kanë dy vajza së bashku, Violet e Seraphina, duke u bërë kështu një nga çiftet më shembullore të Hollivudit. Jeta familjare dhe të qenët baba duhet ti kenë bërë mirë Ben, që ndërkohë ka ndaluar në një tjetër fushë, atë të regjisurës. Pas debutimit të tij si regjisor me Gone baby gone (2008), solli në ekran filmin policesk The town, ku është edhe protagonist. Ngjarjet e filmit zhvillohen në qytetin e tij të lindjes, Boston.
Filmi ishte në qendër të kritikës dhe publikut, për shkak të suksesit që në javët e para të daljes. Në film autori interpreton Doug, kreun e një bande kriminelësh. Gjatë një grabitje në bankë, dashurohet me drejtoreshën që merret peng (Rebecca Hall) e pas kësaj vendos të dalë nga grupi dhe të nisë një jetë të re. Por kjo sipërmarrje është shumë herë më e vështirë dhe më e rrezikshme se sa mendohej. Subjekti është marrë nga romani Prince of Thieves të Chuck Hogan, ndërsa The town është xhiruar në Charlestown, një lagje afër asaj ku Affleck është rritur.
Pas Will Hunting dhe Gone baby gone, sërish një film i xhiruar në Boston? Një rastësi, apo për dashuri ndaj qytetit tuaj të lindjes?
E adhuroj Bostonin, por në këtë rast ishte vërtet një koincidencë. Producentët më ofruan këtë film me kushtin që të isha në gjendja ta xhiroja me pak shpenzime. Historia ishte e bukur dhe unë kam kujtime të një jete plot vuajtje nga Charlestown. Ishte një mundësi e jashtëzakonshme për mua të bëja diçka reale, njerëzore dhe emocionuese në një ambient që e njoh mirë.
Është e vërtetë se në Charlestown ndodhin më shumë grabitje bankash se në çdo vend tjetër të botës?
Është e vërtetë, por kriminaliteti ekziston kudo edhe në lagjet plot shkëlqim të Los Anxhelosit, si për shembull në Beverli Hills. Fakti qëndron se nuk flitet shumë për të mos dëmtuar imazhin që zona të tilla kanë ndërtuar.
Çfarë lloj kërkimesh keni bërë për filmin?
Shkova të njihja nga afër ish-kriminelët e Charlestown, tashmë të liruar nga burgu. Dëgjova shumë histori. Shumë prej tyre u përfshinë edhe në xhirimet e filmit tim. Kishte më shumë kriminelë se aktorë në sheshin e xhirimeve. Kisha për synim ti jepja historisë një ton realist, larg melodramës apo gjërave artificiale. Producentët donin që të fusja skena aksion, plot adrenalinë, si ndjekje me makinë dhe vrasje. Unë e ndoqa këshillën e tyre, por me kushtin që drama njerëzore që doja të tregoja të qëndronte e plotë, për të reflektuar mbi konfliktet e klasave në Amerikë dhe se si gabimet e prindërve mund të ndiqen nga fëmijët.
Ka qenë e vështirë të bëjë regjisorin dhe protagonistin njëkohësisht?
Po, më është dashur shumë, shumë punë. Të gjithë të bëjnë pyetje pafund e ti duhet tu përgjigjesh. Pastaj mendova: nëse arrin ta bëjë Clint Eastwood, në këtë moshë që është, përse të mos e bëj edhe unë. Megjithatë po ju tregoj se do të më pëlqente të bëja vetëm regjisorin, por jam realist dhe e di mirë se ajo që shet, të paktën për momentin, është figura ime si aktor. Ja përse është e rëndësishme të marr pjesë edhe unë në filmat e mi.
Pas The town çfarë ju pret?
Pas pak kohësh do më shihni në The company man, një film disi serioz për krizën ekonomike. Tregon historinë e një viti në jetën e tre njerëzve, që përpiqen ti mbijetojnë një pushimi nga puna. Përkrah meje janë Kevin Costner dhe Tommy Lee Jones. Të mësuar me një stil të caktuar jetese, këtyre personazheve papritur u duhet të përballen me vështirësitë, ndonjëherë të paimagjinueshme të papunësisë. Ndërkohë jam duke nisur në Oklahoma xhirimet e filmit të ri të Terrence Malick, me Rachel McAdams.
Pra vazhdon të interpretosh edhe me regjisorë të tjerë?
Po, por vetëm në filma që më interesojnë vërtet. Fakti që kam familje dhe fëmijë më ka bërë mirë në të gjitha anët. Asnjëherë nuk kam qenë kaq i lumtur dhe kreativ sa tani.
Cilët filma ju kanë frymëzuar më shumë si regjisor?
Të gjithë filmat e Alfred Hitchcock: janë me të vërtetë kryevepra. Por më pëlqejnë edhe regjisorët e rinj, si Paul Thomas Anderson. Më tërheqin shumë edhe filmat e huaj që kanë një impakt të madh social. Sigurisht që do veçoja Gomorrën. Nuk lodhem së thëni se ka qenë një frymëzim i madh për mua të xhiroja The town. Me pak fjalë përpiqem të mësoj nga të gjithë.
Ju keni qenë një mbështetës i Presidentit Obama që nga fillimi. Pas dy vjetëve në krye të Shtëpisë së Bardhë jeni i kënaqur me punën e tij?
Besoj te Barak Obama dhe vazhdoj të mendoj se është një lider i jashtëzakonshëm. Por atij i është dashur të përballet me sfidat më të vështira të 40 viteve të fundit: konfliktet në Irak e Afganistan, kolapsin e ekonomisë, katastrofat ambientale. Pa marrë në konsideratë këtu pritshmërinë e ekzagjeruar që amerikanët, dhe jo vetëm ata, kanë për të. Në muajt e parë të presidencës së tij, Ajzenauer luante golf gjithë ditën: mendoni se çfarë i është dashur Obamës të bëjë që nga fillimi. Sigurisht nëse analizon çdo veprim, jo gjithçka ka qenë perfekte. Por jam ende i bindur se nuk kemi pasur kurrë kaq shumë dëshirë sa tani për një President si Obama. Amerika, Europa, Azia: të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe për tia dalë mbanë duhet të qëndrojmë të bashkuar. Unë jam optimist dhe kam besim te lideri ynë.
Ju thatë se gruaja dhe fëmijët ju kanë bërë më kreativ në jetë? Në çfarë mënyre?
Dante Aligeri thoshte se në moshën 35-vjeçare jemi në mesin e rrugës së jetës. Kishte të drejtë. E ndiej që jam pjekur, më intereson vetëm thelbi, ndihem i qetë dhe i qëndrueshëm ashtu si nuk kam qenë kurrë më parë. Për më tepër të kesh një grua të bukur e të mirëkuptueshme si Jennifer dhe dy vajza të adhurueshme më kanë bërë një njeri ndryshe dhe shumë herë më të mirë.