Në një intervistim publik të mbajtur në Fakultetin e Filologjisë për dy ditë rresht, studentët kandidatë për bursë i janë nënshtruar intervistës, sipas kritereve të parapara me konkurs. Ambasadori italian, Michael Giffoni gjatë vizitës në UP ka shprehur gatishmërinë e kësaj ambasade që për çdo vit të dërgohen në universitetet italiane nga dy studentë për studime master.
A. Kadriu
Ambasada e Italisë në Kosovë dhe shoqata italiane Rondine Citadella Della Pace, kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre për të ndihmuar të rinjtë kosovarë për shkollim posdiplomik në universitetet italiane. Përfaqësues të kësaj shoqate kanë intervistuar në Prishtinë kandidatët e paraqitur online në konkursin e publikuar në faqen elektronike të Universitetit të Prishtinës (UP) për të fituar bursë nga Rondine Citadella Della Pace.
Në një intervistim publik të mbajtur në Fakultetin e Filologjisë për dy ditë rresht, studentët kandidatë për bursë i janë nënshtruar intervistës, sipas kritereve të parapara me konkurs. Ambasadori italian, Michael Giffoni gjatë vizitës në UP ka shprehur gatishmërinë e kësaj ambasade që për çdo vit të dërgohen në universitetet italiane nga dy studentë për studime master.
Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, Naser Mrasori ka thënë se ndarja e këtyre bursave për studentët kosovarë nga shteti italian parasheh mbulimin e të gjitha shpenzimeve.
Dy studentët e përzgjedhur do të studiojnë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare si dhe në shkenca politike. Shteti italian ka shprehur gatishmëri të na ndihmojë për krijimin e kuadrove në sektorin me marrëdhënie me jashtë, ka thënë Mrasori.
Mrasori ka theksuar se interesimi i studentëve për të garuar për këto bursa ka qenë i madh. Sipas tij, mbi 23 kandidatë i janë nënshtruar intervistimit. Ai ka përmendur se rëndësia e shkollimit të këtyre studentëve në universitetet italiane ndërlidhet me mësimin praktikë që ata do të ndjekin në këto universitete.
Këta studentë do të kenë kontakt me figura politike të njohura në Itali dhe ato që janë në pushtet. Do të shohin nga afër se si dialogohet në diplomaci, çka është diplomacia, roli i diplomatit të shihet direkt në vendin e ngjarjes, tha Mrasori.
Dy studentë nga Kosova tani ndodhen për studime në universitete italiane. Asociacioni Rondine Cittadella Della Pace, konsiderohet të jetë njëri nga programet më autentike dhe më të rëndësishme të paqes në Itali për më shumë se 10 vjet.
Që nga viti 1997 Rondine, ka financuar studentët e rinj nga kultura të ndryshme shumë prej të cilëve kanë përjetuar situata të konfliktit në vendet e tyre dhe të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në një projekt të përbashkët bashkëjetesë paqësore, trajnim dhe studime universitare ose pasuniversitare.
Pas përfundimit të studimeve të tyre, studentët do të ndjekin praktikat më të mira në atë që ata kanë mësuar në Rondine, që është mundësia e vërtetë për dialog, studim, trajnim dhe bashkë-ekzistencën paqësore.