E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

"Renova aktualisht drejtohet nga Bylbyl Sokoli. Me ardhjen e tij ndryshimet pozitive në klub janë vërejtur menjëherë. Në fakt në zhvillimin e futbollit shqiptar në Maqedoni kanë ndikuar të gjithë trajnerët dhe lojtarët shqiptarë, pa marrë parasysh se prej nga kanë ardhur ata, nga Kosova apo Shqipëria", ka shtuar Idrizi, që është themelues i klubit Renova.
Ngritja e madhe e futbollit shqiptar nė Maqedoni








Përzgjedhësi i Maqedonisë, Mirsad Jonuz, ka ftuar katër futbollistë shqiptarë për ndeshjen miqësore kundër Kinës, që zhvillohet më 22 dhjetor. Asnjëherë më parë në përfaqësuesen e Maqedonisë nuk janë ftuar katër apo më shumë lojtarë shqiptarë. Rritja e numrit të futbollistëve shqiptarë në përfaqësuese vjen në kohën kur kampionati i Maqedonisë dominohet nga dy ekipet shqiptare, Shkëndija e Tetovës dhe Renova e Xhepçishtës. Kjo sipas ekspertëve, dëshmon se futbolli shqiptar në Maqedoni "po rritet" gjithnjë e më shumë. Nënkryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Qenan Idrizi, vlerëson këtë rritje, por sipas tij, futbolli shqiptar në Maqedoni ende nuk e zë vendin që e meriton, shkruan sot “Koha Ditore”.

"Futbolli shqiptar në Maqedoni është rritur shumë, nëse krahasohet me vitet e kaluara. Por, nëse e krahasojmë me numrin e popullatës shqiptare që jeton në Maqedoni, atëherë mund të themi se niveli nuk është i kënaqshëm. Për shembull në Ligën e parë duhet të luajnë të paktën katër ekipe shqiptare, ndërsa aktualisht i kemi vetëm dy. Presim që ky numër të rritet në vazhdim", ka thënë Idrizi të mërkurën për gazetën. Ai postin e nënkryetarit e mori para një viti. "Deri para një viti federata e futbollit nuk u ka kushtuar fare rëndësi klubeve shqiptare. Nuk i ka llogaritur fare ato. Në vitin e fundit qasja e federatës ka ndryshuar pozitivisht. Rezultatet janë evidente. Kemi më shumë lojtarë shqiptarë në klube, më shumë në përfaqësuese, ndërsa kampionatin e kaluar për herë të parë një skuadër shqiptare u bë kampione e Maqedonisë".

Kampione në fuqi e Maqedonisë është Renova. Kjo skuadër aktualisht zë pozitën e dytë në kampionatin e Maqedonisë me 31 pikë, një më pak se Shkëndija që është lidere. Dhjetë skuadrat tjera janë maqedonase, por në disa prej tyre numri i lojtarëve shqiptarë është rritur dukshëm në vitet e fundit. Renova drejtohet nga trajneri kosovar Bylbyl Sokoli. Pjesë e kësaj skuadre janë edhe tre futbollistë nga Kosova, Faruk Statovci, Fisnik Gashi dhe Kushtrim Mushica.

"Renova aktualisht drejtohet nga Bylbyl Sokoli. Me ardhjen e tij ndryshimet pozitive në klub janë vërejtur menjëherë. Në fakt në zhvillimin e futbollit shqiptar në Maqedoni kanë ndikuar të gjithë trajnerët dhe lojtarët shqiptarë, pa marrë parasysh se prej nga kanë ardhur ata, nga Kosova apo Shqipëria", ka shtuar Idrizi, që është themelues i klubit Renova.

Edhe trajneri Bylbyl Sokoli vlerëson se futbolli shqiptar në Maqedoni është zhvilluar dukshëm. Ai pret që në vitet e ardhshme zhvillimi të jetë edhe më i madh.

"Pas dy vitesh jam kthyer në Maqedoni dhe kam vërejtur se cilësia e klubeve shqiptare është më e mirë. Ndërsa futbolli i Maqedonisë në përgjithësi ka mbetur në nivel të njëjtë. Klubet shqiptare janë më të organizuara dhe po investojnë më shumë se në të kaluarën, prandaj edhe zhvillimi është i natyrshëm", ka thënë Sokoli. Ai për herë të parë në Maqedoni ka punuar në vitin 1999 kur e drejtoi Shkëndijën e Tetovës. Më pas ka drejtuar edhe Bashkimin e Kumanovës, Milanon dhe Renovën.

"Fakti që ligën e udhëheqin dy ekipe shqiptare dëshmon më së miri për ngritjen e futbollit shqiptar. Kjo ngritje do të jetë edhe më e madhe në vitet e ardhshme. Organizimi i mirë i klubeve shqiptare e garanton këtë", ka shtuar Sokoli.

Përzgjedhësi i Maqedonisë, Mirsad Jonuz të mërkurën ka shpallur listën me emrat e futbollistëve të ftuar për ndeshje me Kinën. Për herë të parë janë ftuar sulmuesi i Shkëndijës, Ferhan Hasani dhe mesfushori i Thunit zviceran, Muhamed Demiri. Sulmuesi i Nordsjaellandit danez, Bajram Fetai është ftuar për herë të dytë, ndërsa mesfushori i Istrës kroate, Armend Alimi deri më tani ka luajtur tetë herë. Herë pas here për Maqedoninë ftohen edhe Besart Ibraimi e Agim Ibraimi, ndërsa kandidat për një vend në përfaqësuese vlerësohet edhe Emin Sulimani.

"Para tri javësh jam kontaktuar për herë të parë nga përzgjedhësi Jonuz. Ai më ka thënë se ka një vit e gjysmë që është duke më përcjellë dhe se është i interesuar që unë të luaj për Maqedoninë. Unë i kam thënë se jam i gatshëm të luaj për Maqedoninë dhe pas kësaj bisede erdhi ftesa për ndeshje me Kinën", ka thënë Demiri 25-vjeçar, që luan rregullisht me Thunin në Superligën zvicerane.

Publikuar: 09.12.2010 | 16:53
Lexuar: 707 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime