Qyteti industrial i Enkoping, 40 kilometra larg Stokholmit është një qytet i këndshëm dhe i vogël në Suedi. Deri më sot, ai nuk ka qenë i famshëm përveçse për dëborën e bardhë dhe tymin e oxhakëve që nis të rrokë qiellin që në muajt e parë të vjeshtës.
Historitë rozë pas akuzës për krime seksi
Qyteti industrial i Enkoping, 40 kilometra larg Stokholmit është një qytet i këndshëm dhe i vogël në Suedi. Deri më sot, ai nuk ka qenë i famshëm përveçse për dëborën e bardhë dhe tymin e oxhakëve që nis të rrokë qiellin që në muajt e parë të vjeshtës. Por, nëse procedurat e ekstradimit në Britani do të jenë të suksesshme, atëherë do të ketë edhe një arsye tjetër që emri i këtij qyteti të mësohet nga një numër më i madh njerëzish, të paktën nga ana e qeverisë amerikane. Dhe arsyeja është se në këtë qytet Assange duket se ka bërë një gabim katastrofik. Pikërisht këtu, në katin e parë të një apartamenti që ndodhej në një bllok ndërtesash, truri ose më mirë fytyra e Wikileaks që deri më tani ka vënë në pozitë të vështirë liderët dhe diplomacinë e shumë vendeve të botës, kryesisht atë amerikane, fjeti me një admiruese, të cilën e kishte takuar në një seminar të zhvilluar një ditë më parë. Menjëherë pas kësaj zonjusha shkoi të ankohej në polici. Si rezultat Assange, i cili deri më sot është fshehur në Britaninë e Madhe, përballet me një çështje kriminale dhe sipas shumë gjasave me një vendim burgu. Policia e Stokholmit përmes një mandati ndërkombëtar arresti, kërkon që ta marrë në pyetje Julian në lidhje me një përdhunim të mundshëm ndaj një gruaje dhe një akuze nga një grua tjetër, një tjetër admiruese suedeze, me të cilën ai kishte pasur një lidhje të shkurtër. Por, ka një pikëpyetje të madhe në lidhje me faktet që këto dy zonjusha kanë kundër Assange për të mbrojtur pretendimet e tyre. Janë të shumtë ata që mendojnë se 39-vjeçari australian është viktimë e një fushate të ndyrë përndjekjeje nga ana e qeverisë amerikane për shkak të publikimit të materialeve që i kanë cenuar këtij vendi reputacionin dhe ndoshta edhe marrëdhëniet me një sërë vendesh aleate, apo jo. Sipas shumicës së njerëzve, bëhet fjalë për një kurth të ngritur kastile për ta zënë Assange dhe për ta penguar në veprimtarinë e vet. Kurth i ngritur nga prokuroria suedeze. Gjithsesi, një gjë është e qartë: ligjet e përdhunimit seksual në Suedi janë shumë të ndërlikuara. Nëse do të përdornim një tërësi informacionesh të mbledhura deri më tani mund të ndërtonim ngjarjet të cilat i rrezikojnë lirinë Assange nga ana e policisë së Stokholmit. Ndërkohë që një politikan amerikan e ka cilësuar Assange kriminel dhe ka bërë thirrje për ekzekutimin e tij.
Historia nisi në 11 gusht të këtij viti, kur Assange arriti në Stokholm. Ai ishte ftuar që të ligjëronte në një seminar për rolin e luftës në media i organizuar nga qendra Lëvizja Vëllazërore e Majtë. Pika e tij e kontaktit ishte një zyrtare, të cilës do ti referohemi me emrin Sarah (identiteti i saj duhet mbrojtur për shkak të procedurave ligjore).
Ajo ishte një bionde tërheqëse dhe e njohur si një feministre radikale. Deri në moshën 30 vjeç kishte udhëtuar nëpër botë në ndjekje të shumë çështjeve ndërkombëtare lokale. Ndërkohë që ishte asistente kërkimesh në universitetin lokal, ajo ishte edhe një nga personat që mbrohej nga një militante akademike feministe dhe kishte detyrën e oficerit të barazisë mes sekseve. Një nga luftërat e saj të preferuara është lufta ndaj diskriminimit mashkullor të të gjitha formave, përfshi ngacmimet seksuale. Sarah dhe Assange nuk ishin takuar kurrë më parë, por gjatë një sërë lidhjesh telefonike ata kishin rënë dakord që Assange gjatë vizitës së tij në Stokholm të qëndronte në shtëpinë e saj. Ajo i kishte thënë se vetë nuk do të ishte aty për nja dy ditë dhe do të kthehej ditën e seminarit. Ajo që ndodhi ditët në vijim, lë të nënkuptohet se edhe nëse themeluesi i Wikileaks është i pafajshëm, ai sigurisht që është një mashkull me një oreks seksual të fortë, kjo edhe për shkak të famës së tij. Sigurisht që qëndrimi i tij kishte të bënte me çështjen e seminarit dhe takimi me njerëz me të cilët ndante të njëjtat mendime dhe që e admironin për atë që kishte bërë deri në atë moment. Të enjten e javës në fjalë, ai darkoi me disa të rinj suedezë dhe disa gazetarë amerikanë. Pasditen që pasoi, Sarah u kthye në Stokholm, 24 orë më parë nga sa e kishte parashikuar. Në një intervistë që iu dha më pas policisë, thuhet se deklaroi si më poshtë: Ai (Assange) ishte aty kur unë u ktheva në shtëpi. Ne folëm pak dhe vendosëm që ai të vazhdonte të rrinte.)
Të dy më pas dolën për darkë në një restorant aty afër dhe kur u kthyen në apartamentin e saj kryen marrëdhënie seksuale. Kjo nuk është përgënjeshtruar nga asnjëri prej tyre, madje as fakti që prezervativi kishte pësuar një çarje, e cila siç do të dalë më pas mori një rëndësi shumë të madhe.
Gjatë gjithë kohës, çifti vazhdoi që të ishte shumë miqësor dhe madje të shtunën Sarah organizoi një mbrëmje për nder të tij në shtëpinë e saj. Atë ditë, Assange kishte marrë pjesë në një seminar në sindikatën suedeze HQ. Në radhën e parë të audiencës, veshur me një triko rozë që bie në sy, - pamjet nga konferenca ndodhen edhe në YouTube, ndodhej një 20-vjeçare me emrin Jesica. Ajo është gruaja që sipas disa burimeve ishte nëpunëse në këshillin e qytezës së sipërpërmendur të Enkoping. Jesica më pas do të deklaronte në polici se për herë të parë e kishte parë Assange në televizion dhe se i kishte pëlqyer shumë kuraja dhe zgjuarsia e tij. Si pasojë, ajo nisi që të ndiqte gjithçka që kishte të bënte me Assange dhe kur zbuloi se ai do të vinte në Suedi kontaktoi me ata që e kishin ftuar për seminar dhe u ofrua që të jepte ndihmë si vullnetare. Edhe pse oferta e saj nuk u pranua, ajo vendosi që të merrte pjesë në seminar gjithsesi dhe gjatë referatit të tij që zgjati 90 minuta mori shumë foto të Julian.
Besohet se Jesica është takuar edhe me Sarah, gruan me të cilën Julian kishte fjetur një natë më parë. Më pas ajo vazhdoi që të rrinte ende vërdallë nëpër sallën e konferencës derisa Assange, që ka një fëmijë nga një lidhje e 20 viteve më parë, u largua me një grup miqsh për drekë. Në këtë pikë, burime të ndryshme bien në kundërshti me njëri-tjetrin. Sipas një burimi ishte Assange që i kishte thënë që të vinte me ta, një burim tjetër se ajo iu lut atyre që të bëhej pjesë e grupit. Por menjëherë më pas një nga shokët e Assange e vuri re se Jesica ishte shumë e dëshiruar për tu njohur me liderin e Wikileaks. Më vonë do ti thoshte policisë se në restorant Assange i hodhi dorën në sup dhe se kjo e bëri që të ndihej shumë e mikluar dhe e joshur, sepse sipas saj ishte e qartë se ai po flirtonte me të. Tërheqja ishte e dyanshme. Pas drekës, të dy u takuan në kinema, për të parë një film që quhej Deti i thellë. Sipas rrëfimit të Jesica-s ata u afruan shumë me njëri-tjetrin dhe kur dolën nga kinemaja, Assange i tha se ishte shumë tërheqëse. Por atij i duhej që ta linte Jesica-n për të shkuar në një mbrëmje të organizuar nga Sarah, një mbrëmje tradicionale suedeze, ku njerëzit dehen dhe qëndrojnë deri në orët e vona të natës. Jesica e pyeti nëse mund të takoheshin sërish dhe Assange i tha sigurisht. Këtu u ndanë dhe vajza u kthye në vendin e saj, në Enkoping, ndërsa Assange u kthye në shtëpinë e shoqes së tij, ku kishte filluar mbrëmja. Njerëzit mund të mendojnë se është e çuditshme që Sarah organizoi një mbrëmje për njeriun të cilin më vonë e paditi në polici në lidhje me marrëdhënien e një nate më parë. Pikërisht kjo është një nga pikat e paqarta të akuzës së saj dhe të akuzës së prokurorisë. Disa orë pas mbrëmjes, Sarah shkruan në Facebook: Jam ulur jashtë
është shumë ftohtë, por brenda kam ca njerëz të mrekullueshëm. Është me të vërtetë e bukur. Më vonë ajo u përpoq që ta fshinte këtë mesazh. Gjatë asaj mbrëmjeje Assange duket se i ka telefonuar Jesica-s dhe ata e lanë që të takohen në Stokholm. Kur u takuan, vendosën që të shkonin në shtëpinë e saj në Enkoping, por Julian nuk kishte para për të blerë biletën e trenit dhe nuk donte që të përdorte kartë krediti, kështu që Jesica e bleu biletën me paratë e saj. Pasi ata mbërritën në shtëpinë e saj, bënë dashuri. Sipas dëshmisë së vajzës në polici, Assange kishte përdorur prezervativë. Bënë dashuri edhe të nesërmen në mëngjes. Këtë herë nuk përdorën masa mbrojtëse. Më pas Jesica thotë se ishte mërzitur kur i kishte thënë që të përdorte prezervativ në mëngjes dhe ai nuk kishte përdorur. Edhe këtu kemi diçka që nuk shkon, sepse nuk kemi të bëjmë me përdhunim. Për më tepër, të nesërmen çifti hëngri mëngjes bashkë dhe me këmbënguljen e vajzës, Assange i tha se do të qëndronin në kontakt. Më pas Assange u kthye në Stokholm dhe pagoi sërish biletën. Se çfarë ka ndodhur më pas është e vështirë që të mendohet. Ka shumë mundësi që Jesica të ketë pasur frikë se mos ka marrë një sëmundje nga Assange, apo edhe se mund të kishte mbetur shtatzënë dhe pikërisht këtu, historia nis e bëhet intriguese. Pas disa kohësh, ajo vendos që ti telefonojë Sarah, të cilën e kishte takuar në seminar dhe tek e cila Assange kishte qëndruar dhe i thotë asaj se kishte kryer marrëdhënie të pambrojtur me Assange. Duket se edhe Sarah i thotë se edhe ajo kishte fjetur me të. Si rezultat i kësaj bisede, Sarah i thotë një të njohuri të Assange se donte që ai të largohej nga apartamenti i saj. Assange thotë se Sarah ia kërkoi shumë vonë largimin. Pyetja është se si mund të jetë ndier Sarah kur ka zbuluar se njeriu me të cilin kishte fjetur tri ditë më parë kishte shkuar ndërkohë edhe me dikë tjetër menjëherë pas kësaj? Sigurisht që e inatosur është pak të thuash. Dhe duket se në këto e sipër, të dyja vendosën që të marrin një masë drastike më 20 gusht, duke shkuar së bashku në stacionin e policisë në Stokholm për të kërkuar një këshillë për mënyrën e procedimit në lidhje me një akuzë të Jesica-s ndaj Assange. Sipas një burimi Jesica donte të dinte nëse ishte e mundur që ta detyronin Assange që të kryente një test për AIDS. Nga ana tjetër Sarah, luftëtarja feministe tha se ishte aty për të mbështetur shoqen e saj, ndërkohë që në bisedë e sipër i jep policisë edhe rrëfimin për lidhjen që ajo vetë kishte pasur me Assange. Duket se oficerja që ndodhej aty dhe i mori në pyetje, pak nga rasti i së parës dhe pak nga ai i së dytës, doli në përfundim se Assange i kishte përdhunuar gratë.
Ishte e premte në darkë dhe në këto rrethana u thirr një prokurore për të lexuar raportin e të dy vajzave. Të nesërmen Sarah u mor në pyetje sërish, duke e menduar në këtë rast akuzën ndaj Assange për sjellje jo të mirë seksuale. Atë mbrëmje detektivët u përpoqën që ta gjenin dhe kërkuan në të gjithë Stokholmin, por më kot. Të dielën lajmi kishte dalë në shtyp. Tashmë autoritetet e kuptuan se kishin në duar një rast shumë të rëndësishëm dhe se në këto rrethana, i dërguan materialet tek shefi i tyre, i cili pasi i pa, vendosi që ta hidhte poshtë akuzën dhe ta mbyllte rastin. Por tashmë ky rast kishte dalë jashtë kontrollit. Sarah foli më pas me një gazetë se marrëdhëniet kishin qenë të dyja normale në fillim, por më pas ishin shndërruar në një abuzim nga Assange. Në shtator rasti u hap sërish nga autoritetet me këmbënguljen e dy vajzave dhe muajin e kaluar, Interpoli nxori një fletarresti ndërkombëtar për Assange për krime seksuale. Assange, i cili që dje ndodhet në duart e policisë britanike, deklaroi se nuk ka bërë asgjë të paligjshme në të dyja rastet dhe se gjithçka ka qenë me dëshirën e të dyja palëve. Pyetja që bëhet është sa të besueshme janë këto gra në ato që e thonë? Këtë do ta tregojnë ditët që do të vijnë.