Tërësia e procesit, është e gjithë nevoja dhe kuptimi i vullnetit, i efikasiteti, i besueshmërisë për të pasur zgjedhje të lira, të ndershme dhe kuptimplote.
Fehmi Ajvazi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka finalizuar planet themelore operacionale, për tu zgjuar mëngjesin e kësaj të diele të 12 dhjetorit me energjinë e plotë që ta materializojë pothuajse hapin e fundit: Ditën e Votimit, që domethënë mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës. Kanë qenë disa javë e ditë me plotë shqetësim dhe tension nëpër të cilat javë dhe ditë, kanë kaluar 11 anëtarët e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në krye me kryetaren Valdete Daka dhe, disa dhjetëra e qindra zyrtarë permanentë dhe jo vetëm permanent të SKQZ-së me të vetmin preokupim: me preokupimin e organizimit dhe të mbajtjes me sukes të zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010. Apsolutisht, mund të thuhet qartë se ky institucioni i pavarur dhe permanent (KQZ), ia ka dalë ta realizoj implementimin e planeve operacionale në kohë rekorde, me sukese të pakontestueshëm. Zyrtarë, drejtues, punëtorë, shoferë dhe të tjerë ( në bashkpunim dhe koordinim me mekanizmat vendorë e ndërkombëtar ), kanë implementuar Planin Operacional të Zgjedhjeve në dimensione dhe kohë të planifikuar, mbështetur në profesionalitet dhe cilësi të lakmueshme.
Përtej mureve të selisë së KQZ-së, askush ( madje as mediat) nuk mund ta akceptojnë dot peshën dhe seriozitetin krucial që përmbanë më vete procesi i organizimit të zgjedhjeve. Dhjetra e dhjetra mbledhje të KQZ-së, qindra e qindra mbledhje të këshillave të ndryshme, disa mijëra elemente operacionale që ngërthejnë më vete çështjet e përpilimit të Listës Votuese, të Buxhetit, të Trajnimeve, të Çertifikimit, të Sigurisë, të Informimit Publik, të Prodhimit të Fletëvotimeve dhe çështje të tjera, përbëjnë një sfidë të paimagjinueshme mbi bazën e së cilës sfidë, janë materializuar dhjetëra e mijëra orë pune të mundimshme për tu implementuar me sukses, procesi në fjalë. Mirëpo, këto janë linjat që i determinon Ligji për Zgjedhjet përmes të cilave linja, ravijëzohet dhe materializohet deri në fund procsi zgjedhor. Prandaj deri më sot, është punuar me përkushtim që këtë të diele të 12 dhjetorit të jenë gati fletëvotimet për 1.630.636 persona me të drejtë vote, prej të cilëve votues të rinjë do të jenë 73. 288 persona. Ndërkaq, janë bërë gati 746 Qendra Votimi dhe 2280 Vendvotime me gjithë materialin sensitiv dhe, josensitiv. Duke e bërë po me kohë certifikimin, 29 Subjekte Politike me 1.265 kandidatë të tyre do ti japin ngjyrë të fuqishme procesit zgjedhor. Deri më sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar mbi 32.021 vezhgues.
Kjo është puna kolosale e këtyre ditëve, e bërë nga KQZ. Është ndoshta pretencioze por, më duhet ta themi faktin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës është një nga shtyllat e forta të shtetit. Megjithse në të kaluarën e afërt janë thyer shtizat mbi KQZ-në, duhet ta theksojmë faktin që KQZ ka pasur një përkrahje të gjërë institucionale dhe qeveritare, një pëkrahje vendore dhe ndërkombëtare, një përkrahje morale dhe materiale që ka krijuar komoditetin e nevojshëm implementues, i cili komoditet ka ndikuar dukshëm në rritjen e vetëbesimit në KQZ, si dhe në shtimin e kapaciteteve të punës dhe të cilësisë. Nuk ka dyshim që kritika e mirë është bazë e energjisë së mirë megjithatë, ajo që i është dashur me kohë KQZ-së, ka qenë shmangja nga infeioriteti si dhe mbrojtja nga kritikat jo parimore. Padyshim, ka ende shumë për tu bërë që gjërat të ecin edhe më mirë por, KQZ është orientuar ti shtojë kapacitetet profesionale dhe ta ngrisë cilësinë, si dhe të shmangë të gjitha dilemat dhe dyshimet eventuale rreth saj. KQZ qëndron në thelb të përgjegjësive për të cilat është themeluar. Porse, janë edhe akterët e tjerë ( qytetarët, elektorati, partitë, mediat, institucionet
), ato që do ti japin shije të nevojshme këtij procesi.
Tërësia e procesit, është e gjithë nevoja dhe kuptimi i vullnetit, i efikasiteti, i besueshmërisë për të pasur zgjedhje të lira, të ndershme dhe kuptimplote. Nëse ato do të shihen si të lira, të drejta dhe paqësore, atëherë Kosova do të bëj një hap gjigant më përpara drejt legjitimitetit ndërkombëtar, ka deklaruar Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton, të premtën më 10 dhjetor. Ndihmësi i saj Filip Gordon, ka theksuar se, Kosova është shembull se sa mund të arrihet për një kohë të shkurtër progres i jashtëzakonshëm në forcimin e demokracisë.
KQZ, është sot në pozitë të fuqishme të garantoj proces jo vetëm të organizimit por edhe të implementimit në shkallë të lartë profesionale dhe cilësore, përballë secilit proces zgjedhor.
( Autori është Zëdhënës i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës)