Edhe dhjetë vjet pas, fillimi i fushatës ajrore të NATO-s ndaj objektivave serbe vazhdon të mbetet ngjarje kundërthënëse mes shqiptarëve dhe serbëve. Shqiptarët e Kosovës e kanë cilësuar atë si ngjarjen më të madhe historike, kurse për serbët, fushata ajrore ishte gabimi më i madh historik.
Pas një varg përpjekjesh për të arritur një marrëveshje të negociuar mes Prishtinës e Beogradit dhe dy konferencave të dështuara në Rambuille dhe Paris, Aleanca Veriatlantike vendosi të nisë një fushatë ajrore kundër objektivave serbe.
Pikërisht në ditën e sotme, dhjetë vjet më parë, më 24 mars të vitit 1999, avionët e NATO-s, pak para orës 20 qëlluan një numër objektivash të ushtrisë e policisë serbe në disa nga qytetet e mëdha në Serbi, Kosovë e Mal të Zi. Dy ditë më herët, misioni verifikues, që vepronte nën ombrellën e OSBE-së, lëshoi Kosovën, dhe ofensiva serbe kundër, siç u tha, forcave të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshiu gjithë territorin kosovar.
Zyrtarët e lartë të NATO-s, përfshirë edhe të dërguarin e posacëm amerikan, Richard Holbrooke nuk arritën të bindin udhëheqësin e atëhershëm jugosllav, Slobodan Milosheviq, që të tërhiqte trupat e tij nga Kosova. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, atëbotë, Javier Solana, dha urdhërin për fillimin e fushatës ajrore mbi objektivat serbe
Një numër vrasjesh të qytetarëve shqiptarë nga forcat serbe të sigurimit, ndodhën në natën e fillimit të fushatës ajrore ndërkohë që mijëra qyetarë të Kosovës, u larguan me dhunë nga shtëpitë e tyre, nga një fushatë, që u cilësua, spastrim etnik, e cila përfshiu gjithë Kosovën.
Udhëheqësit ushtarakë të NATO-s thanë se po bënin përpjekje për të ndaluar krizën e krijuar humintare dhe fushatën e filluar të spastrimit entik.
Ish komandanti i krahut jugor të NATO-s, gjenerali Wesley Clark, që udhëhoqi me fushatën ajrore të NATO-s, i pati deklaruar BBC-së pak vite më vonë, se Aleanca ishte munduar ti jepte fund spastrimit etnik në Evropë:
Mendoj se ishte me rëndësi që të mos kishte më spastrim etnik në Evropë. Udhëheqësit e NATO-s e kuptuan se aktivitetet e Milosheviqit, që po ndërmerreshin në Ballkan, ishin jo vetëm të drejtuara kundër të drejtave të njeriut, por ishin edhe një kërcënim ndaj stabilitetit rajonal dhe gjithashtu edhe kërcënim ndaj misionit të NATO-s në Bosnjë. Sepse suksesi i tij këtu do të forconte elementet e vijës së ashpër që të përballeshin me forcat e NATO-s në Bosnjë. Po! NATO-ja mori një vendim të drejtë, duke përdorur forcën vetëm, vetëm dhe vetëm si një alternativë të fundit, tha gjenerali Clark.
Në Kosovë fillimi i fushatës ajrore të NATO-s u pa si fundi i, siç thuhet, dhunës së regjimit të Beogradit dhe u shënua si një nga ditët më historike të saj.
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëmarrës në konferencën e Rambuilletit, aktualisht kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha për BBC-në se Aleancës Veriatlantike, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike, nuk i mbeti asnjë rrugë tjetër përvec fillimit të fushatës ajrore për të ndërprerë krizën humanitare në Kosovë.
Bombardimet e NATO-s erdhën pas luftës çlirimtare, pas krizës humanitare dhe njëkohësisht bombardimet e NATO-s përfundimisht e nxorrën policinë, ushtrinë dhe edhe administratën e dhunshme serbe nga Kosova. Dhe Kosovës e gjithë rajonit i hapën perspektivën e paqes dhe ndërtimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik, tha Jakup Krasniqi.
Fushata ajrore e NATO-s që zgjati 78 ditë u ndërpre në qershor të vitit 1999. Gjatë kësaj periudhe afro 1 milionë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre drejt Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të Zi, mbi 10 mijë veta u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën. Me përfundimin e fushatës ajrore nuk përfunduan edhe problemet. Mbi 2000 shqiptarë vazhdojnë të cilësohen si të zhdukur, kurse autoritetet serbe thonë se edhe 1000 serbë mbeten të pagjetur.
Kosova, në marsin e vitit 1999, u shndërrua në një fushë të re të betejës që iu dha fund pas një marrëveshjeje për largimin e plotë të gjitha forcave serbe të sigurimit. /bbc/