Fillimisht, bashkëpunimi do të vendoset në formë të shkëmbimit të ndërsjellë të kuadrit mësimdhënës dhe bashkëpunëtorëve, për realizimin e ligjëratave ose veprimtarive të tjera mësimore, si dhe për punë hulumtuese nga fushat që janë me interes të përbashkët.
Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti i parë privat FON, nga Shkupi nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshjen e nënshkruan, Rektori i USHT-së, Prof. dr. Agron Reka dhe Rektori i Universitetit FON, Prof. dr. Aleksandar Nikollovski. Me këtë marrëveshje dëshmohet qëllimi i të dy institucioneve që të fillojnë dhe zhvillojnë bashkëpunim të ndërsjellë në procesin e edukimit dhe punën kërkimore-shkencore. Bashkëpunimi do të realizohet përmes formave të shkëmbimit, të cilat do të kenë për qëllim përfitimin e diturive dhe përvojave të reja në sferat e të arriturave më të larta evropiane dhe botërore, në arsim, shkencë dhe veprimtaritë aplikative.
Fillimisht, bashkëpunimi do të vendoset në formë të shkëmbimit të ndërsjellë të kuadrit mësimdhënës dhe bashkëpunëtorëve, për realizimin e ligjëratave ose veprimtarive të tjera mësimore, si dhe për punë hulumtuese nga fushat që janë me interes të përbashkët.
Me këtë marrëveshje të bashkëpunimit, të nënshkruar nga rektori i USHT-së dhe rektori Universitetit FON, Prof. dr. Agron Reka dhe Prof. dr. Aleksandar Nikollovski, po ashtu parashihet edhe pjesëmarrja e përbashkët në programet arsimore dhe shkencore të financuara nga Bashkimi Evropian, realizimi i projekteve kërkimore-shkencore me interes të përbashkët, organizimi i përbashkët i konferencave shkencore, simpoziumeve, seminareve, punëtorive shkencore dhe profesionale. Me marrëveshjen e nënshkruar nga rektorët Reka dhe Nikollovski, po ashtu parashihet edhe shkëmbimi i librave, revistave, publikimeve, botimeve bibliografike, literaturës shkencore dhe metodave shkencore me interes të përbashkët, si dhe shkëmbimi i planeve dhe programeve mësimore për të gjitha ciklet e studimeve.
USHT, në periudhën e ardhshme pritet të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi edhe me universitete të tjera nga rajoni dhe bota.