E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Gazetat këtu janë shumë të sinqerta dhe ka disa vite që i kanë shpallur luftë totale "hipokrizisë". Çdo kush që mund të lexojë titujt e faqes së parë e kupton menjëherë se cilën forcë politike (lider) sulmon / mbron gazeta. Megjithë zhvillimin e vrullshëm të medias on-line, këtu tradita mbrohet me shumë xhelozi dhe do të thoja në mënyrë shumë kreative.
Wikileaks pėr median shqiptare...









Lutfi DERVISHI


Edhe media shqiptare nuk i ka shpëtuar raportimeve të diplomatëve perëndimor në Tiranë. Materiali i mëposhtëm është raport për gjendjen e medias në Shqipëri.

"Shqipëria është vërtet një vend relativisht i vogël me vetëm 3.5 milionë banorë, 28 000 kilometra katror, por shumë e pasur me burime natyrore, minerale, naftë. Klima është mesdhetare dhe vendi është i bekuar me male, det, liqene, por bollëku më i madh është MEDIA. Këtu ka 56 stacione televizive, plus dy platforma dixhitale. Zhvillimi sasior i medias ka ecur në një rrugë me dy korsi. Në fillim botuesit e gazetave filluan zanatin e ndërtimit dhe më pas ndërtuesit filluan gazetat.

Në momentin që po shkruaj këtë raport në treg janë 28 gazeta të përditshme kombëtare. Shqipëria ka numrin më të madh të gazetave të përditshme për frymë. Thashethemet mes kolegëve thonë se nesër del një gazetë tjetër e përditshme. Informacionet e mia që konfirmohen edhe nga informatorët lokalë thonë se gazetat kanë më shumë gazetarë se lexues. Problemi është se gazetat nuk kanë gazetarë. Gazeta më e madhe ka vetëm 20 reporterë. Por është gjetur zgjidhja. Meqë lexuesit nuk lexojnë më gazetat këtë detyrë e kanë marrë televizionet. Çdo mëngjes që në “pik të sabahut” televizionet lexojnë faqet e para të gazetave që nuk ndryshojnë shumë nga njëra tjetra. Një proverb shqiptar thotë se: njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja nxijnë fytyrën. Gazetat në këmbim raportojnë për lajmet televizive. Shkurt. Gazetat shohin TV dhe TV lexon gazetat.

Gazetat këtu janë shumë të sinqerta dhe ka disa vite që i kanë shpallur luftë totale "hipokrizisë". Çdo kush që mund të lexojë titujt e faqes së parë e kupton menjëherë se cilën forcë politike (lider) sulmon / mbron gazeta. Megjithë zhvillimin e vrullshëm të medias on-line, këtu tradita mbrohet me shumë xhelozi dhe do të thoja në mënyrë shumë kreative. Fletërrufetë, një formë komunikimi ku publiku shprehte pakënaqësinë gjatë regjimit komunist, vijojnë të jenë gjallë çdo ditë përmes ndonjë gazete që i qëndron besnik thelbit të komunikimit. Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara po shqyrtojnë dosjen e këtyre gazetave për t'i shpallur "monument të fjalës (shumë) të lirë". Pas Gjirokastrës, Beratit, Polifonisë, së shpejti edhe faqja e parë e ndonjë të përditshme do të marrë statusin e mbrojtjes nga UNESCO. Kjo është një gazetë unike - më tha një ditë një politikan shqiptar - të fyen publikisht dhe të kërkon ndjesë privatisht. Por duhet theksuar se violina e parë mbeten televizionet.

Çdo mbrëmje këtu "prime time" janë emisionet politike. Të hënën që është dhe dita e parë e javës, në të njëjtën orë (21:00) transmetohen 12 emisione politike. Jo të gjitha janë "live" dhe ky teknikalitet shpjegon faktin që një lider politik mund ta shohësh në të njëjtën kohë në dy apo më shumë stacione televizive. Në fillim kujtova se politikanët këtu përdorin shumë sozitë sepse qëllonte që të njëjtin njeri që shihja përballë në restorant e shihja dhe “live” në ekran. Këto emisione dallojnë shumë me homologët e tyre në rajon dhe më gjerë sa i përket kohëzgjatjes. Disa prej tyre zgjasin edhe tre orë. Vetëm pasi mbaron punë politika, zakonisht pas mesit të natës, televizionet transmetojnë filma dhe programe për fëmijë.

Për të kuptuar një debat politik ne si ambasadë angazhojmë të katër përkthyesit sepse si rregull të ftuarit në emision pjesën më të madhe të kohës flasin të katër në të njëjtën kohë.

Gazetarët, në të shumtën e rasteve janë vajza, por duhet theksuar se janë shumë të turpshme. Në konferencat e shtypit nuk bëjnë kurrë pyetje. Kanë miqësi të mirë me politikanët dhe kjo është arsyeja që Këta të fundit ua lexojnë pyetjet në mendje reportereve dhe flasin pa i pyetur kush. Politikanët këtu dalin në televizion të paktën tre herë në ditë. Agjensitë e sondazheve që punojnë për llogari të katër kompanive celulare tregojnë se minutazhi i liderëve politik në televizione është ku e ku më i madh se i lojtarit fitues të Big Brother - një lojë kjo shumë popullore në Shqipëri.

Ekziston një mendim i gabuar në trupin diplomatik në Tiranë sikur politikanët përdorin gazetarët dhe median. Unë kam ndjekur me vëmendje, sidomos ngjarjet e mëdha, dhe kam vënë re se është e kundërta: mediat përdorin liderët politik deri në atë pikë sa i nxjerrin të raportojnë "live" nga vendngjarja.

Jo vetëm reporterët politik, por edhe vetë njerëzit e thjeshtë (qytetarë e fshatarë) janë të turpshëm dhe nuk i sheh në lajme apo reportazhe. Ndryshe nga ne në Perëndim, njerëzit këtu ditën e votimit nuk përcaktojnë vetëm se kush do të jetë në qeveri dhe kush në opozitë, por edhe se kush do dalë më shumë në ekran çdo ditë. Thashethemet këtu janë lajme dhe lajmet nuk i beson kush nëse nuk janë ambalazhuar si "thashethem". "Duhet të kuptoni se ne vijmë nga një shoqëri thashethemesh dhe jo informacioni" - më tha gjatë drekës një analist politik. Këtu miti analistit është më i lartë se i udhëheqësve fetarë. Analistët dinë gjithçka dhe flasin për gjithçka, me përjashtim të gjërave që kanë lidhje me zanatin e gazetarit. Për shkak të diturisë që rrezatojnë ndryshe quhen "gjithologë".

Zhvillimi i shpejtë i telefonisë celulare dhe komunikimit me sms, ka gjallëruar tregun e televizioneve me formatin "24 orë lajme". Janë 10 televizione vetëm në Tiranë dhe pritet që së paku çdo qytet të ketë televizon të tillë sepse është pa shpenzime. Titujt që shfaqen në ekran shkruhen nga vetë politikanët, ministrat, kryebashkiakët, zëdhënësit, aktivistët e shoqërisë civile dhe ndonjëherë edhe nga redaktorët që punojnë në këto televizione.

Konferencat e shtypit transmetohen live dhe në rast se ndonjë televizion nuk ka mundur të jetë "live" atëherë e transmeton më vonë si "lajm të plotë". Shqipëria është në librin guinness sepse në muajin tetor 2010, sepse televezionet transmetuan "mo ta mo" 199 konferenca shtypi.

Gazetaria investigative!

Gazetari investigative në këtë vend është e lehtë. Është taman si në Lindjen e Mesme. Nuk të duhet shumë për të gërmuar që të nxjerrësh naftë. Por kjo gazetari këtu, ekziston vetëm në titujt e librave të Institutit të Medias.

Në arkivin e ambasadës kam ndeshur në disa raste kur media ka bërë investigime, por kjo periudhë i përket viteve të shkuara..., Edhe këtu gazetarët përdorin politikanët me shumë mjeshtri. Nuk e kam kuptuar ende se si, por politikanët këtu bëjnë gazetari investigative të klasit të parë: të shohësh dokumentet që i nxjerrin njëri - tjetrit në konferenca shtypi të ikën mendja e kokës. Gazetarët i pasqyrojnë me besnikëri këto konferenca, ndërsa Prokuroria thotë vazhdimisht se mban me rregullsi shënime.



E ardhmja e medias është e sigurtë. Megjithë problemet e sipërpërmendur gazetarët po trajnohen dhe në masë po marrin master për Universitetet private. Këtu njerëzit kanë pikëpamje të ndryshme për gjithçka, por të gjithë janë në një mendje për cilësinë e këtyre universiteteve për të cilat do t'u dërgoj një kabëll të veçantë. (gazetastart.com)

Publikuar: 14.12.2010 | 08:14
Lexuar: 617 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime