Autori britanik Misha Glenny, një njohës i mirë i problemeve në Ballkan, thotë se akuzat ndaj kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi për krime gjatë luftës janë "shpërthyese".
Duke folur për BBC-në, Glenny, autor i librit "Mcmafia", që trajton temën e krimit të organizuar në Ballkan, thotë se megjithëse Këshilli i Evropës nuk ka shumë peshë apo ndikim mbi qeveritë, raporti i reporterit të saj Dick Marty dëmton imazhin e vetë SHBA-ve dhe Evropës, sepse lë të kuptohet që ato kanë mbyllur sytë duke lejuar të ndodhin këto krime.
Në intervistën që i dha BBC-së, Glenny fillimisht i përgjigjet pyetjes se sa të dëmshme janë akuzat që përmban raporti i reporterit të Këshillit të Evropës, Dick Marty për lidhjen e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me krimin e organizuar.
Potencialisht, mendoj se këto akuza janë shpërthyese. Vërtet mund të thuhet se ky është një raport i Këshillit të Evropës që nuk ka shumë peshë apo ndonjë ndikim të madh mbi qeveritë. Përgjithësisht, raportet që paraqiten në Këshillin e Evropës, më pas mund të thuhet se nuk shkojnë më tej. Por ky raport përmban akuza kaq shumë të rënda në adresë të qeverisë së Kosovës, dhe sidomos ndaj kryeministrit në detyrë, dhe ndoshta kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, Hashim Thaçi, thekson ai.
Raporti me akuza për lidhje me krimin e organizuar, trafikim armësh e kështu me radhë sipas Glennyt - dëmton edhe vetë imazhin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Amerikës në Evropë, përfshirë Britaninë, pasi në raport thuhet se Washigtoni dhe të gjithë ata që e përkrahën UÇK-në, mbyllën sytë përpara këtyre gjërave të tmerrshme që po ndodhnin në Kosovë, ku nuk kishte vetëm trafikim armësh dhe droge, por edhe tregti të paligjshme të organeve njerëzore.