E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Në prag të zhdukjes së traditës artizanale, artizanët shqiptarë kërkojnë mbrojtje me ligj. Kur ekonomia e tregut i vë përballë konkurrencës nga prodhimet e huaja, kur abuzuesit i vënë përballë falimentimit, ata kërkojnë një bazë ligjore jo vetëm për të vepruar sot, por edhe për ta trashëguar këtë zanat.
Artizanėt shqiptarė: Tradita tė mbrohet me ligj






















Arjola Hekurani

Në prag të zhdukjes së traditës artizanale, artizanët shqiptarë kërkojnë mbrojtje me ligj. Kur ekonomia e tregut i vë përballë konkurrencës nga prodhimet e huaja, kur abuzuesit i vënë përballë falimentimit, ata kërkojnë një bazë ligjore jo vetëm për të vepruar sot, por edhe për ta trashëguar këtë zanat.

Pas thuajse dy vitesh punë, u prezantua dje projektligji "Për artizanatin", përgatitur nga Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

I konsideruar si një prej tipareve kryesore të identitetit kombëtar, artizanati në Shqipëri do të mbrohet së fundmi edhe prej këtij projektligji që do të kalojë më tej për miratim në qeveri e më pas në Parlament.

Mbështetur mbi këtë projektligj, parashikohet që të ngrihet Dhoma Kombëtare e Artizanatit, e cila përfshin Dhomat e Artizanatit të ngritura në qytete të caktuara. Dhoma Kombëtare e Artizanatit mbështet dhe përfaqëson interesat e përbashkëta të anëtarëve të saj dhe ndikon në krijimin e forcimin e imazhit të ndërmarrjeve të artizanatit.

Ndërkaq, çdo Dhomë Artizanati mban një regjistër të artizanëve të qarkut të saj, ku shënohen edhe të gjitha ndërmarrjet e artizanatit me statuset e tyre juridike. Regjistrohet në ndërmarrjet e artizanatit, çdo person që ka kaluar provimin e mjeshtrit në specialitetin përkatës.

Qytetet muze si Gjirokastra apo Kruja, vende ku janë ende të ngritura pazaret karakteristike, janë marrë si shembuj referimi, ku ky ligj do të rregullonte veprimtarinë artizanale.

Nga ana tjetër, do të garantonte një prezantim të denjë të traditës shqiptare. Mjafton të kujtojmë që pazarin e vjetër të Krujës, vetëm emri e lidh me të shkuarën. Ndërsa në vitet pas ‘90-ës, Kruja ishte një grishje e madhe për të huajt me pazarin karakteristik, ajo që gjen më së shumti sot shënon "Made in China".

Një nga pikat e këtij projektligji paracakton që në të tilla qytete e pazare karakteristike të ketë vetëm prodhim artizanal vendas. "Ky ligj mbron artizanët, sepse janë të shumtë ata që punojnë pa licenca. Kjo bën që jo rrallëherë ata t‘i sjellin produktet nga Kina, apo Turqia për t‘i shitur si punime artizanale, duke ndikuar jo pak në prodhimin vendas.


Pune artizanale shqiptare



Mendoj se me anë të këtij ligji do të ndalen abuzimet ndaj mjeshtërve të vërtetë të artizanatit, por do të jetë edhe një nxitje më shumë në trashëgiminë tij", thotë Petrit Metou, kryetar i Federatës së Artizanëve Shqiptarë. Në bazë të këtij ligji, çdo artizanat gëzon të drejtën e shumëfishimit të objektit që ka prodhuar, duke ndaluar çdo kopjim të tij nga të tjerë. Sipas Metout, ligji do të jetë një ndihmë dhe një mbështetje që artizanati të mos zhduket.

Kërkesat e shoqatave të artizanëve shqiptarë për t‘u krijuar lehtësira në prodhimin e shitjen e produkteve të tyre tradicionale, jo vetëm brenda vendit, por edhe për eksport, veçanërisht në tregjet evropiane, kanë marrë në këtë mënyrë një përgjigje pozitive.

Mbi këtë projektligj diskutuan zëvendësministrja e MTKRS-së, Suzana Turku, këshilltari i Kryeministrit, Petraq Milo, zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Eno Bozdo, si dhe presidenti i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla.

Sipas Suzana Turkut, një nga prioritetet e qeverisë shqiptare është pikërisht ruajtja e trashëgimisë dhe identitetit kombëtar dhe mbështet plotësisht këtë nismë të hartimit të këtij projektligji. Sipas saj, ky projektligj do të krijojë terrenin e duhur për të nxitur dhe zhvilluar këtë traditë të vendit tonë.

Ndërkaq, sipas Petraq Milos, projektligji "Për artizanatin" nuk synon vetëm njohjen e artizanatit, por edhe afrimin me shtetet e tjera evropiane. "Projektligji synon njohjen në baza ligjore të aktiviteteve të artizanatit, si dhe mbështetjen financiare të tyre nga ana e shtetit shqiptar", u shpreh ai.

"Është e nevojshme që pas hartimit të këtij projektligji, të kemi programe dhe projekte të ndryshme konkrete, të cilat t‘u vijnë në ndihmë bizneseve të artizanatit edhe në aspektin financiar, që ky sektor të ketë mundësi të zhvillohet më tej", tha Eno Bozdo. Projektligji "Për artizanatin" i jep një zgjidhje edhe certifikimit të artizanëve shqiptarë. Hartimi i tij rregullon ushtrimin, organizimin, mbështetjen dhe shkollimin profesional të sektorit të artizanatit.

Hartimi i projektligjit "Për artizanatin" është një sintezë e disa ligjeve të shtetit gjerman, italian dhe modeleve të vendeve të rajonit të përshtatura për vendin tonë. Për të mbështetur këtë hap ligjor, artizanë nga i gjithë vendi do të takohen sot në Muzeun Historik Kombëtar.

Shqip

Publikuar: 25.03.2009 | 16:04
Lexuar: 1679 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime