Nëse asgjë të mirë nuk kanë sjellë zgjedhjet e dhjetorit, më mjafton fillimi i zhveshjes së mitit të të ashtuquajturit Faktori Isa Mustafa. Një faktor prej letre, nëse e parafrazojmë Maon.
Ilir Mirena
Politikisht mu duk episod shumë i pjekur ajo që Naser Rugova bëri pas humbjes së Lidhjes Demokratike të Dardanisë në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Ishte hera e parë që dikush në skenën politike shqiptare pranonte gabimet dhe ato, befasisht, i lexova në shkrimin vetëkritik të Rugovës.
Është e pazakonshme ngase jemi mësuar se fill pas shpalljes së rezultateve që i bën KQZ, menjëherë fillojnë konferencat e humbësve. Nuk shikohen defektet, gabimet, plasaritjet, pa harruar edhe mungesën e një programi qeverisës që nuk e kanë pasur kurrë. E, duke mos pasur çka të tregojnë se kanë bërë në të kaluarën e as çfarë do të bëjnë në të ardhmen, i hidhen fituesit për tia përlyer fitoren me të gjithë mjetet që dinë dhe guxojnë ti përdorin. Pishman që kishin pranuar humbjen, nga kjo gjuhë e moderuar dje hoqi dorë edhe LDD.
Dhe ska faj.
Të nxitur nga gjuha e rëndë që jemi duke dëgjuar nga humbësit e 12 dhjetorit dhe sidomos nga kryehumbësi Isa Mustafa, me siguri edhe njerëzit e LDDsë duhet të jenë ndjerë naivë karshi partive politike që mundohen të përfitojnë nga humbjet e tyre.
Nuk do të ndalem tek LDDja, aq sa tek Isa Mustafa, i cili pas infarktit elektoral që përjetoi, ka nisur që me të dy duart të hedh benzinë në tensionimin e frymës pas elektorale në vend.
Dhe këtë është duke e bërë mjeshtërisht. Duarbosh, pas gjithë atyre premtimeve elektorale që kishte bërë, përfshirë këtu edhe premtimin se do të jap dorëheqje në qoftë se nuk arrin të fitojë, alibinë e humbjes së tij është duke e kërkuar në vendvotimet e rajonit të Drenicës. Do të ketë rivotime të pjesshme në këto dy komuna, mund të dërgohet edhe i gjithë Brukseli për të monitoruar sesi po votohet, veçse qytetarët e atyre dy komunave nuk do të ndërrojnë preferencat e tyre politike.
Por, i vetëdijshëm se prej aty nuk do të nxirret tjetër rezultat përpos atij të 12 dhjetorit, shpresa e Isa Mustafës në rivotimet në Skenderaj e Drenas sështë asgjë tjetër përpos blerje kohe përpara se të kërkohet llogaridhënia prej tij brenda vetë Lidhjes Demokratike të Kosovës për disfatën e së dielës.
Kjo nuk është sjellje e re e Isa Mustafës.
Njësoj, pasi me lehtësi të neveritshme kishte tradhtuar dy ish-miqtë e tij, dikur edhe shefa të tij, Fatmir Sejdiun e Bujar Bukoshin (ky i fundit para jo shumë muajsh e kishte dërguar për trajtim shëndetësor në Belgjikë) me marrjen e drejtimit të LDKsë, ai mjeshtërisht i iku ballafaqimit dhe llogaridhënies për katastrofën urbane që i është shkaktuar Prishtinës, nga ai dhe LDK në 10 vjet qeverisjeje në kryeqytet.
Nëse asgjë të mirë nuk kanë sjellë zgjedhjet e dhjetorit, më mjafton fillimi i zhveshjes së mitit të të ashtuquajturit Faktori Mustafa. Një faktor prej letre, nëse e parafrazojmë Maon, meqë Mustafa dhe Mao janë në linjë të njëjtë ideologjike.
12 dhjetori dëshmoi se në Prishtinën e vitit 2009 ai ishte thjesht një aksident elektoral, i paefektshëm në pjesën tjetër të vendit.
I paefektshëm, ngase qytetarët nuk harrojnë njeriun i cili karrierë e tij politike e ka nisur në vitin 1981 në Konviktin e Studentëve në Prishtinë si emisar i diferencimit politik (Gazeta Zyrtare e KSAK, 13 maj 1981). Kosovarët nuk e harrojnë se ai ishte pjesë e pushtetit politikë deri në vitin e fundit kur Kosovës i ishte suprimuar autonomia. Nuk harrohet njeriu i cili tërë karrierën e tij akademike dhe jetësore e kishte angazhuar në studimin e metodave të ekonomisë socialiste e sot ligjëron për ekonomin kapitaliste! Votuesit nuk harrojnë njeriun që keqmenaxhoi Fondin e 3 %... Qytetarët e Prishtinës nuk e harrojnë njeriun që qytetin ku ata jetojnë e ka kthyer në mallkim për ta, e përfitim për vete.
Prandaj, nuk duhet të na habisë rezistenca e tij, qoftë kur mohon rezultatet zgjedhore, qoftë kur tradhton miqtë e tij, qoftë kur nuk jep llogari për keqqeverisjen e Prishtinës. Para disa netësh, nuk u besoja veshëve - besoja se jam duke dëgjuar dikë nga Vetëvendosja - kur Isa Mustafa tashti nisi të akuzojë edhe vendet perëndimore se janë të interesuara të kenë një qeveri kukull në Kosovë! Kukulla e të gjitha sistemeve politike na paralajmëron për rrezikun e një Qeverie kukull!
Asgjë e re, asgjë jashtë natyrës dhe gjuhës së një komunisti që na flet për armiq të brendshëm dhe të jashtëm, që ne si shoqëri e kemi fatkeqësinë ta kemi ende të shfaqur përmes figurave të tilla politike, që nëse i lejon biologjia ia dalin ti mbijetojnë secilit ndryshim shoqëror.
Edhe pse 12 dhjetori dëshmoi se Isa Mustafa nuk është njeriu i së ardhmes për këtë vend, dhe se
se ka filluar sanimi i aksidentit politik që mbanë emrin e tij, ky vend nuk i ka punët aq mirë, nëse ende 23 për qind e qytetarëve të tij besojnë se në supet e një 60 vjeçari mund të mbështetet e ardhmja e tyre.
Ndjej keqardhje për ata që shpresat e tyre, votat e tyre, e dikush, edhe parat e tyre, në vitin 2010 i investuan në një ish-komunist, fatmirësisht ndër të fundit në tërë Europën Lindore që ende pështillet në skenë politike. Megjithëse nuk i kishte reshtur sulmet kundër Partisë Demokratike të Kosovës, tash e një vit, është pikërisht PDK që do ta pensionojë politikisht Isa Mustafën dhe gjeneratën e mendësisë së tij.