Burri me pamjen dhe zërin e veçantë, i cili ka sjellë në tryezën e stacionit televiziv CNN emrat më të rëndësishëm të njerëzve që kanë bërë ngjarjet e viteve të fundit, Larry King, i përket në vetvete një epoke televizive tashmë të lënë pas. Mbrëmë, kjo epokë ka marrë fund. Kur dritat e studios së tij me dekorin e famshëm janë shuar, burri i cili ka intervistuar gjatë 25 viteve të fundit të jetës së tij, do të largohet, për tia lënë vendin një tjetër programacioni, që do të jetë edhe fillimi i një epoke të re televizive. Kjo edhe për CNN, një stacion tradicionalisht informativ.
Burri me pamjen dhe zërin e veçantë, i cili ka sjellë në tryezën e stacionit televiziv CNN emrat më të rëndësishëm të njerëzve që kanë bërë ngjarjet e viteve të fundit, Larry King, i përket në vetvete një epoke televizive tashmë të lënë pas. Mbrëmë, kjo epokë ka marrë fund. Kur dritat e studios së tij me dekorin e famshëm janë shuar, burri i cili ka intervistuar gjatë 25 viteve të fundit të jetës së tij, do të largohet, për tia lënë vendin një tjetër programacioni, që do të jetë edhe fillimi i një epoke të re televizive. Kjo edhe për CNN, një stacion tradicionalisht informativ.
Me largimin e Larry King do të zhduket edhe një lloj stili intervistimi, që në fakt e ka përfunduar ciklin e vet kohë më parë. Megjithatë King do të mbahet mend si intervistuesi lakonik, i cili u krijonte një mjedis shumë komod personave që intervistonte dhe që kanë qenë nga fusha të ndryshme të jetës. Persona të rëndësishëm, të cilët kanë bërë lajmin e momentit, apo lajmin e një epoke të tërë, njerëz të ndrojtur, rastësisht të famshëm, qëllimisht të pushtetshëm pra nga të gjitha kategoritë. King ishte i zoti që të nxirrte prej të ftuarve sekretin e asaj që i kishte bërë të ishin prezent në një studio kaq të famshme për publikun amerikan dhe atë botëror.
King do të zëvendësohet nga një emision për të cilin nuk ka shumë informacion deri më tani dhe që do të fillojë më 1 janar, por që parashikohet, ose më mirë parathuhet, se do të jetë i rrezikshëm, dhe zbavitës.
Gjithsesi për ata që do të pasojnë Larry King në të njëjtën orë nuk do të jetë e lehtë që të shmangin 25 vitet e tij me publikun. Formati i tij ishte revolucionar në fillim dhe u kopjua nga shumë televizione. Më pas u bë monoton derisa edhe vetë drejtuesit e CNN-it vendosën që tashmë ai ti kalonte historisë së korporatës.
Formati i ri, në fakt, do të jetë tërësisht i ndryshëm dhe nuk do të përqendrohet te një ngjarje, apo te një intervistues apo disa të ftuar që ulen dhe flasin me njëri-tjetrin. I gjithë formati do të jetë më interaktiv dhe do të synojë që ta bëjë edhe spektatorin pjesë të emisionit që do të jetë i drejtpërdrejtë. Nuk do të synohet të kopjohet King, sepse ai është tashmë një njeri që mban statusin legjendës dhe askush nuk mund të krahasohet me një legjendë, por të ndryshohet një format që trashmë e kreu misionin e tij.
Larry King, gjatë karrierës së tij, fillimisht radiofonike dhe më pas televizive, ka kryer 50 mijë intervista. CNN sapo kishte filluar veprimtarinë e tij, kur King debutoi në vitin 1985 duke i dhënë menjëherë rrjetit televiziv rëndësi dhe njohje shumë të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare. King u shndërrua në ikonë dhe logo të CNN dhe shpesh në personin identifikues të rrjetit. Majat e suksesit ai i pati deri në vitin 1996, kur emisioni prodhohej në Uashington. Çdo president amerikan në më shumë se një herë ka qenë i ftuar nga Larry King për ftesën rutinë që ai u bënte personaliteteve të ndryshme, por edhe për rastet e jashtëzakonshme që kanë kaluar presidentë të ndryshëm në rrugën e tyre. Ky pelegrinazh te King nisi me Nikson dhe përfundoi me presidentin e fundit, Obama. Në fakt, King, pavarësisht numrit të madh të personave që ftonte, do të mbahet mend mbi të gjitha për mënyrën se si arrinte që të ndryshonte mënyrën e të intervistuarit në varësi të subjektit. Ai ishte i zoti për të marrë në pyetje si një personalitet shkencor, politik, ekonomik të ndërlikuar po ashtu edhe një këngëtare pop, shkrimtar, apo personalitet që vinin nga një rrethanë e ndryshme me atë të personaliteteve të rëndësishëm. Periudha më e lavdishme e King në transmetimet e intervistave të përditshme ka shumë mundësi që të konsiderohet viti 1992. Gjatë këtij viti nuk mund të harrohet një moment i rëndësishëm, kur një biznesmen i pasur nga Teksasi, Ros Perot, njoftoi drejtpërsëdrejti në emisionin e King vendimin për të konkurruar për Presidencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një tjetër emision i rëndësishëm, madje nga më të ndjekurit me 10 milionë telespektatorë, ishte ai i debatit mes kandidatit të sipërpërmendur dhe kandidatëve të tjerë presidencialë, mes të cilëve Klintoni për të këqijat dhe të mirat e tregtisë së lirë në Amerikën e Veriut.
Por vitet e fundit, veçanërisht 10-vjeçarin e fundit, përqindjet e shikuesve nisën që të binin ndjeshëm për emisionin e King. Një nga arsyet ishte shtimi i madh i konkurrencës dhe i emisioneve që kishin një format të ngjashëm me të tijin dhe që ia kishin marrë një pjesë të audiencës, kryesisht për shkak të të ftuarve. Ndërkohë që ai gjatë gjithë kohës është përpjekur që të tregohej i paanshëm me të gjithë të ftuarit, ose më mirë, duke mbajtur vetëm anën e publikut dhe të drejtësisë, drejtuesit e emisioneve të tjerë firuan shikues pikërisht për të kundërtën e kësaj mënyre, së cilës King i ishte shmangur. Ata edhe sot e kësaj dite mbajnë jo vetëm qëndrime personale me të ftuarit e tyre, por i kanë shndërruar emisionet si tribuna të mendimeve personale, të cilat i trumbetojnë me forcë për të ndjellë fanatikë të çështjeve të ndryshme.
Suksesi im janë pyetjet e shkurtra, të drejtpërdrejta. Unë nuk pretendoj se jam as me shumë kulturë dhe as intelektual i thekur për të bërë pyetje të thella që nuk i kupton askush, ka thënë King në një intervistë. Ndërsa në intervistën e dhënë dy ditë më parë për New York Times ai ka thënë: Emisionet e orës së pikut kanë ndryshuar shumë së fundi. Nëse e vë re mirë se si veprojnë gazetarët intervistues do të shohësh që në vend të të tjerëve, ata në fakt intervistojnë veten, në të gjitha mënyrat e mundshme. Dikur ishte i ftuari ai që ishte më i rëndësishmi
Megjithatë King vazhdon që të ketë shumë admirues të cilët e konsiderojnë intervistuesin një mbret siç e ka emrin.