Nëse mendoni se është e vështirë për një nuse që të ndihet komode në shtëpinë e re ku shkon të jetojë me njerëzit e burrit mundohuni që të viheni në pozicionin e Kate Midleton. Gjyshja e burrit të saj të ardhshëm është një nga gratë më të fuqishme të botës, Mbretëresha Elisabetë II, i ati është Princi Çarls, gjithashtu i dëshiruar për tu bërë mbret dhe mjaft i famshëm edhe ai ndërkombëtarisht dhe mbi të gjitha, mamaja e dhëndrit është një mit, nga ata që janë unikë: princesha Diana.
Beteja e princeshës së ardhshme me shkëlqimin e një miti
Nëse mendoni se është e vështirë për një nuse që të ndihet komode në shtëpinë e re ku shkon të jetojë me njerëzit e burrit mundohuni që të viheni në pozicionin e Kate Midleton. Gjyshja e burrit të saj të ardhshëm është një nga gratë më të fuqishme të botës, Mbretëresha Elisabetë II, i ati është Princi Çarls, gjithashtu i dëshiruar për tu bërë mbret dhe mjaft i famshëm edhe ai ndërkombëtarisht dhe mbi të gjitha, mamaja e dhëndrit është një mit, nga ata që janë unikë: princesha Diana.
Askush nuk mund të pretendojë që të matet me të vdekurit dhe Kate do ti duhet që të ndeshet me kujtimin e njërës prej ikonave më të mëdha të shekullit të kaluar. Kjo është një sfidë e jashtëzakonshme dhe mund të them se ia qaj hallin Kate, thotë një britanike e pyetur për vështirësitë e Kate në familjen ku do të martohet në muajin prill të vitit të ardhshëm. Sipas saj dhe anglezëve të tjerë, Kate nuk duhet që të vihet në garë dhe të gjykohet sipas parametrave të Dianës, por duhet lënë e qetë që të lërë gjurmët e saj në jetë dhe të bëjë përpara në vijimin e mbretërisë. E pavarësisht se Kate është një tjetër njeri dhe do të ndjekë fatin dhe rrugën e saj në këtë jetë të re që do të nisë, prania e Dianës, madje që në ditën e parë të shpalljes së fejesës së çiftit mbretëror ka qenë e fortë. Kjo për shkak se unaza që William i dha nuses së tij të ardhshme ishte unza që i ati ia kishte dhënë nënës së tij të ndjerë në të njëjtin okazion, pra me rastin e shpalljes së fejesës dhe njoftimit të martesës. Ishte unaza me një diamant të mrekullueshëm që Diana e kishte mbajtur në dorë për një kohë të gjatë e madje ishte identifikuar me të. Vetë William, në mënyrë shumë prekëse tha se ishte i lumtur që po i jepte Kate unazën e të ëmës. Dhe për herë të parë Kate foli publikisht për mamanë e ndjerë të të fejuarit të saj, duke e quajtur atë një frymëzim. Janë të pakta ato unaza fejese që kanë një peshë të tillë dhe që vijnë me një barrë të madhe në duart e nuses së re. A do të jetë për Kate kjo unazë një kujtim për sfidën e madhe që është në fakt martesa me mbretin e ardhshëm, për atë që ajo mund të të ndryshojë jetën për mirë, por edhe për keq siç ndodhi në fakt me të ndjerën Diana. A do të jetë në gjendje Kate që të shndërrojë në fat të mirë për vete dhe të tjerët këtë martesë apo do të bjerë në të njëjtën vetmi, depresion dhe presion si Diana, unazën e së cilës mban në gisht? Ndërsa ajo kërkon që të gjejë vendin e saj ajo nuk do të mund ta shmangë kurrsesi përballjen me pjesë të legjendës së Dianës brenda dhe jashtë pallatit mbretëror. Nëse do të kërkojë famë do të përballet me faktin që Diana ka kërcyer me Travoltën, ka qenë shoqe e ngushtë me Elton John dhe i ka kaluar gjithmonë pushimet në jahtet luksoze të rivierës franceze, ndërsa paparacët dyndeshin si miza për të marrë një foto të sajën me të cilën do të shpërbleheshin me miliona. Nëse Kate do të kërkojë që të shkëlqejë përmes stilit dhe mënyrës së të veshurit ajo do të përballet me kostumet e jashtëzakonshme të Dianës të markave Versaçe, Galliano, Dior, Valentino dhe të mjeshtërve të tjerë të modës. Moda e Dianës pati një impakt botëror. Ajo u shndërrua në model imitimi për shumë gra dhe vajza që nisën që të identifikohen me shijen dhe guston e saj. Pjesë e kësaj paraqitjeje të jashtme ishin edhe bizhutë, të cilat ishin ndër më të shtrenjtat dhe më spektakolaret e para ndonjëherë në qafën e grave. Nëse Kate do të ndjekë zakonin mbretëror të bamirësisë edhe në këtë fushë do të përballet menjëherë me trashëgiminë e padiskutueshme të Dianës. Ajo i hidhëroi shumë mbretërorët kur mori në duart e saj një fëmijë me SIDA dhe ndihmoi qeverinë që të hartonte një politikë në favor të viktimave të minave të tokës duke shkuar vetë në zonat problematike të Afrikës, duke u takuar me të gjymtuarit duke i përqafuar e dhënë kurajë e duke u premtuar se do ta ngrinte zërin për ta aty ku duhej për të ndaluar këtë masakër njerëzore. Diana ishte shumë më tepër se një zonjë britanike me para që e kishte mendjen vetëm te darkimet.
Midleton ka qëndruar qëllimisht jashtë dritave të skenës që kur është shpallur fejesa me Princin dhe data e martesës në prillin e kaluar. Në fakt, të shumtë janë ata që presin se si do të reagojë më pas zonja e William-it, pra pas martese dhe a do ta ketë dëshirën për tu shfaqur dhe për të shkëlqyer, apo do të preferojë një jetë më diskrete dhe më të tërhequr.
E megjithatë, imazhi i Dianës, 13 vjet pas vdekjes së saj është ende shumë i fortë dhe shumë i gjuajtur nga gazetarët dhe media, si dhe i diskutuar në popull. Disa e konsiderojnë të ndjerën si edhe në të gjallë: mbretëresha e zemrave, ndërsa për të tjerë ajo sishte gjë tjetër veçse një ikonë mode. Një pjesë e madhe e mbajnë mend vetëm me fytyrën e saj të dëshpëruar nga pakënaqësitë dhe shqetësimet e vazhdueshme që i shkaktoi martesa e keqe me Çarls, e të tjerë e mbajnë mend si një grua të turbulluar dhe neurotike në nevojë për ndihmë. Gjithsesi, çfarëdo gjëje që Diana bënte dhe çfarëdo gjëje që thuhet për Dianën është një lajm për faqe të parë. Kjo është një e vërtetë absolute. Për shumë veta ky imazh i një miti mund të jetë një barrë për Kate. Diana ishte gruaja më e fotografuar e planetit. Ajo e transformoi Shtëpinë e Windsorw-ve, ajo ndryshoi mënyrën se si njerëzit e konsideronin dhe e shihnin deri atëherë monarkinë. Ajo ishte shumë e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë në mënyrat e komunikimit me njerëzit, veçanërisht me njerëzit e thjeshtë. Nuk vendoste kurrë barriera dhe ndihej me ta si e barabartë dhe njerëzit mbi të gjitha e ndienin se mund ti flisnin asaj pa problem. Për herë të parë ajo paraqiti përpara njerëzve një mbretëreshë me fytyrë njerëzore. Midleton vetë mund të refuzojë të ndjekë mënyrën shumë të ekspozuar që pati Diana dhe të zgjedhë një jetë më pak në dukje, më të tërhequr në momentin që do të bëhet princeshë dhe bashkëshortja e mbretit të ardhshëm. Nëse është duke kërkuar harmoninë martesore do ti duhet që të kërkojë shembull frymëzimi përtej figurës që përfaqëson mamaja e bashkëshortit të saj të ardhshëm.
Diana dhe Çarls përjetuan një dramë të madhe personale dhe çishte më e keqja e përjetuan këtë në sytë e njerëzve, pasi gjithçka, çdo hap i marrëdhënies dhe ndarjes së tyre u bë thuajse publikisht me rezervimin më të vogël. Pjesërisht shkak i kësaj ishte se Diana rrëfente shumë dhe jo vetëm me fjalë, por edhe me veprime dhe me vetë fytyrën e saj të trishtuar. Secili prej tyre rrëfeu mungesën e besnikërisë së të shoqit publikisht. Shtypi për njëfarë kohe u mbush me deklaratat e të dyve për mungesën e lumturisë në këtë lidhje martesore dhe për praninë e personave të ndryshëm në këtë lidhje. Sigurisht që ishte Çarlsi ai që e filloi me Camila-n mbipopullimin e martesës me rioshen Diana, por më pas e pakënaqur dhe e dëshpëruar edhe ajo u hodh në krahët e ngushëlluesve që jo gjithmonë i qëlluan burra të nderit dhe të besës.
Ndërsa Midleton që është një vajzë e shkolluar dhe që ka parë botë duhet ta dijë mirë se pasuria e madhe dhe pozicioni publik tentojnë gjithmonë që ta vështirësojnë jo lehtësojnë një martesë dhe se dy tiparet e mësipërme të statusit të saj të ardhshëm mund të jenë shkatërruese për të nëse ajo do të bëjë të njëjtat zgjedhje si Diana.
Ka nga ata që nuk do të donin kurrë që të ishin në pozitat e Kate. Madje, shumë janë vajza të reja që ndoshta do të ishin të lumtura të lidhnin fatin me një princ. Por historia e Dianës ishte aq e rëndë sa shumëkujt më shumë sesa një fat, një martesë me mbretin e ardhshëm do ti dukej barrë e rëndë. Megjithatë ka nga ata që e shohin Kate si një princeshë të ekuilibruar me sjellje më pak të ekspozuara se ato të Dianës dhe se ndoshta do të ketë edhe fatin që të ketë përkrah një burrë më të mirë dhe më besnik nga sa ishte Çarlsi për Dianën.
Kate në fakt nuk i ngjan Dianës në disa aspekte thelbësore. Ajo është e shkolluar, nuk është aq e re në moshë sa çishte Diana kur u lidh me Çarls dhe ka parë më shumë botë e për më tepër ka përvojën e hidhur të Dianës nga e cila po të jetë e mençur do të dijë që të nxjerrë mësime të vlefshme. Megjithatë, është ende herët që të bëhen parashikime për një martesë që shënon vitin e saj të parë të ekzistencës duke filluar me prillin e ardhshëm. Vetë çifti deri tani është shumë i rezervuar për të dhënë detaje, madje edhe foto për gazetat dhe revistat, duke treguar kështu gjithsesi se në njëfarë mënyre të dy, por veçanërisht Kate, të paktën për momentin, ka zgjedhur një tjetër mënyrë ekzistence nga ajo e Dianës. Në fund të fundit edhe kohët kanë ndryshuar...