Kjo sjellje, domosdo, ngjalli kërshëri, besa edhe dyshim, jo të paarsyeshme te shumë njerëz, që pretendojnë të përcjellin e të parashikojnë veprimet e përfaqësuesve politikë.
Drilon Zogaj
Vendimi i KQZ-së për përsëritjen e zgjedhjeve në dy komunat, ku PDK-ja kishte fituar mbi 80 % të votave, të mbi 90 % të qytetarëve që kishin marrë pjesë në zgjedhje, u prit mirë nga partitë rivale të saj. Por, për çudi, ky vendim nuk u kundërshtua zëshëm, bile u aprovua paraprakisht, nga vetë partia, e cila potencialisht do të dëmtohet në këtë proces.
Kjo sjellje, domosdo, ngjalli kërshëri, besa edhe dyshim, jo të paarsyeshme te shumë njerëz, që pretendojnë të përcjellin e të parashikojnë veprimet e përfaqësuesve politikë.
Gjithsesi, duket se përsëritja e zgjedhjeve në Skënderaj e Drenas, jo që nuk e brengos, por i konvenon PDK-së dhe liderit të saj.
...
Pikë së pari, përsëritja e zgjedhjeve në dy komunat e Drenicës, bastione tradicionale e të padiskutueshme të PDK-së, i konvenon kësaj të fundit për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga ankesat e partive rivale për manipulime në zonat e tjera, të cilat, për hir të së vërtetës, në shumicën dërrmuese, i janë atribuuar pikërisht PDK-së.
Kjo përsëritje, po ashtu, sadopak i ofron kënaqësinë e të imponuarit të një procesi politik, partive të tjera, pa rrezikuar fitoren e PDK-së. Kurse, në anë tjetër, është mundësi e mirë për partinë e Thaçit, që pas përfundimit të rivotimit, i cili gjithsesi se do të nxjerrë PDK-në fituese, të akuzojë partitë rivale për ankesa të pabaza për manipulime në pjesët e tjera të vendit.
Por, rivotimi në Skënderaj dhe Drenas, duket shumë i mirëseardhur për PDK-në, në këtë fazë, edhe për një arsye të brendshme, tejet e rëndësishme për zhvillimet dhe stabilitetin e kësaj partie.
Rezultatet preliminare të KQZ-së, sipas informatave të deritashme, për shkak të organizmit konspirativ, siç i quajti u.d. i Presidentit, duket se kanë lënë jashtë listës së deputetëve, apo kanë ulur radikalisht votat për personalitete të rëndësishme të kësaj partie.
Kur merren parasysh deklaratat e disa kandidatëve të PDK-së për deputetë, të cilët kanë akuzuar drejtpërdrejt komisionarët e PDK-së për manipulime me dirigjime nga lart të votave të tyre, duke ia transferuar ato kandidatëve të tjerë brenda partisë, atëherë rivotimi në dy komunat, ku dihet se do të fitoja PDK-ja, është një rast i mirë për lidershipin e PDK-së, që të korrigjoja gabimet e 12 dhjetorit, duke ruajtur kështu stabilitetin e partisë.
Nëpërmjet orientimit të votuesve në përputhje me numrin e votave që kandidatë të caktuar kanë marrë në komunat e tjera, PDK-ja ka rastin të fusë në Kuvend kandidatë të cilët do të mund të shkaktonin telashe shtesë për Thaçin në këtë periudhë të vlimeve të mëdha, apo edhe të eliminojë ndonjë emër, i cili nuk është fort i rëndësishëm, por që falë kalkulimeve fillestare me komisionarë të caktuar, ka arritur të marrë një numër të konsiderueshëm votash.
Pra, sille ka ta sjellësh, PDK-së i konvenon përsëritja e zgjedhjeve në Skënderaj dhe Drenas, ndryshe prej AAK-së, së cilës i rrezikohet një përqindje e votave me rivotimin në Deçan.
Por, rivotimi në dy komunat e Drenicës, mund të ketë edhe një rol tjetër, psikologjik, pozitiv për PDK-në, duke rritur përkrahjen për këtë parti në këtë rajon. Vendimi për përsëritjen e zgjedhje, do të mund të shfrytëzohet nga PDK-ja, që të rrisë numrin e votave në këtë zonë, duke bindur elektoratin e atjeshëm, se ky rajon do të ishte viktimë permanente e padrejtësive, po të mos ishte ky subjekt, duke e konsideruar padrejtësi pikërisht edhe përsëritjen e votimeve, pa marrë parasysh argumentet industriale për manipulime.
...
Përsëritja e zgjedhjeve në Skënderaj dhe Drenas, ngjashëm me përsëritjen e para një viti të zgjedhjeve lokale në Prizren, Lipjan dhe Gjilan, duket se do ta begatojë fitoren e PDK-së në këto zgjedhje.
Por, përsëritja e shpeshtë e fenomenit të njëjtë elektoral, ku zonat e fituara nga e njëjta parti shkojnë në rivotim për shkak të manipulimeve, vështirë se e fisnikërojnë imazhin e partisë, aktualisht më të madhe në vend. Apo, ky është derti i fundit i Hashim Thaçit ?!