Armiku ishte mundur në betejë, dhe atë natë fitimtarët këndonin për të festuar edhe suksesin e përgjakshëm të një luftëtari të lindur. Unë tani isha një ushtar. Duhet të flija gjithmonë me njërin sy hapur.
Fenomeni që vjen nga shekujt
Armiku ishte mundur në betejë, dhe atë natë fitimtarët këndonin për të festuar edhe suksesin e përgjakshëm të një luftëtari të lindur. Unë tani isha një ushtar. Duhet të flija gjithmonë me njërin sy hapur. E dija që kishte 11 mënyra për të sulmuar qytetin: si të hapja dhe të qëlloja me një granatë, si të mbushja dhe të zbrazja një AK-47, si të merrja në shënjestër armikun dhe ta lija të vdekur...Nuk kishte asnjë arsye për të pasur frikë... Ndërsa kujtimet e ushtarit vazhdojnë, duket sikur gjithçka është heroike dhe e lavdishme. Por, ka edhe një anë të shëmtuar e gjithë kjo situatë. Ky rekrut i talentuar, Emanuel Jal, ka luftuar në Sudan në fillim të vitit 1990 dhe kur nisi betejën ishte vetëm 10 vjeç.
Kujtimet e tij janë përmbledhur në një libër të fundit me titull: Ata luftojnë si ushtarë dhe vdesin si fëmijë. Është një libër i shkruar nga një aktivist i të drejtave të njeriut dhe ish- paqeruajtës, Romeo Dellaire. Sipas tij, aktualisht në botë ekzistojnë 250 fëmijë të moshave të mitura që janë të përfshirë në konfliktet botërore në Amerikën e Jugut, Lindjen e Mesme dhe shumica më e madhe ndodhet në Afrikën sub-Sahatiane. Pjesa më e madhe e këtyre ushtarëve janë rekrutuar, ose më mirë të thuash, në këtë rast, grabitur nga ushtritë armike, por është fakt se fëmijë ka edhe në ushtritë kombëtare. Kështu për shembull, sipas një vlerësimi, një e pesta e ushtrisë boliviane përbëhet nga fëmijë nën moshën 16-vjeçare.
Veçanërisht në Afrikë, këta luftëtarë të rinj bëjnë një jetë tronditëse, një jetë të mbushur me dhunë, me gjak dhe me drogë. Sepse, pjesa më e madhe e këtyre të miturve, që të bëhen të dhunshëm dhe të pamëshirshëm, drogohen vazhdimisht në fazat e para të kapjes, por edhe më tutje. Ndërkohë, nga libri del edhe një e vërtetë e dhimbshme, një fakt i errët ai, që pavarësisht të gjithave, këta fëmijë ia dalin me të vërtetë që të luftojnë dhe të kenë sukses. Autori i librit, i cili ka luftuar kundër dhe përkrah fëmijëve gjatë periudhës së gjenocidit të Ruandës në vitin 1994, pranon se ushtarët-fëmijë në shumë raste kanë shfaqur një mungesë të jashtëzakonshme frike dhe kanë qenë shumë më agresivë se të rriturit, dhe madje në disa raste kanë qenë shembull i shkëlqyer i komandës ushtarake.
Ushtari i parë amerikan që vdiq nga zjarri armik në Afganistan, majori Nathan Ros Cjapmab, ishte anëtar i Forcave Speciale dhe ai u vra në një kurth që ia ngriti një djalë 14-vjeçar dhe i pastërvitur si ai.
Kur gërmon në të shkuarën historike të këtij fenomeni, pra të përfshirjes së fëmijëve në luftë dhe nga ana tjetër, kur krahason këtë realitet me rritjen dhe zakonet e fëmijëve në paqe, ajo që del është tensioni shekullor mes dëshirës për të ruajtur dhe mbrojtur fëmijërinë e fëmijëve tanë në këtë moshë të pafajësisë, dhe papërgjegjshmërisë dhe faktit tjetër, që nëse këta fëmijë do të përdoreshin në një mënyrë të caktuar, mund të shndërroheshin në njerëz me aftësi shumë më të mëdha se ato që shfaqin në klasat e shkollave. Ajo që zbulohet edhe nga fakte të tilla tronditëse, si përfshirja e fëmijëve në luftë, dhe nxjerrja në pah e aftësive të jashtëzakonshme, në shumë raste është fakti që fëmijët kanë shumë më tepër aftësi nga ajo që mendojmë ne. Mbështetës të të drejtave të njeriut shumë shpesh sugjerojnë se ushtarët-fëmijë janë një produkt i kohëve moderne, i konflikteve post-koloniale, por kjo nuk është e vërtetë. Goliathi u nënvleftësua në mënyrë fatale nga Davidi, për shkak se ai ishte një riosh i pashtruar. Ndërkohë, fëmijët, edhe ata të miturit, kanë qenë një prani e vazhdueshme në fushat e betejës së periudhës para-industriale, duke dhënë kontributin e tyre si mekanikë, korrierë dhe madje edhe luftëtarë në disa raste në periudhën greko-romake. Shumë prej tyre e kanë bërë kalimin nga fëmijëria në rini në fushat e betejave, nën zjarrin e armëve apo rrezikun e shpimit të bajonetave. Kështu, kemi rastin e shoqërive tribale të amerikanëve vendas me të ashtuquajturat vajzat e tmerrshme luftarake, apo rastin e Beninit, në Afrikën Perëndimore me ushtritë që përbëheshin vetëm nga adoleshentë. Dhe, fëmijët nuk luanin vetëm role dytësore, por edhe në disa raste role liderësh. Kemi emra të tillë të një force luftarake të shprehur shumë hershëm si në rastin Zhan Darkës apo mbretit irlandez të shekullit të dhjetë, Brian Boru, i cili me talentin tij të jashtëzakonshëm luftarak arriti që të shkatërronte hordhitë britanike kur ishte vetëm 12 vjeç dhe për tu përmendur është edhe Olafi II i Vikingëve të Norvegjisë, legjenda për të cilin rrëfen një fitore detare të jashtëzakonshme para se të mbushte 17 vjeç. Janë shembuj komandantësh shumë të hershëm në moshë, të cilët kanë mbetur në memorien e historisë botërore. Një rast tjetër është ai i triumfit më të madh ushtarak të suedezëve, mundja e papritur e rusëve në Betejën e Navarrës, në vitin 1700. Suedezët, në këtë rast ishin nën drejtimin e një komandanti 18- vjeçar, Charlsit II. Ndërkohë, legjendari gjeneral britanik, Horato Nelson ishte në ushtri që në moshën 12-vjeçare, shkoi me shërbim në Arktik në moshën 15-vjeçare dhe u bë oficer me të mbushur 18 vjeç. Në moshën 19-vjeçare iu dha komanda e një anijeje. Pika e ndryshimit në sjelljet ndaj fëmijëve-ushtarë erdhi në fund të shekullit të 19-të, praktikisht si rezultat i Luftës Civile amerikane, që shpesh cilësohet edhe si lufta e djemve. Një pjesë shumë e madhe e trupave ishin ushtarë të mitur. John Joseph Clem, djaloshi i famshëm i Shilos, u rekrutua në moshën 10-vjeçare dhe shumë shpejt u promovua në detyrë, pasi arriti që të vriste dy oficerë të Konfederatës. Por, kasaphana e paprecedentë e luftës së parë industriale ndryshoi botërisht perceptimin e betejave, dhe në mënyrë të përhershme. Që nga ajo periudhë nuk u lejua më që fëmijët nën moshë të ishin pjesë e luftërave dhe në të dyja luftërat botërore ishte rregull që rekrutët të ishin të gjithë mbi 18 vjeç. Megjithatë, pavarësisht rregullit, ai nuk u zbatua rreptësishtë, dhe kështu në një nga betejat më të përgjakshme të Luftës së Partë, atë të Gallipolit, vdiqën shumë ushtarë që ishin nën moshë. Madje, shumë 15-vjeçarë u ekzekutuan nga të dyja palët ndërluftuese.
Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, pas militarizimit grotesk të të rinjve nga ana e Hitlerit, u vendos me një konsensus të gjerë që lufta do të ishte tani një biznes profesional, dhe jo një lojë në të cilën do të përfshiheshin të rinjtë. Megjithatë, Lufta e Dytë Botërore është një ndër luftërat më të mëdha të përfshirjes së fëmijëve-ushtarë. Ishin shumë djem dhe vajza të reja hebreje që u organizuan vetë në brigada kryengritëse. Ndërkohë që ishin edhe të rinjtë gjermanë anti-hitlerianë, që nuk përmenden shumë, të cilët u ngritën kundër rinisë hitleriane dhe e luftuan atë nëpër rrugët e Berlinit.
Në vitin 1977, Konventa e Gjenevës u amendua për të përfshirë një rregull të ri lufte: Fëmijët të cilët nuk kanë mbushur moshën 15 vjeç, nuk duhet që të marrin pjesë në luftime, dhe në vitin 1998, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve u krijua në një statut që thoshte shprehimisht: Rekrutimi i fëmijëve nën 15 vjeç është një krim lufte.
Po edhe pse ndryshimi i rregullave të luftës ka ndryshuar edhe qëndrimin e publikut në lidhje me rolin e fëmijëve në luftë, një forcë më e madhe ka ndryshuar në radhë të parë qëndrimin tonë ndaj fëmijëve në paqe. Ja ku shfaqen sërish tensionet mes pafajësisë fëmijërore dhe aftësisë së jashtëzakonshme të kësaj moshe për të bërë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme.
Në të shkuarën, zakonisht nuk ekzistonte koncepti i fëmijërisë. Në Britaninë para-industriale fëmijët ishin pjesë e organizmit në biznesin e familjes apo edhe punësoheshin në punë të tjera. Ata konsideroheshin të rinj që në një moshë të njomë, dhe në këtë mënyrë rinia ishte një periudhë shumë e gjatë e jetës. Ndryshimi i madh për fëmijërinë erdhi me Revolucionin Industrial.
Ndërkohë që ka ende shumë gjëra për tu sqaruar dhe për tu ndryshuar në këndvështrimet tona, por edhe në legjislacionin përkatës për sa i përket fëmijëve, një gjë është e sigurt: ndërsa përpiqemi vazhdimisht që të nxisim fëmijët tanë që të studiojnë historinë, një pjesë e zgjidhjes është që tu themi se të jesh fëmijë apo edhe adoleshent, nuk do të thotë të jesh një individ pasiv në pritje të ardhjes së moshës së rinisë. Përkundrazi, një fëmijë mund të jetë shumë aktiv dhe rezultativ, sikundër ishin në të shkuarën paraardhësit e tyre drejtues anijesh apo edhe luftërash e betejash.