E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Për disa gazeta amerikane është një nga më premtuesit në lëmin e letërsisë. Quhet Salvatore Scibona dhe rrëfen pa u lodhur botët e së shkuarës dhe të së tashmes përmes një realizimi lirik.
Salvatore Scibona: Romani ėshtė njė ėndėrr





Ëndrra i nisi në moshën 4-vjeçare. Ëndërronte që të shkruante një libër, një roman dhe ta dërgonte për ta shtypur te ndonjë botues, i cili nuk do ta kishte marrë vesh kurrë se ishte puna e një fëmije. Salvatore Scibona, 35 vjeç, amerikan, i vlerësuar dhe i shitur shumë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës, është një nga shkrimtarët e rinj më premtues. Ai, si të gjithë shkrimtarët, ka pasur një lidhje magjike dhe të hershme me letërsinë. Një lidhje që vjen nga vitet e fëmijërisë e që ka vazhduar pa ndërprerje deri në materializimin e subjekteve dhe personazheve që ka pasur në kohë.

Është një ëndërr, të cilën ai e ka ndjekur për 25 vitet e fundit të jetës së tij, me shumë këmbëngulje, një ëndërr që ka kapur sot përmasa shumë të mëdha, që ka kaluar oqeanin dhe është futur në botën e miliona njerëzve.

Gazetat amerikane shkruajnë vazhdimisht për këtë shkrimtar që është bërë një personazh shumë i dashur i librashitësve, duke qenë se librat e tij shiten në mënyrë marramendëse. Kështu e famshmja “The New Yorker” e ka listuar në 20 autorët më të mirë të romanit në këto 40 vitet e fundit. Sipas të mëdhenjve të kësaj gazete, që merret shumë me botën letrare dhe veçanërisht atë të romanit, Salvatore është një nga ata shkrimtarë bashkëkohorë që ka aftësinë e jashtëzakonshme vëzhguese dhe analitike për të na ofruar pjesë të botës sonë, të realitetit të përditshëm, në mënyrë shumë realiste dhe artistikisht me një nivel mjaft të lartë. Kjo gazetë e cilëson Salvatoren “liriku i realizmit” dhe kryesisht i referohet romanit të shkurtër që ka publikuar së fundi të titulluar “The Kid”. Është historia e një fëmije, e një djali të vetmuar në aeroportin e Amsterdamit.

Autori është amerikan, me origjinë italiane. Është brezi i katërt i emigrantëve që erdhën në Shtetet e Bashkuara nga Sicilia dhe u vendosën në Ohajo. Ai nuk ka marrë vetëm lavdërime nga “The New Yorker”. Në vitin 2009 ka marrë edhe çmimin e famshëm amerikan “Whiting Writers Award” për romanin. Një vit më parë, ka qenë ndër të preferuarit e listës së “Booker Prize” dhe një nga finalistët e “National Book Award”. Dy çmimet e marra deri më tani i ka falë romanit “The End”, një rrëfim që përfshin shumë breza e personazhe dhe që nis në vitet ’50. Ideja e romanit ishte pikërisht për të parë atë që ndodh nga përplasja e brezave dhe mentaliteteve të ndryshme, çfarë ndodh në botën e vogël të familjeve, por edhe në atë të madhe të shoqërisë. Kryesisht bëhet fjalë për përballjen e brezave të ndryshëm të emigrantëve me njëri-tjetrin dhe me shoqërinë e re, në të cilën kishin shkuar për të filluar një jetë të re. Në një shoqëri krejtësisht të ndryshme nga ajo më të cilën ishin mësuar dhe që ishte një provë për ekzistencën e më të fortit dhe më iniciatorit. Bëhet fjalë për një përvojë personale të autorit, për atë që ai ka parë dhe përjetuar personalisht dhe atë që i kanë thënë të tjerët. Sipas tij, rrëfimet për emigrantët dhe përshtatjen e tyre në tokë të huaj janë rrëfime që kanë të bëjnë me dy thelbe të qenies njerëzore. Atë të zhvendosjes e ndryshimit dhe atë të mbijetesës. Jeta e një emigranti përbëhet nga këto dy realitete dhe janë pikërisht ato që e vënë në provë dhe i nxjerrin në pah forcën njerëzore, që shpesh është e jashtëzakonshme dhe e paimagjinueshme edhe për ata që e kanë vetë.

“Unë nuk kam transferuar veprime dhe fjalë në këtë roman, por i kam përpunuar dhe i kam futur personazhet reale në rrethana jo reale dhe ndërkohë personazhe të sajuara i kam bërë pjesë të një bote jo reale. Kjo është një përzierje, të cilën ia kam lejuar vetes për të nxjerrë në pah atë vlerë, apo atë anë të jetës që kam dashur unë, për të cilën kam menduar se është më me vlerë”.

Salvatore për të shkruar këtë libër ka ndërmarrë edhe një kërkim, apo studim të gjatë në Itali përmes një burse Fulbright. “Ka 12 vjet që shkruaj në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme për të përfunduar ‘The End’. Ka qenë një kërkim, një meditim, momente krijuese të domosdoshme për të realizuar një vepër të tillë që rrok një hark kohor të madh dhe shumë personazhe me jetë të komplikuara dhe të ndërthurura me njëra-tjetrën. Është një kohë që më ka privuar nga jeta e zakonshme dhe shpesh nga realiteti, por që më ka dhënë kënaqësinë e patjetërsueshme të krijimit dhe të sjelljes në jetë të një bote të tërë që ka gjalluar brenda meje për shumë kohë”. Salvatore ka arritur që me librat e tij t’i krijojë vetes një komoditet të mirë financiar, në mënyrë që gjithë pjesën tjetër të ditës dhe të natës t’ia kushtojë të shkruarit. Në vitet e para të krijimtarisë i është dashur që të punonte natë e ditë për të jetuar dhe më pas t’i kushtohej të shkruarit vetëm në orët e para të ditës. Ndërsa aktualisht jeton në një krahinë të vogël të Provincetown në Massachusetts, që ndodhet në pjesën më periferike të Kepit Kod. I vetmi impenjim që ka është ai me kohë të pjesshme në një organizatë jofitimprurëse, që ka sy objektiv mbështetjen e talenteve të reja në fushën e letërsisë. “Unë organizoj punën e përzgjedhjes së materialeve që na vijnë. Janë shumë dhe kryesisht me vlerë. Më pas vazhdoj që të mbaj kontaktet me këta të rinj dhe t’i propozoj në shtëpi të ndryshme botuese. Me rekomandimin tim shpresoj që t’u hap një mundësi më shumë në realizimin e ëndrrës së tyre”. Së fundi ka nisur një roman të ri. Por për të nuk ka dëshirë që të flasë, sepse siç thotë vetë, “është ende në pelena” dhe nuk i bën mirë ekspozimi me realitetin. Dhe këtë e bën edhe për një arsye tjetër. Ndoshta ajo që ka shkruar deri më tani në një të ardhme nuk do t’i pëlqejë shumë dhe do të dojë ta fshijë. “Në fazat fillestare një roman është diçka shumë e brishtë. Nuk është si krijesat e tjera që rriten hap pas hapi. Për një roman mund të qëllojë që të kalojë shumë kohë derisa të gjejë ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë në fazën fillestare. Një shkrimtar mund të shkruajë e prishë shumë fillime e në fund vetëm njëri do të mund të shndërrohet në nisjen e një pune të gjatë”.

Salvatore përdor makinën e shkrimit dhe jo kompjuterin për të shkruar librat e tij. Vetëm kur e përfundon tërësisht në makinë shkrimi e hedh të gjithë veprën në kompjuter. Për të përshkruar vështirësinë e krijimtarisë letrare ai sjell dy shembuj: është si një balenë që fle. Nuk mund të flejë kurrë tërësisht, sepse herë pas here i duhet që të dalë jashtë ujit për të marrë frymë. Apo: është si të shohë një rrugë të gjatë dhe të drejtë natën me mjete ndriçimi që të bëjnë të mundur pamjen e vetëm 30 metrave të parë. Ti e di se ku mbaron rruga, por nuk mund ta shohësh pikën e fundme. Për të mbërritur aty të duhet vetëm ta zbulosh pak nga pak.

Publikuar: 21.12.2010 | 09:42
Lexuar: 566 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime