E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kosova duhet të bëhet vend atraktiv nëse dëshiron që të tërheqë sa më shumë investime të huaja, por një gjë e tillë mund të bëhet kur të ketë një ekonomi më stabile, ka thënë një intervistë për Kosovapress, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Lekë Musa.
Kosova duhet tė ketė njė rritje ekonomike prej 8%




Intervistoi: Sabit Shkodra

Kosova duhet të bëhet vend atraktiv nëse dëshiron që të tërheqë sa më shumë investime të huaja, por një gjë e tillë mund të bëhet kur të ketë një ekonomi më stabile, ka thënë një intervistë për Kosovapress, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Lekë Musa.

Kosovapress: Tash jemi në përfundim të vitit 2010. Çka e ka karakterizuar këtë vit sipas jush në aspektin ekonomik?

Musa:
Këtë vit nuk kemi pasur ndonjë karakteristikë të veçantë në lidhje me ekonominë në Kosovë. Në këtë drejtim kanë kontribuuar disa faktorë, si mungesa e stabilitetit politik, i cili ka pasur ndikim direkt në tërheqjen e investitorëve të huaj, si dhe reformimi i mëtutjeshëm i ambientit afarist, i cili është stopuar për shkak të jo stabilitetit politik, por edhe mungesës së strategjisë afatgjate, e cila vjen edhe si rezultat i mungesës së një qeverie stabile.

Kosovapress: Por gjatë këtij viti ka investime kapitale në disa fusha të caktuara si në infrastrukturë, arsim. Sa mendoni se ka ndikuar kjo në zhvillimin ekonomik?

Musa:
Sivjet janë ngritur investimet kapitale dhe si rezultat kemi pasur një rritje ekonomike, e cila është raportuar nga Banka Botërore, FMN dhe qeveria. Kjo e fundit ka thënë se do të jetë 4 %, ndërsa FMN 5.2 apo 5.3 % dhe kjo rritje kryesisht e ka burimin në shfrytëzimet e sektorit publik. Në një mënyrë kjo është mirë, sepse duke investuar në infrastrukturën rrugore, telekomunikuese, ne krijojmë kushte më të favorshme për të bërë biznes në Kosovë, sepse pa infrastrukturë bazike ne nuk mund të presim një zhvillim të ekonomisë. Në anën tjetër, rritja ekonomike, e cila ka burim investimin publik, nuk është një rritje afatgjate, sepse këto kryesisht janë mjete konsumuese dhe sektori publik në fakt nuk e krijon të ardhurat. Ndërsa sektori privat është vendi ku krijohen të ardhurat dhe ku vendet e punës janë të qëndrueshme, dhe çdo rritje që do të kishte si burim sektorin privat atëherë ajo ndikon në mënyrë pozitive. Kosova duhet të ketë një rritje ekonomike së paku prej 8 %, në mënyrë që të absorbojë numrin e njerëzve të rinj që vijnë në tregun e fuqisë punëtore. Diku mbi 30 mijë njerëz hyjnë në treg çdo vit. Gjithashtu për të absorbuar numrin e atyre që janë të papunë në Kosovë dhe ne me një rritje prej 5 % ose 6 % e mos të flasim për më pak vetëm e bëjmë riciklimin e vendeve të punës.

Kosovapress: Po përmendni një shifër 8 %. Si mund të arrihet kjo?

Musa:
Shumë pak vende në botë kanë një rritje ekonomike të asaj shkalle. Për t’u arritur kjo, Kosova duhet të bëhet një vend shumë atraktiv për të tërhequr investitor të huaj dhe kjo mund të arrihet kur norma e kthimit në investime të cilat bëhen në Kosovë janë të larta dhe stabiliteti politik dhe ekonomik është i lartë. Domethënë ai investitor i cili vjen në Kosovë e ka të sigurt se do të mund të realizojë normën e kthimit dhe mund të parashikojë se çfarë do të mund të ndodhë me investimet e veta. Në rast se prodhon ose kryen një shërbim ai do të mund të jetë në gjendje që të arkëtojë të hyra nga kjo shitje, pa kurrfarë problemi.

Për momentin e dimë se gjyqësia në Kosovë është shumë e ngadalshme, burokratike dhe në rast se një biznes padit një biznes tjetër për mos pagimin e të hyrave atij një proces gjyqësor do t’i zgjatet me vite dhe kjo është e pafavorshme. Një sektor ku duhet të bëhen reforma drastike për të ndihmuar sektorin privat është gjyqësia, pastaj në indekset e Bankës Botërore janë kategorizuar edhe shumë faktorë të tjerë të rëndësishëm ku duhen të bëhen reforma në lejet e ndërtimit. Janë reformat që duhet të bëhen sa i përket pajisjes me leje të punës në nivel lokal apo komunal. E vetmja gjë ku Kosova ka shënuar përparim në këtë ishte mundësia apo lehtësia për të bërë pagesën e tatimit dhe mendoj kjo mund të jetë njëra prej fushave të vetme ku Kosova ka bërë një përparim këtë vit.

Kosovapress: Gjatë këtij viti ka pas rënie të investimeve, a është shkaktar për këtë kriza globale?

Musa:
Kriza globale është manifestuar diku para tri viteve dhe efektet e saj ende ndihen, mirëpo në Kosovë ndoshta efekti i tyre ka ardhur më vonë. Por nuk mund t’ia dedikojmë tërë këtë aspekt negativ të mos ardhjes së investitorëve të huaj në Kosovë krizës globale. Mendoj se përqindja më e madhe është se jo stabiliteti politik dhe një imazh jo aq i mirë sa i përket Kosovës tek investitorët e huaj. Kosova duhet të bëjë një reformim sidomos në gjyqësi, duhet të punojë shumë për të aftësuar fuqinë punëtore për sektorin privat, pasi që për momentin ajo çfarë ofrojnë institucionet arsimore qëndron larg prej interesave të tregut.

Kosovapress: Si i shihni vendimet e qeverisë për privatizimin e ndërmarrjeve publike?

Musa:
Koha për privatizimin e ndërmarrjeve publike për opozitën gjithmonë do të jetë e papërshtatshme. Esenca qëndron se sa më gjatë të jenë ndërmarrjet në sektorët publik aq më keq është për ekonominë, sepse ndikimi i qeverisë në ekonomi është i madh.

Përvojat e ndryshme nga vendet në tranzicion ka treguar se sa më i vogël që është ndikimi i shtetit apo i qeverisë në ekonomi, aq më mirë është për ekonominë. Ndërhyrjet e institucioneve të jenë sa më pak në ekonomi. Gjithmonë kur është diskutuar për privatizimin e ndërmarrjeve publike, kjo është bërë nga aspekti i gjenerimit të hyrave nga shitja. Ky nuk është efekti i vetëm që ne duhet të shikojmë nga privatizimi. Efektet që duhet të shikohen është efekti afatgjatë dhe në rritjen ekonomike që do të ketë privatizimi. Nëse ne me privatizim arrijmë të tërheqim një investitor kredibil, një kompani të madhe, ai do të përçojë një mesazh se Kosova është një vend ku mund të bëhet biznes, përçon një mesazh se këtu është një vend i sigurt për të krijuar biznese. Aftësohet fuqia punëtore, e cila angazhohet dhe pajiset me njohuritë më të azhurnuara sa i përket lëmit përkatës, dhe ka një efekt multiplikativ edhe në industritë tjera. Gjithashtu, shumica e këtyre shërbimeve që ofrohen prej ndërmarrjeve tjera janë vitale për të funksionuar ekonomia.

Kosovapress: Por për privatizimin e PTK-së janë paraqitur disa probleme në Kuvendin e Kosovës. A mendoni se kjo zbeh interesimin e investitorëve?

Musa:
Është krijuar një listë e ngushtë e korporatave, e ndërmarrjeve multinacionale, të cilat janë kualifikuar dhe emrat e tyre janë bërë të ditur. Mendoj se secila prej tyre janë kompani të mirënjohura ndërkombëtarisht dhe është mirë që të vazhdohet që të procedohet me procesin e privatizimit me këtë listë të ngushtë të kompanive.

Kosovapress: Kosova është anëtarësuar në disa institucionet të rëndësishme ndërkombëtare financiare, por ende një gjë të tillë nuk ka mundur të bëjë edhe në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe të Zhvillim (BERZH). Kur mendoni se do të anëtarësohet në këto dy institucione?

Musa:
Kosova është shumë afër anëtarësimit në BERZH, derisa anëtarësimi në OBT mendoj se është ndërlidhur me anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Anëtarësimi në BERZH është shumë i rëndësishëm për të përkrahur projekte të mëdha në sektorin publik dhe privat. Financimi i projekteve të ndryshme prej BERZH-it do të ndikojë direkt në përmirësimin e cilësisë së këtyre investimeve, ngritjen e qasjes ndërkombëtare në ekonominë dhe në resurset e Kosovës që është jashtëzakonisht e rëndësishme për të hapur ekonominë e Kosovës.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, me përkrahjen e disa donatorëve në Kosovë, ka filluar të bëjë përgatitjen për aplikimin e shumë politikave të ndryshme tregtare, të cilat janë në përputhje me politikat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Mendoj se është shumë e rëndësishme që vazhdohet në atë drejtim, sepse në momentin kur Kosova të anëtarësohet në OKB, atëherë do të jetë shumë lehtë anëtarësimi në OBT.

Kosovapress: Që një kohë Kosova është duke marr pjesë në marrëveshjen për tregti të lirë CEFTA, ndërsa tash në vitin 2011 e ka radhën e kryesimit. Rrezikon Kosova të marrë kryesimin?

Musa:
Shpresoj se Kosova do të marrë kryesimin dhe përzgjedhja apo krijimi i qeverisë do të ndikojë sa më shpejt që të vazhdohet në këtë drejtim. Ka pasur shumë debat në lidhje me CEFTA dhe efektet negative që ka pasur mos zbatimi i CEFTA-së nga ana e Serbisë dhe Bosnjës kundrejt Kosovës. Kosova duhet të aplikojë masa reciprociteti dhe në këtë drejtim nuk ka asnjë arsye të mos e bërë. Nëse dikush nuk na e njeh vulën doganore, pse ne duhet të pranojmë vulën e tyre? Nëse ato tregje nuk janë të hapura për produktet kosovare, atëherë pse tregu i Kosovës duhet të jetë i hapur ndaj këtyre tregjeve? Prodhuesit kosovarë duhet të orientohen në tregun evropian. Në Evropë kemi mbi 500 milionë konsumatorë. Ai është orientimi ynë strategjik, ku duhet të fokusohemi që të ngrisim cilësinë e produkteve kosovare dhe të mundohemi të eksportojmë në ato vende. Mendoj se kjo është e mundshme dhe e arritshme, mirëpo duke ngritur standardet të cilat kërkon në BE. Tregu i BE-së është i hapur për Kosovën, ka lehtësira doganore për të gjitha produktet nga Kosova, përveç një kuote për verarinë. Qeveria e Kosovës duhet të punojë me prodhuesit vendor që të përmirësojë kualitetin, në mënyrë që të eksplorohet më shumë tregu në Evropë.

Kosovapress: Në cilat fusha mendoni se duhet të fokusohet më shumë Qeveria e Kosovës në vitin 2011?

Musa:
Së pari, duhet të fokusohet në dialogun direkt me sektorin privat dhe krijimin e një mekanizmi, i cili do të shqyrtonte impaktin e çdo vendimi të qeverisë për sektorin privat. Një segment tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm është edhe sektori i reformimit të indekseve të Bankës Botërore. Aty kanë filluar disa iniciativa për të reformuar ambientin afarist në Kosovë. Po ashtu, duhet të vazhdohet me reformat strukturore, privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe duhet ngritur atraktivitetin investiv kundrejt investitorëve të huaj. Duhet dërguar sinjale se Kosova është vend i sigurt për investitorët e huaj.

Kosovapress: Nuk duhet të jetë si prioritet sektori i bujqësisë, kur dihet që disa vite është lënë anash?

Musa:
Bujqësia ka potencial për zhvillim duke pasur parasysh kualitetin e tokës dhe në këtë drejtim duhet të riformulohet strategjinë për bujqësinë, pasi që prodhimi bujqësor në nivelin aktual nuk mund të jetë konkurrent me vendet në Evropë. Siç e dini, në Evropë bujqësia është e industrializuar, andaj për të arritur një industrializim në bujqësi është i domosdoshëm të bashkohen dhe formohen format e kooperativave, jo siç ka qenë në sistemin komunist, por duhet të bashkohen fermerët në disa ferma të përbashkëta, në mënyrë që ngritet produktiviteti dhe të ulet kostoja e prodhimeve. Vetëm në këtë mënyrë, produktet e Kosovës mund të jenë konkurruese me produktet nga Evropa. Qeveria këtu mund të ndikojë duke krijuar kushte dhe duke iu ofruar ekspertizë për bashkimin e parcelave bujqësore.

Publikuar: 22.12.2010 | 12:27
Lexuar: 548 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime