E premte, 25.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Erosi, poezia, Erosi dhe poezia së bashku, kanë si detyrë të krijojnë shembujt". Odiseus Elitis (Odysseus Elytis) ishte vetëm 24 vjeç kur më 1935 filloi të shkruajë rreshtat e parë. Dalloi për frymëzimin dhe metaforën e poezisë së tij. Erosi, një element i pashmangshëm i ardhur nga lashtësia, nuk mund t‘i mungonte as poetit grek.
Eros, eros, eros...











Odiseus Elitis


Erosi, poezia, Erosi dhe poezia së bashku, kanë si detyrë të krijojnë shembujt". Odiseus Elitis (Odysseus Elytis) ishte vetëm 24 vjeç kur më 1935 filloi të shkruajë rreshtat e parë. Dalloi për frymëzimin dhe metaforën e poezisë së tij. Erosi, një element i pashmangshëm i ardhur nga lashtësia, nuk mund t‘i mungonte as poetit grek. I cilësuar si poet i Egjeut, në botimet e para "Erosi" ishte kapitulli që çelte poezitë.

Dhe jo rastësisht. Homeri e përshkruante erosin si forcën madhore që pushton shpirtrat e burrave dhe zotave, si forcë e të gjitha bukurive. Vet dhimbja e ka origjinën prej tij. Ndërsa Safo, kushërira e Elitis, Erosi ishte bir i Qiellit dhe duhej lartësuar. Elitis nuk i ikte dot rrugës së paraardhësve, ndonëse gjuha e shkruar i përkiste veç atij. "Eros, Eros, Eros", është një përmbledhje poetike që u botua pas vdekjes së poetit më 1996. Poezi të njohura, por dhe trajta të shkurtra që i kishte shkruar pak kohë para se të ikte gjithnjë në "Parajsën" që e kishte ndërtuar në rreshta. Elitis e njohu pasionin.

I këndoi atij. Ai nuk u martua asnjëherë. Vet ai, fitues i "Nobelit" në vitin 1979, kishte zbuluar thelbin e veprës së tij: "Nëse ekziston një Parajsë e veçantë për secilin nga ne, e imja pashmangshmërisht do të jetë e mbjellë me pemë fjalësh, me njerëz që shohin t‘u kthehet e drejta e marrë padrejtësisht dhe nga zogj që, edhe pse në mes të vdekjes së vërtetë, këmbëngulin të këndojnë në greqisht, e të thonë eros, eros, eros". Odiseus Elitis ka lindur në Iraklio të Kretës më 1911. Ishte i vogli i gjashtë fëmijëve. Të parët e tij vinin nga ishulli Lezbos, vendlindja e Safos. Elitis studio për drejtësi në Universitetin e Athinës në vitet 1930-1935, por pa arritur të marrë një diplomë.

Me raste, ai u angazhua edhe në biznesin familjar të prodhimit të sapunit. I ndikuar nga surealizmi francez, veçanërisht nga poezitë e Pol Eliarit, filloi të shkruajë. Vetë poeti nënvizonte rolin çlirues që luante surealizmi në veprën e vet. "E kuptoj se… më zgjidhi duart. Më dëmtoi, sigurisht, kur mendoj se kush më largoi nga prirja që kisha për të organizuar poezitë e mia dhe për t‘i kontrolluar estetikisht. Më ndihmoi ama në mënyrë të padiskutueshme në drejtim të guximit dhe më hapi dyer çuditërisht të mëdha në botën time të stërmunduar psikike". Më 1940, poeti ishte zëvendëstoger në luftën italo-greke në kufijtë shqiptarë. Në vitin 1948, zhvendoset në Paris, ku studio për letërsi në Sorbonë. Gjatë kësaj kohe, u njoh me Pablo Pikason, Henri Matise dhe figura të tjera të artit parisien.


Eros dhe poezi



Disa vite u kthye të punonte në institucionet greke. Poemat e Elitis janë shkruar në gjuhë të pasur, të mbushura me figura historike apo mitologjike. Vargjet janë të gjata dhe muzikale. I frymëzuar prej mënyrës së shenjtë të të perceptuarit të gjërave, në poezitë e tij të hershme, Elitis i këndon misterit të dritës greke, detit dhe ajrit. Më vonë, temat vërtiten rreth brengave, vuajtjeve dhe kërkimit të një parajse. Poezia e tij është një përpjekje e vazhdueshme për të parë dhe për të treguar realitetin e dytë, esencën e qenieve.

Kusht për të kapërcyer dhe për perceptimin e realitetit të dytë, është aftësia për të parë nga brendësia e gjërave dhe përbrenda vetes sate, aftësia e transparencës, siç e percepton Elitis: "Faktin si ia arrita të kem një jetë plot veprime të qarta për të gjithë, rrjedhimisht të kem fituar vetë transparencën time, ia dedikoj një lloji të veçantë guximi, të cilin poezia ma fali: "Të bëhem erë për ballonin dhe ballon për erën edhe atëherë kur nuk ekziston dhe vetë qielli". Atëherë kur poeti ishte tashmë një personalitet në poezinë e shekullit XX, nuk i shmangu kritikat për botën që ndryshonte me hapa të mëdhenj.

Elitis iu kundërvu asaj që ai e quante vulgaritet të shoqërisë dhe kulturës bashkëkohore; shfaqte mundësinë e një marrëdhënieje ndryshe mes gjërave të kësaj bote, korrigjonte qasjen tonë ndaj natyrës dhe konceptin tonë të dashurisë, këmbëngulte se historia mund të rishkruhej, duke riafirmuar edhe një herë thënien e famshme të Shell që poetët janë legjislatorët e panjohur të botës. Më 1979, Akademia Suedeze i akordon çmimin "Nobel" me motivacionin "Për poezinë e tij, e cila, me sfond traditën greke, me fuqinë e ndjeshmërisë dhe mprehtësi shpirtërore, gjallëron përpjekjen e njeriut bashkëkohor për liri dhe krijimtari".

Në konferencën për shtyp, pas marrjes së çmimit, Elitis, konfirmoi edhe një herë atë që ishte përpjekur të bënte gjatë gjithë jetës, deri në ditët kur mbylli sytë më 1996: "Poezia nuk mund të ndryshojë botën, siç mund të bëjë veprimi, por poezia mund të ndryshojë ndërgjegjet e njerëzve, të cilët, me veprimet e tyre, mund të ndryshojnë botën". Shqip

Publikuar: 30.03.2009 | 03:49
Lexuar: 1396 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime