Kryetarët e partive të djathta dhe të majta kanë piketuar tashmë zonat ku do të garojnë më 28 qershor për të fituar sërish një karrige në Parlament. Surpriza e këtyre zgjedhjeve është kandidimi i kreut të PR-së, Fatmir Mediut, në 12 qarqe.
Fillon puna për hartimin e listave të 28 qershorit. Berisha e Meta në Tiranë. Dyndje kryetarësh në Elbasan. Mediu, i pari në 12 qarqe
Erjon Ajazi, Aurora Thomollari
Kryetarët e partive të djathta dhe të majta kanë piketuar tashmë zonat ku do të garojnë më 28 qershor për të fituar sërish një karrige në Parlament. Surpriza e këtyre zgjedhjeve është kandidimi i kreut të PR-së, Fatmir Mediut, në 12 qarqe. Pasiguria për rezultatin e zgjedhjeve ka bërë që disa kryetarë partish të jenë në më shumë se një listë, për të kompensuar dështimin në një zonë me fitore nga ana tjetër. Kodi elektoral ka specifikuar qartë se cilido kryetar partie ka të drejtë të kandidojë në 12 qarqet e vendit.
Të djathtët
Ndonëse nuk ka asnjë mëdyshje që kreu i PD-së, Sali Berisha, të jetë në krye të listës së demokratëve në kryeqytet, partitë e tjera i kanë bërë mirë llogaritë duke zgjedhur të vendosin emrin në qarqe të tjera. I vetmi në radhën e mazhorancës që do të vendosë emrin në të 12 qarqet është Fatmir Mediu. Burime nga Partia Republikane rrëfejnë se tanimë është vendosur që kreu i partisë të kandidojë në të 12 qarqet e vendit, për të pasur në këtë mënyrë një fitore të sigurt. "Kodi elektoral e lejon që kryetari i partisë të kandidojë në të gjitha qarqet dhe Partia Republikane ka vendosur që kryetari Mediu të jetë në listën e të 12 qarqeve", konfirmoi sakaq deputeti Arian Madhi, duke shtuar se emri i tij do të jetë vetëm në qytetin e Elbasanit. Ish-ministri i kabinetit "Berisha", Fatmir Mediu, do të kryesojë kështu listën në secilën prej betejave në rajone. Neritan Ceka, kryetari i PAD-së, do të jetë kandidat vetëm në një qark. "Do të kandidoj vetëm në Qarkun e Elbasanit dhe në asnjë qark tjetër", u shpreh Ceka. Elbasanin e ka zgjedhur edhe një tjetër aleat i Berishës, Arian Starova, si kryetar i PBLD-së. Nikoll Lesi do të jetë në krye të listës në Qarkun e Lezhës, nga ku priten të shkojnë gjithsej 7 deputetë në Kuvend. Kreu i LDK-së pohoi se "do të jem i pari i listës vetëm në Qarkun e Lezhës, aty ku synoj edhe fitoren". Deri tani, kryetari i PAA-së, Lufter Xhuveli, ka zgjedhur të kandidojë në Berat dhe Vlorë, por ende nuk ka një vendim të kryesisë së agrarëve, nëse ai do të jetë në më shumë se një qark kandidat për deputetë.
Të majtët
Të majtët nuk kanë mbetur prapa në kalkulimet e tyre paraelektorale, teksa lista e kandidatëve pritet të zyrtarizohet në muajin maj. Kryetari i Partisë Socialiste është i vetmi që ende nuk ka deklaruar publikisht nëse do të kandidojë për një mandat deputeti, duke u larguar nga Bashkia e Tiranës, apo jo. Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka zgjedhur Elbasanin dhe Vlorën si dy qarqet nga të cilat ai kërkon një tjetër mandat si deputet. Po kështu ka vepruar edhe kreu i PDS, Paskal Milo, i cili do të kryesojë listën e partisë së tij në dy, Jug dhe Shqipëri e Mesme. Vlora dhe Elbasani janë dy qytete nga ku Partia Demokracia Sociale pret një fitore. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, do të jetë në listën e kandidatëve për Tiranën, megjithëse vlen të theksohet se kreu i LSI pak kohë më parë ka bërë publik se nuk do të jetë i pari në këtë listë. Drejtuesi i lëvizjes politike, G99, Erjon Veliaj, deri tani ka në preferencë Beratin dhe Tiranën.
Zona më e nxehtë
Është e padiskutueshme që gara e madhe për zgjedhjet e 28 qershorit do të zhvillohet në Tiranë, nga ku do të dalin 32 deputetë, por nuk mund të përjashtohet edhe Elbasani. Qyteti i pagëzuar si "kërthiza" e Shqipërisë, do të jetë zona e VIP-ave të politikës. Neritan Ceka, Paskal Milo, Skënder Gjinushi dhe Arian Starova kanë zgjedhur Elbasanin si qarkun ku ata pretendojnë se kanë ndikimin më të madh për të fituar një tjetër mandat në Kuvend. Sipas ndarjes së qarqeve, Elbasani do të dërgojë në Parlament 14 deputetë dhe është qyteti i tretë në të gjithë vendin pas Tiranës dhe Fierit që nxjerr më shumë deputetë.
Sali Berisha
Kryetari i selisë blu, Sali Berisha, do të kryesojë listën e kandidatëve për deputet vetëm në Qarkun e Tiranës
Edi Rama
Deri tani nuk ka një qëndrim zyrtar nëse Edi Rama do të kandidojë për të kërkuar mandatin e deputetit nga zgjedhjet e qershorit
Ilir Meta
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të pozicionohet në listën e kandidatëve të Tiranës për zgjedhjet e ardhshme
Fatmir Mediu
Kryetari i Partisë Republikane pritet të kryesojë listën e republikanëve për deputetë në të 12 qarqet e vendit
Erjon Veliaj
Kreu i G99-ës, Erjon Veliaj, ka përcaktuar Beratin dhe Tiranën si zonat e tij të garimit për zgjedhjet e 28 qershorit
Skënder Gjinushi
Vlora dhe Elbasani janë zonat ku përqendrohet gara për kreun e socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, gjatë këtyre zgjedhjeve
Paskal Milo
Kryetari i PDS-së, ka zgjedhur Vlorën dhe Elbasanin, qytete këto që do të çojnë në Kuvend respektivisht 12 dhe 14 deputetë
Lufter Xhuveli
Kryetari i Partisë Agrare, Lufter Xhuveli, pritet të jetë kandidat në më shumë se një qark, duke zgjedhur Beratin dhe Vlorën
Nikollë Lesi
"Do të jem i pari i listës vetëm në Qarkun e Lezhës", është shprehur kreu i Lëvizjes Demokristiane, Nikoll Lesi
Neritan Ceka
Kryetari i PAD-së do të jetë i pari i listës vetëm në një qark. Elbasani është qarku i preferuar për të vendosur kandidaturën
Arian Starova
Kreu i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova, ka zgjedhur Elbasanin për të vendosur kandidaturën e tij
Shqip