A mendoni për punën gjatë gjithë kohës? A punoni orë të tjera shtesë, përveç asaj që iu kërkohet? A përjetoni ankth kur nuk jeni në punë? Nëse do ti përgjigjeni me po këtyre pyetjeve, ju mund ta cilësoni veten një person krejtësisht i varur dhe i fiksuar pas punës.
A mendoni për punën gjatë gjithë kohës? A punoni orë të tjera shtesë përveç asaj që iu kërkohet? A përjetoni ankth kur nuk jeni në punë? Nëse ju do ti përgjigjeni me po këtyre pyetjeve ju mund ta cilësoni veten një person krejtësisht i varur dhe i fiksuar pas punës. E si mund të ndodhë kjo?
Në të vërtetë, ne mund të abuzojmë me gjithçka, që nga ushqimi e deri tek ushtrimet fizike. Sipas specialistëve, varësia ndaj punës është një lloj sjelljeje e cilësuar si kompulsive. Ajo na bën të jemi vazhdimisht të zënë dhe të mos shikojmë atë që ndodh përreth. Ashtu si varësitë e tjera, ajo ju bën që të mos mendoni për frikën, ankthin apo ndjenjat, tregon Janet Salyer, konsulente profesionale. Varësia ndaj punës, ju bën që ta vendosni atë para familjes, miqve, madje edhe para vetë shëndetit tuaj. Edhe kur janë duke kaluar kohë me familjen, mendja e tyre qëndron te puna. Gjithsesi psikologët thonë se ka një ndryshim mes të punuarit shumë dhe punës kompulsive. Janë dy koncepte të ndryshme që nuk duhen ngatërruar. Puna shtesë ose me periudha të gjata mund ta bëjë jetën më të mirë, ndërsa ajo kompulsive, nga ana tjetër, ju pengon të shijoni jetën.
Po jetojmë në një shoqëri që e vlerëson varësinë ndaj punës dhe faktin e të marrit sa më shumë përgjegjësi e vlerëson pozitivisht. Sot të quhesh një person i varur nga puna nuk është ofendim. Shoqëria jonë, në njëfarë mënyre, forcon dhe shpërblen punën kompulsive. Personat që janë të zënë, vlerësohen shumë, thotë Sayler. Një klient i Sayler thotë se kolegët e saj të punës zakonisht vijnë të hënën në mëngjes dhe bisedojnë se sa orë kanë punuar gjatë fundjavës. Njerëzit që nuk kanë punuar të shtunën dhe të dielën shihen më pak të interesuar ndaj punëve të tyre. Disa organizata e forcojnë më shumë punën ekstra. Mësoni të çlodheni dhe mos e nënvlerësoni jetën tuaj private, thotë ajo.
Pasion apo fiksim
Enrika, 27 vjeçe, e takon të dashurin një herë në njëzetë ditë. Jetojmë në të njëjtin qytet, por shihemi sikur jetojmë në dy qytete të ndryshme, tregon Enrika. Prej dy vjetësh, ajo punon në një shoqëri të rëndësishme konsulence. E nis punën në orën 9:00 të mëngjesit dhe para orës 10:00 të mbrëmjes nuk arrin të largohet asnjëherë nga zyra, përfshi këtu edhe të shtunën. Kur nuk është në udhëtim, duhet të jetë gjithmonë në kontakt nga ora 7:00 deri në mesnatë. Jam me fat, sepse zyra ime ndodhet në një qendër tregtare dhe mund të bëj pazarin gjatë ndonjë pushimi të shkurtër. Nuk shkoj kurrë as në palestër e as në prokurori.
Të dielave jam aq e lodhur, sa nuk dua të shoh askënd, madje as të dashurin tim. Po ai nuk ankohet? Në fillim jo, me një punë prestigjioze edhe ai e kuptonte që nuk duhej të hiqja dorë. Tani ka nisur të ankohet. Nuk e duron dot më faktin se jam e lidhur pas punës. Jam vetëm 27 vjeçe dhe administroj klientë të rëndësishëm, punoj me njerëz që më stimulojnë, më japin shumë përgjegjësi. Që kur kam nisur këtë punë, jam dobësuar pesë kilogramë, por nuk më vjen keq, tregon ajo. Rrëfimi i Enrikës është tipik i një workaholic: më shumë se 70 orë në javë, përgjegjësi të mëdha, disponibilitet i vazhdueshëm. Megjithatë pavarësisht lodhjes dhe stresit, mbiemrat që shpesh përdoren për të përcaktuar punën janë: stimuluese, entuziaste, i pasionuar. Përmbushja e një prej nevojave themelore për lumturinë e individëve, materializohet në punë përmes arritjes së rezultateve gjithmonë e më ekstreme. Të gjesh te puna jote mënyrën për të shprehur talentin tënd është një fat i rrallë, të motivon dhe të bën të ndihesh i rëndësishëm.
Megjithatë janë shumë të paktë personat që e kuptojnë se kur janë duke abuzuar me veten e kur duhet kërkuar ndihmë. Kjo është ajo që tregon Monika, një psikologe 33vjeçare, kërkuese në universitet. Tani që është shtatzënë e sheh situatën e saj si një ish-workaholic me sy më kritik dhe e cilëson veten si e dizintoksikuar por në rrezik. Kur je i përfshirë nuk e kupton se çfarë po të ndodh: ndihesh nën presion, por jeton me një stimul të vazhdueshëm, ndihesh si padronia e botës. I vetmi problem është se ndonjëherë nuk ndihemi në lartësinë e duhur e na duket sikur nuk do tia dalim dot. Sigurisht që zilet e alarmit ekzistojnë: unë kisha të vjella, tensione të forta muskulore dhe pagjumësi. Gjithsesi ti vazhdon dhe nuk ndihesh se je në gjendje të heqësh dorë. Nëse dikush të thotë se po e ekzagjeron, ndihesh e fyer. Ndërton rreth vetes një kafaz, jo vetëm psikologjik të cilin nëse nuk e kupton në kohën e duhur, e ke me të vërtetë të vështirë ta rikuperosh më vonë. Atëherë ku qëndron problemi?
Si i bëhet për të kuptuar nëse kemi krijuar varësi nga puna apo që po punojmë thjesht me entuziazëm? Cila është njësia matëse që na lejon të kuptojmë se kur kalohet limiti? Numri i orëve të punës në javë, shenjat e stresit, vështirësitë në raportet familjare dhe sociale? Cilat janë strategjitë për të dalë nga ky qorrsokak? Histori të ndryshme që kanë të përbashkët pasionin e madh për punën, që në njëfarë mënyre transformohet në një sëmundje që duhet shëruar. Ndoshta ky është kufiri mes entuziazmit dhe varësisë. Kur nuk arrin dot të shijosh një pasdite të lirë, të pish një kafe apo të shijosh ajrin e freskët gjatë shëtitjeve me miqtë, kur edhe në ato momente mendon për kompjuterin dhe zyrën, nuk duhet të vononi për të shkuar menjëherë te ndonjë psikolog.