YllPress: Z. Mehmedi! Cila është gjendja juaj sociale?
Memedi:- Fillimisht dëshiroj tju falënderoj për këtë interesim që keni shprehur. Edhe pse kjo është një lloj interviste jo e zakonshme nga punët tona të përditshme diplomatiko-politike, megjithatë do të përpiqem tju përgjigjem sinqerisht.
Gjendja ime sociale është mbi të gjitha e ngjashme me standardin jetësor të popullatës së mesme në Maqedoni. Dua të theksoj se jam bashkëshort i lumtur dhe prind me fat i tre vajzave. Përkundër punës tonë që ndonjëherë të jep disa privilegje, nuk duhet harruar se ka shumë obligime e përgjegjësi. Personalisht mundohem të jem me këmbë në tokë dhe të jetojmë me realitetin, jetën e përditshme të të gjithë bashkatdhetarëve të mi. Këtë mund ta vërtetoni nëse bisedoni me ata që më njohin dhe me ata miq që unë takohem më shpesh. Modestia, sinqeriteti dhe serioziteti mendoj se janë vlerat që duhet ti ketë secili njeri pavarësisht pozitës që ka në shoqëri në një moment të caktuar.
YllPress: Çfarë është familja për ju?
Memedi:- Familja është themeli i një shoqërie. Në fakt, të gjitha karakteristikat që e veçojnë një personalitet në gjithë karrierën dhe jetën e tij, burojnë nga familja. Për mua, familja, më saktësisht prindërit dhe të afërmit kanë qenë shkolla e parë prej ku mësohet njerëzia, sjellja e mirë, edukata, morali, miqësimi, besimi dhe vlerat tjera pozitive. Mbi të gjitha, familja e shëndoshë me vlera të larta pozitive shpirtërore ofron në shoqëri njerëz të shëndoshë.
Andaj sugjeroj që familja të jetë bërthama kryesore ku duhet të investohet me të gjitha mundësitë, me qëllim që prej aty në të ardhmen duhet të dalin fytyrat më të ndritura që do ti shërbejnë njerëzimit. Afërsia e prindërit me fëmiun, në çdo periudhë është më se e rëndësishme.
YllPress: Po shëndeti?
Memedi:- Gjithsesi se pa trup të shëndoshë, smund të kemi as mendje të shëndoshë. I kushtoj rëndësi shëndetit edhe pse kohën e fundit është mjaft e vështirë të gjesh periudhë për aktivitete fizike për të pasur një jetë sa më të shëndoshë. E tillë është puna që bëjmë, që nuk të jep shumë komoditet për aktivitete të tilla. Megjithatë, mundohemi të paktën të ushqehemi në mënyrë të shëndetshme dhe mos të kemi probleme serioze shëndetësore. Duhet ta pranoj se ndonjëherë ndryshimet e stinëve tek unë shkaktojne periudha alergjike siç ndodhë te shumë njerëz.
YllPress:- Keni ndonjë vend apo ndonjë shtet të preferuar?
Memedi:- Të qenurit diplomat do të thotë se do të jeshë i detyruar të udhëtosh, të takosh personalitete të ndryshme, fytyra të çmuara botërore, të shohësh vende të ndryshme etj. Sigurisht se secili vend ka karakteristikat e saj dhe asnjëri me tjetrin nuk janë identik, kështu që nëse e ndjenë nga afër dhe e respekton traditën, kulturën, zakonet, zhvillimin dhe atë që ofron një vend, sigurisht se do të ndahesh i kënaqur. Pikërisht për këtë arsye, nëse udhëtoj në ndonjë vend që nuk kam qenë më parë mundohem para se ta vizitojë atë të lexoj më shumë detaje që e karakterizojnë atë vend, me qëllim që gjatë vizitës të ndjesh atë frymë të gjallërisë.
Vendet e zhvilluara kanë diçka që mungon te ato vende të pazhvilluara. Jo çdoherë ndërtimi arkitektuara të magjeps, andaj me rëndësi është të kuptosh si merr frymë ai vend. Përpos vendeve të shenjta, shumë qytete më kanë lënë përshtypje, por ekziston një qytet, i cili për mua e mban tiparin e qytetit magjik e ai është Stambolli.
YllPress: Çfarë ju bën të lumtur dhe çfarë të pikëlluar?
Memedi:- I lumtur jam atëherë kur realizohet një qëllim i caktuar që është në dobi të të gjithëve. Pas punës së lodhshme, i bindur se për diçka pozitive po përpiqesh dhe në fund ia arrin qëllimit, atëherë kënaqësia është ajo që të jep motiv për veprimet e ardhshme.
Pikëllimi më i madh ndodhë kur ballafaqohem me njerëz që me vetëdije të çojnë drejt nxjerrjes se ndjenjave destruktive, të kthejnë në kahje të kundërt të zhvillimit të ndjenjave civilizuese dhe humane të botës, sidomos kur bëhet fjalë për gjëra që nuk mund të falen. Ne jemi komb i përvuajtur dhe pikëlluar shumë herë, andaj nuk duhet ti lejojmë vetes me gjëra të pamenduara mirë, me plane të dikujt tjetër të luajmë kundër të ardhmes së ndritshme të fëmijëve dhe pasardhësve tanë.
YllPress: Si e kaloni një fundjavë?
Memedi:- Zakonisht të shtunën vijojnë aktivitet e ditëve të punës. Takime private me ambasadorë, diplomat dhe me miq të mi etj. Por, mundohem që të gjitha këto aktivitete të mbyllen brenda javës së punës, edhe pse shpeshherë koha di që të jetë e pamjaftueshme. Sigurisht mundohem ti përkushtohem më shumë familjes, të gjej kohë të çlodhem me fëmijët e mi, ti motivoj për shkollim dhe sigurisht ti përuroj për suksesin sa do që të vogël e arrijnë. Mundohem të kuptoj brendësinë e tyre, gjendjen në të cilën janë në moshën e shkollimit fillor e kështu me radhë. Por, gjithsesi obligimet dhe angazhimet e përditshme si dhe përkushtimi ndaj familjes, nuk më defokusojnë nga përpjekjet për tju ndihmuar rrethit, shoqërisë së gjerë dhe atyre që kanë nevoje për ndihmë.
YllPress: Cili është ushqimi juaj i preferuar?
Memedi:- Në këtë pyetje me lehte është të përgjigjem se çka nuk më pëlqen, por mund të them se i preferoj gjellërat e përgatitura në shtëpi. Natyrë e profesionit tim më ka mundësuar që të udhëtoj dhe të kam mundësinë e të shijuarit edhe të kuzhinave tjera, por çoherë preferenca e parë është kuzhina e shtëpisë dhe ajo orientale.
YllPress: Cili është libri i fundit që keni lexuar?
Memedi:- Puna ditore në administratën e MPJ nuk me jep hapësirë të ndaj kohë për të lexuar libra jashtë profesionit, mirëpo leximi i librave të ndryshëm për mua paraqet sensacion dhe motivacion i posaçëm që të përcjellë zhvillimet e botës në lëminë e fjalës së shkruar. Kam lexuar shumë libra në shumë gjuhë, mund të them se librin pos tematikës interesante dhe të vlefshëm e bën edhe gjuha në të cilën është shkruar. Gjithsesi, librat që trajtojnë, tematikën e diplomacisë dhe menaxhimin me pushtetin tek unë zgjojnë interesim më të madh. Nga librat e fundit që kam lexuar mundë të e veçoj The 48 Laws of Power nga Robert Green.
YllPress: A keni ndonjë idol?
Memedi:- Secili nga ne ndoshta disa herë në jetën e vet shqipton një fjalë nga zemra, sikur të isha edhe unë si ky, por një është e vërtete se nuk arrihen gjërat nëse vetvetes nuk i jep ndonjë qëllim. Unë gjatë jetës sime nëse më lejon përdorimi i termit idol, jam inspiruar dhe frymëzuar nga prindi, disa nga profesorët e mi të shkollës së mesme dhe të universitetit. Dhe me ngritjen time profesionale vazhdimisht jam i inspiruar edhe nga disa diplomatë me renome dhe burrështetas botëror... kështu që lisata është e madhe. Por çdo herë tentoj të jem unik.
YllPress:- Në momente të vështira sa e rëndësishme është për ju mbështetja e dikujt. A këshilloheni?
Memedi:- Gjithsesi, momente të vështira kemi ne të githë në jetën tonë, kjo është edhe pjesa sfiduese e jetës në këtë botë, apo jo! Por, me rëndësi është përgatitja jonë për sfidat me të cilat ballafaqohemi. Mbështetje të madhe më jep besimi i plotë në Zotin e gjithëfuqishëm. Mbështetje të madhe më vjen nga familja dhe kombi im.
Për mua këshillat janë të mirëpritura çdo herë. Mund më vendosshmëri të pohoj se nuk jam tip egocentrik dhe nga natyra jam çdo herë i hapur për këshillat dhe komentet.
Ushtroj post të lartë diplomatik në MPJ, i cili ka edhe karakter politik, prandaj këshillat reciproke janë pjesë e punës së përditshme, me të cilat suksesi është edhe më i garantuar.
YllPress:- Ndonjë mesazh për lexuesit e YllPress.com?
MEMEDI:- YllPress-i është portal që ka lexues nga të gjitha moshat, por porosia ime mundë tiu dedikohet të rinjve. Bëhuni ato që dëshironi të bëheni, por çfarëdo që të bëheni, bëhuni më të mirët!

MEMEDI:- Kush është Abdulkadar Memedi?
Të dhënat e përgjithshme:
Emri: Abdulkadër Memedi
Data e lindjes: 10 shtator 1977
Vendi i lindjes: Shkup, Republika e Maqedonisë
Gjendja martesore: I martuar, tre vajza - Amra, Aleja dhe Almira
Arsimimi
1996-2001: U diplomua nga Fakulteti i Shkencave Humane dhe Sociale në Universitetin e Emirateve të Bashkuara Arabe në Dubai (Diplomë Bachelor)
Përvoja profesionale
Në shtator 2008, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme
2008, morri titullin diplomatik Ambasador,
2008, Drejtor i Drejtorisë së Diplomacisë Ekonomike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisëç
2008: Zëvendës udhëheqës i Sektorit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme për shtetet e Euroazisë dhe shtetet në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë,
2007: Udhëheqës Sekcioni për Afrikën dhe Lindjen e Mesme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisëç
2006 Ushtrues detyre në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Doha të akredituar për të gjitha vendet e GCC, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejn, Kuvajt, Oman dhe Irakç
2005: Përfaqësuesi Special i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në shtetin e Katarit për të hapur Ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Doha, Katarç
2004 - Anëtar i ekipit të ekspertëve nga Maqedonia themeluar mbi rrëmbimin e shtetasve maqedonas në Irak dhe Afganistanç
2002, Sektori për Azi, Afrikë dhe Australi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë
2001: Shef i Sektorit të tregtisë së jashtme në ndërmarrjen SAMURAY LTD, Shkup, R. e Maqedonisëç
2001: korrespondent nga Republika e Maqedonisë për në Stacionin Satelitorë TV Dubaiç
Ghuhët e huaja:
anglisht, arabisht, shqip, turqisht, maqedonisht dhe serbishtç
Emërime tjera qeveritare
Shefi i ekipit te Qeverisë së Republikës së Maqedonisë të negociatave për dialogun e liberalizimit të vizave
Koordinatori Nacional- Kryetar i Komisionit nacional për vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë me vendet fqinje
Koordinatori Nacional- Kryetar i Komisionit nacional për mbrojtje, mirëmbajtje, dhe demarkacionin e vijës kufitare dhe Markave kufitare të Republikës së Maqedonisë me vendet fqinje
Koordinator nacional për iniciativës Aleanca e Qytetërimeve
I dërguari Special i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në Organizatën e Konferencës Islamike
Bashkëkryetar i Komisionit të Përbashkët i Maqedonisë dhe Bavarisë
Anëtarësimi në shoqatat e ndryshme dhe Klubet
Kryetari i Komitetit për marrëdhënie ndërkombëtare të Shoqatës Ndërkombëtare të Qarkut Lions Club 132 - Maqedoni.
Anëtar themelues i Asociacionit i Miqësisë Izraelit -maqedonase në Republikën e Maqedonisë
Konsulent dhe themelues i Shoqatës së parë të Miqësisë maqedonaso-arabe- ARAPMAK në Republikën e Maqedonisë.