Kur goditen themelet e shtetit, duhet të reagojmë si shtet, duke ndërtuar konsensusin politik kombëtarë, duke bashkëpunuar me shtetet që janë hisenike në pavarësimin e Kosovës, duke kuptuar që gjithçka i subordinohet shtetit të Kosovës.
Blerim Shala
Thjeshtësimi. Gjithçka, në procesin zgjedhor duhet të jetë më e thjeshtë, më e lehtë, më e realizueshme, më pak e kontestueshme, më e shpejtë. Shoqëria kosovare, nuk mundet dot të përballojë zgjedhje aq shumë të ndërlikuara, të cilat e bëjnë peng politikën kosovare, mbarë shtetin e Kosovës, të votimeve, në vend se të jetë e kundërta: Që zgjedhjet të hapin udhë për qartësinë dhe për stabilitetin e Kosovës.
Këto komente nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura me 12 dhjetor të këtij viti në Kosovë, por me zgjedhjet lokale të 15 nëntorit të vitit 2009, të cilat, për shkaqe shumë mirë të njohura, u zvarritën deri në prillin e këtij viti, me shumë përsëritje, dhe edhe më shumë probleme, të cilat në fakt, paralizuan politikën kosovare, dhe dëshmuan paqëndrueshmërinë institucionale të Kosovës, si rezultat i këtyre zgjedhjeve.
Komentet e mësipërme kanë për burim Raportin zyrtar të Misionit vëzhgues të BE-së, që mbikëqyri zgjedhjet për qeverisjen komunale, si dhe analizat private të diplomatëve kryesorë perëndimorë që shërbejnë në Prishtinë. Njeri prej këtyre diplomatëve, me të drejtë pati theksuar, pas gjithë atij lëmshi zgjedhor që nuk tëfillohej dot, që Kosovës i duhet qeverisja e mirë, dhe që është lodhur prej votimeve të njëpasnjëshme.
Në dimrin e këtij viti pra, dukej që në Bruksel dhe në Washington është mbërritë tek një konkludim i prerë: Kosova nuk duhet të ketë më zgjedhje të kësisojta, çfarë ishin votimet lokale të periudhës nëntor 2009 prill, 2010.
Duhej bërë pra, reformën e sistemit zgjedhor, duhej ndryshuar Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme (dhe atë për zgjedhjet komunale), duhej mundësuar që një kohë fare e shkurtër të ndajë ditën e zgjedhjeve prej ditës kur konstituohen institucionet e vendit, duke reduktuar, në ndërkohë, gjasat apo mundësitë që procesi zgjedhor të jetë i komplikuar dhe burim i telasheve të mëdha politike në vend.
Çfarë ndodhi dy javë më parë, të dielën e 12 dhjetorit, ishte pikërisht e kundërta. Zgjedhjet e këtij viti ishin edhe më të këqija se sa ato të vitit të kaluar. Edhe tani, porsi një vit më parë, nuk dihet se si do të përmbyllen këto zgjedhje, kur do të certifikohen ato, sa kohë, pastaj, do të nevojitet që ne të bëhemi me Presidentin dhe me Qeverinë e re.
Sishte rend thjeshtësimi. Së paku jo kësaj radhe. E arsyetimet që mund të nxirren prej sirtarëve diplomatikë dhe prej zyrave të partive politike, të cilat synojnë të justifikojnë këtë ndërlikueshmëri dëmsjellëse për Kosovën, janë me afat të skaduar të qëndrueshmërisë.
Thjeshtë, me sistemin zgjedhor që u aplikua për organizimin e votimeve të para në Republikën e Kosovës për Kuvendin e Kosovës, manipulimi i zgjedhjeve dhe abuzimi i votës ishin ftesë publike për të gjithë pjesëmarrësit në këto zgjedhje.
Nëse duam ti evitojmë zgjedhjet e kësillojta, është e domosdoshme që Kosova të ndahet në shtatë (7) zona zgjedhore, dhe që në Kosovë të aplikohet një sistem i kombinuar mazhoritar dhe proporcional. Reformimin e sistemit zgjedhor duhet nisë sa më parë që është e mundur. Kosova nuk guxon ta pres vitin e ri 2012 pa një sistem të ri zgjedhor, dhe pa Ligjin e ndryshuar për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme.
Ekziston një argument tjetër, goxha i fuqishëm që mëdyshë rezultatin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, i cili bëri fitues (megjithë kontestimeve të shumta për parregullësitë zgjedhore), dy partitë kosovare, PDK-në e Kryeministrit Hashim Thaçi, dhe LDK-në e Isa Mustafës, Kryetarit të Prishtinës. Këto dy parti që kanë udhëhequr së bashku me Kosovën, që nga janari i vitit 2008 (pa marrë parasyshë se kush çfarë hise ka pasë në këtë qeveri, dhe kush çfarë përgjegjësie ka në këtë qeveri), kanë marrë së bashku, me rezultatet që janë aktualisht në fuqi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ-ja), 57.1% të votës së qytetarëve, apo shumicën asbolute. Me këtë përqindje, PDK dhe LDK së bashku do të kishin diku 63 apo 64 deputetë në Kuvendin e Kosovës, apo, një apo një-dy deputetë më shumë se pas zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2007 (PDK pati 37 deputetë, LDK 25 deputetë pas atyre zgjedhjeve, gjegjësisht gjithsejt 62 deputetë).
PDK dhe LDK, janë ndarë kështu më mirë se sa në vitin 2007, derisa sipas Raportit më të ri të UNDP-së, raporte këto që janë shumë të besueshme, 67% të kosovarëve të anketuar janë të pakënaqur me orientimin politik të Kosovës, ndërsa madje 71% të tyre, janë të bindur që Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për situatën e rëndë ekonomike në vend.
Këtu diçka nuk është në rregull. Nëse kaq shumë kosovarë janë të pakënaqur, (e kjo është një gjendje reale, sipas të gjithë parametrave të mundshëm), e në anën tjetër, nëse rezultatet e votimeve të 12 dhjetorit flasin ndryshe (thelbësisht ndryshe), sepse ato thonë që shumica absolute janë të kënaqur me mënyrën se si është qeverisur nga PDK dhe LDK në tri vitet e kaluara, atëherë, politika në Kosovë ka probleme shumë të mëdha.
Dikush këtu mund me të shpejtë të pohojë që votuesi nuk e sheh LDK-në e Isa Mustafës me të njëjtin sy si atë LDK-në që ka qenë bashkë me PDK-në e Hashim Thaçit. Dikush tjetër mund të shtojë që mbase, shumë prej të pakënaqurve tutje nuk votojnë (sepse nuk besojnë akoma se gjendja e tyre mund të ndryshojë përmes zgjedhjeve). Të tjerët mund të përdorin edhe argumente shtesë. Por sidoqoftë, pakçka mund të mëdyshë konkludimin që rezultati i zgjedhjeve të 12 dhjetorit, nuk është në përputhje me vullnetin e mirëfilltë të kosovarëve.
Por, mbase askush këndejpari, aktualisht nuk ka kohë dhe as vullnet të mirret me temat e këtilla politike. Ag e terr, si thuhet, shoqëria dhe politika kosovare po e trajton Raportin e Dick Martyt (nuk ka shqiptar, kudo që jeton ai, i cili nuk e di se kush është Dick Marty), Raportuesit Special të Këshillit të Evropës.
Marty, në një përpjekje për ta arsyetuar përmbajtjen e Raportit të tij, në një intervistë të bërë pas publikimit të këtij Raporti, pohon që shqiptarët e Kosovës duhet të mirren me të kaluarën e tyre.
Duhet de-kriminalizuar kjo e kaluar, sipas bindjes së Martyt, apo, duhet trajtuar me ligj (dhe me gjyq), krimet që sipas qëndrimeve të Martyt, kanë ndodhë gjatë luftës në Kosovë.
Por, realisht, çfarë dëshiron të arrijë Marty me këtë Raport, është kriminalizimi i gjithë procesit vendor dhe ndërkombëtarë i cili së pari, ka çliruar Kosovën prej Serbisë, dhe së dyti, ka bërë Kosovën shtet të pavarur.
Ky Raport, siç po shihet sheshazi në dhjetë ditët e fundit, i ka sjellë Kosovës një Listë me telashe të reja, të mëdha, të cilat dukeshin që ose janë zgjidhur tashmë, ose janë në rrugë të mirë për tu adresuar. Së pari, imazhi ndërkombëtarë i Kosovës është dëmtuar shumë me këtë Raport. Së dyti, zhvillimet edhe ashtu të ndërlikuara pas-zgjedhore në politikën kosovare, kanë fituar komplikime shtesë të cilat do të vështirësojnë edhe më shumë përpjekjet për të krijuar institucionet qendrore të Kosovës. Së treti, për shkak të mënyrës se si, në masë të madhe, i jemi qasur këtij Raporti dhe pasojave të tij, ai po bëhet burim i kërkimit të armikut të brendshëm (dhe armikut të jashtëm), i ngritjes së tensioneve brenda-shqiptare, pas atij reagimit fillestar i cili dukej që madje mund të unifikojë politikën kosovare në përballjen me Raportin e Martyt. Së katërti, ky Raport mund të reflektohet edhe si ngecje në proceset shpresëdhënëse të dy-tri viteve të fundit të përfshirjes së politikanëve dhe qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës. Së pesti, Marty me Raportin e tij gjithsesi ka dëmtuar (javëve dhe muajve të ardhshëm do të kuptohet se çfarë shkalle është ky dëm), planet e Brukselit (BE-së), dhe të Washingtonit (SHBA-së), për lansimin e dialogut të Prishtinës dhe Beogradit, me synim të shtensionimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Së fundit, mënyra se si ne, si shoqëri, si politikë, i jemi qasë të këqijave evidente që na i ka sjellë ky Raport, tregon që jemi akoma larg të kuptuari se çka duhet bërë, si duhet sjellur, në rastet e këtilla kur mëdyshen themelet e Republikës së Kosovës.
Kur goditen themelet e shtetit, duhet të reagojmë si shtet, duke ndërtuar konsensusin politik kombëtarë, duke bashkëpunuar me shtetet që janë hisenike në pavarësimin e Kosovës, duke kuptuar që gjithçka i subordinohet shtetit të Kosovës.
Këtë ne nuk e kemi bërë. Së paku jo deri më tash.