Policia e Kosovës konfirmon se shumica e të arrestuarve janë nga fshati Carrallukë, Malishevë, të afërt të ish-kryetarit të Malishevës, Gani Krasniqi, i cili ishte kandidat i Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit.
Policia kosovare pasdite kumtoi se ka arrestuar 12 persona të dyshimtë për lidhje me sulmin e armatosur në qytetin Malishevë të Kosovës, me ç'rast humbi jetën një person, ndërsa dy të tjerë janë lënduar më rëndë.
Policia e Kosovës konfirmon se shumica e të arrestuarve janë nga fshati Carrallukë, Malishevë, të afërt të ish-kryetarit të Malishevës, Gani Krasniqi, i cili ishte kandidat i Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit.
Dëshmitarë të ngjarjes kanë rrëfyer tmerrin e natës së 1 janarit, kur rreth 15 persona kanë hyrë në ambientet e restorantit, kanë rrahur viktimat e më pas kanë shtënë me armë.
Mediat raportojnë se i vrari, Skender Limaj është qëlluar në sy të tre fëmijëve të tij, që të gjithë të vegjël. Dy të plagosurit e tjerë janë i vëllai i tij, Azem Limaj dhe nipi, Ilir Limaj.
Ndërkohë Vetëvendosja ka cilësuar atë si "krim të rëndë", me pasoja tragjike për familjen e të vrarit dhe të plagosurve. Por, ajo ka kërkuar që "të mos politizohet ngjarja".
Nga ana tjetër, kryetari i Malishevës, Hysni Kilaj e ka dënuar sot vrasjen në restorantin Kështjella në fshatin Bajë të kësaj komune.
"Sulmi, vrasjet mizore, torturimi i familjes Limaj, shokoi të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës. Sulmi ishte sjellje dhe veprim mesjetar", thuhet në reagimin e Kilajt.
Sipas tij, vrasja e babait, në prani të fëmijëve të tij, është vepër krimi e terrori.
"Ne, të gjithë qytetarët e komunës së Malishevës, që njihet vend i qetë dhe dashamirës, distancohemi nga këto veprime të shëmtuara", thuhet në reagimin e kryetarit të Malishevës.
Sipas Kilajt, ngjarjes së 1 janarit, i parapriu politika nxitëse e deklaratave të Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, të cilat duhet të jenë argumente të fuqishme për drejtësinë, që duhet të marrin veprime të duhura ligjore.
"Unë bëj thirrje për maturi për të gjithë, në këto raste. Kosova ka organet e saja ligjore, të dala nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, për të cilën dhamë aq shumë, prandaj respektojeni", vazhdon reagimi i kryetarit Isni Kilaj, i cili lutet që ngjarja si kjo të jetë e fundit për Malishevën dhe Kosovën në përgjithësi.